Destabiliteti politik po i tremb investitorët
“Në rast se investitorët gjermanë, apo të vendeve të tjera, dëshirojnë të vijnë në Kosovë dhe shohin pamje me gaz lotsjellës në Parlament, natyrisht që ata do të ikin, do të shkojnë ta zëmë në Maqedoni, Indi apo diku tjetër. E di që situata politike është shumë e vështirë, polarizimi që është shkaktuar duhet të tejkalohet, sepse njerëzit duan të ushqehen, duan të kenë perspektivë për vende të reja të punës dhe kjo është shumë më e rëndësishme sesa çdo gjë tjetër”, thotë diplomatja gjermane.
Intervistë me ambasadoren e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets
“Kosova Sot”: Kosova është shtet prej më shumë se 7 vjetësh, ndërsa konsolidimi i shtetësisë nuk rezulton të jetë i lehtë. Cilat vlerësoni se janë sfidat kryesore aktualisht për zhvillimet në Kosovë?
Ambasadorja Viets: Mendoj se sfida kryesore që unë e shoh është krijimi në një masë më të madhe i vendeve të reja të punës. E di që ka pasur një diskutim, pse ambasadorja gjermane është shprehur kaq qartë në deklarimet e veta, kur është fjala për zhvillimet politike të tanishme, sikur është çështja rreth zgjedhjeve të reja, opozitës e të tjera dhe ajo me çka unë e arsyetoj pse ndoshta tingëllon ajo që them aq e hapur, është se Gjermania është shumë e interesuar, që Kosova të bëjë hapa përpara dhe për këtë arsye stabiliteti është gjëja më e rëndësishme. Në rast se investitorët gjermanë apo të vendeve të tjera dëshirojnë të vijnë në Kosovë dhe shohin pamje me gaz lotsjellës në Parlament, natyrisht që ata do të ikin, do të shkojnë ta zëmë në Maqedoni, Indi apo diku tjetër. E di që situata politike është shumë e vështirë, polarizimi që është shkaktuar duhet të tejkalohet, sepse njerëzit duan të ushqehen, duan të kenë perspektivë për vende të reja të punës dhe kjo është shumë më e rëndësishme sesa çdo gjë tjetër. Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore, Kosova ka nevojë për 1.5 miliard euro investime të huaja për çdo vit, në mënyrë që të mundë të fusë në tregun e punës ata 30 mijë punëkërkues të rinj, të cilët për çdo vit hyjnë në tregun e punës në Kosovë. Sipas vlerësimeve të BQK-së, ne kishim gjatë vitit të kaluar vetëm 115 milion,ë që do të thotë një të dhjetën e asaj që është e nevojshme nga investimet e huaja. Kjo do të thotë se nuk mjafton fare për të krijuar vende të mjaftueshme të reja të punës. Unë kam parë se për 6 muaj të bllokimit kur nuk ka pasur një qeveri pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, në Kosovë nuk ka qenë e mundur të merren vendime në shumë fusha. Për këtë arsye është në interesin e këtyre njerëzve, kosovarëve, që diçka e tillë më të mos përsëritet. Kosovarët janë njerëz inteligjent dhe të zellshëm dhe natyrisht që meritojnë shumë më shumë sesa ngecjen dhe vendnumërimin. Për këtë arsye unë brengosem, duke pasur parasysh angazhimin tonë, nëse kjo situatë e krijuar tani nuk tejkalohet shumë shpejt, sepse politikanët duhet të mendojnë në mandatin e tyre dhe të angazhohen për interesin e qytetarëve, p.sh. në fushën e ekonomisë, pra të mendojnë në këtë kontekst të stabilitetit dhe ekonomisë. Ne kemi këtu një ambasadë të madhe dhe ne po punojmë shumë që Kosova të ecë përpara, që të ketë një situatë më të mirë, por për shumë plane dhe projekte na duhet që patjetër të ketë stabilitet.


