Destinimi i donacionit nga Kosova për Luginën e Preshevës, ka shtuar zërat kritikë të spektrit politik dhe sektorit joqeveritar

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Sevdail Hyseni – Këtyre ditëve, të fillim-vitit të ri, në Luginë të Preshevës, donacioni prej 2 milion euro, i Republikës së Kosovës, për Këshillin Kombëtar Shqiptar, ka ngjallur më shumë pakënaqësi, se sa gëzim mes partive politike dhe shoqatave jopartiake.


Të parët që ngritën zërin kritik ishin subjektet politike, të cilat e akuzonin kreun udhëheqës të Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginë të Preshevës, për manipulim me donacionin e Kosovës, të cilat dedikoheshin për financimin e projekteve që bartin aktivitete në ruajtjen dhe kultivimin e artit, gjuhës, arsimit e identitetit kombëtar në këtë krahinë shqiptare.

Disa nga partitë më të mëdha politike në Luginë të Preshevës si: Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja e Progresit Demokratik, Unioni Demokratik Shqiptar, si dhe me dhjetëra shoqata e individë të caktuara, me shkresa e letra të hapura iu drejtuat Qeverisë së Kosovës, për mënyrën e njëanshme të financimit të projekteve, të cilat Këshilli Kombëtar Shqiptar i destinoi për “besnikët” e një partie politike, duke ngjallur përçarjen më të thellë të shoqërisë dhe degradimin e një institucioni të udhëhequr keq nga Partia për Veprim Demokratik.

Fundamenti

Emërues të përbashkët të këtyre kundërshtimeve të drejtuara në adresë të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, është se rezultatet e thirrjes publike, shkuan në favor të militantëve politikë të partisë, që udhëheq këtë institucion, duke anashkaluar dhe injoruar shoqatat e mirëfillta, të cilat me program të tyre kanë aktivitete në ruajtjen dhe kultivimin e artit, gjuhës, arsimit e identitetit kombëtar në Luginë të Preshevës.

Duke u nisur vetëm nga titujt e disa propozim-projekteve, pa u ndalur në përmbajtjet e tyre, nuk është vështirë të kuptohet se “mbrojtja e identitetit kombëtar në Luginë të Preshevës”, nuk mbrohet nga disa shoqata, klube e individë të caktuar, që kanë për nisma projekte për mbrojtjen e ambientit, të fitneseve trupore, rregullimin e zyrave, spoteve televizive, të Kosovës për Sanxhakun, e jo të Kosovës për Luginën e rreth 70 për qind të parave, që derdhen për këto përmbajtje programore.

Qeveria e Kosovës, deri tani ka heshtur lidhur këto shkresa dhe anikmime rreth ndarjes së këtij donacioni, në adresë të Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke krijuar edhe më shumë ndasi e përçarje në mes këtij institucioni dhe spektrit politik e joqeveritare në Preshevë dhe rrethin, pasojat e së cilët veç tani po hetohen në këtë rajon dhe më gjerë, duke shembur edhe atë pak unitet që kishin dikur liderët politikë e institucionalë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë./rajonipress/