RCCOLA

Dështojnë sërish, shpresat tek “bosët”

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

As ditën e dytë të takimit në Bruksel ndërmjet ekipit të Prishtinës dhe atij të Beogradit, nuk është arritur pajtueshmëri rreth planit të zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi për normalizimin e raporteve ndërfqinjësore.Këtë e ka konfirmuar, zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi, i cili edhe e ka kryesuar delegacionin e Prishtinës. “Takimi ka përfunduar dhe nuk kemi arritur të kemi një plan për implementim”, tha Kuçi për “Zërin”.

Ai bëri të ditur se Komisionieri për Zgjerim, Fernando Gentilini, i cili po ndërmjetëson takimet e dy ekipeve, për të dytën herë ka ofruar palëve një draft se si Brukseli e sheh implementimin e marrëveshjes.Një draft është ofruar më 26 prill, kur edhe ishte takimi i parë mes palëve për gjetjen e një plani dhe drafti i dytë është propozuar të mërkurën.“Pala kosovare draftin e kaluar e ka miratuar por jo edhe serbët. Ndërsa në këtë takim vërejtjet tona kana qenë më së shumti tek integrimi i strukturave ilegale të sigurisë në veri”, tha Kuçi.

Ai sqaroi se pala kosovare dëshiron që ky proces të shkojë përmes procesi të konkursit, ndërsa pala serbe ka tjetër qasje. “Pala serbe po dëshiron që nga kjo marrëveshje të arrijnë marrëveshje tjetër. Ata po duan që të flasin për tema që nuk kanë të bëjnë me marrëveshjen e 19 prillit”, tha zëvendëskryeministri.
Megjithatë Kuçi nuk komentoi se çfarë përmban konkretisht drafti i BE-së, i propozuar në këtë takim, por ai tha se dy ekipet, po humbin kohë me takime që nuk po kanë sukses, kështu, sipas tij, takimi tjetër duhet të jetë mes dy kryeministrave, Thaçi dhe Daçiq.

“Duhet të arrijmë një pajtueshmëri sa më parë për zbatimin e marrëveshjes së arritur me 19 prill. Po ashtu mendoj se takimi i radhës duhet të jetë mes dy kryeministrave dhe baroneshës Catherine Ashton”, tha ai. Kuçi bëri të ditur se takimi i radhës do të mbahet më 21 maj.Ndërsa mediet serbe raportojnë se pse nuk po ka pajtueshmëri mes palëve për implementim të marrëveshjes ka të bëjë më shumë me atë se akoma qytetarët në veri nuk po binden për ta pranuar marrëveshjen.

Fundamenti

Për këtë ka folur të mërkurën në Prishtinë, edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili u bëri thirrje autoriteteve në Prishtinë që të vendosin komunikimin me serbët në veri dhe të mos ia lënë gjithë punën e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit në atë pjesë vetëm Serbisë.“Mendoj se nuk është vetëm Serbia ajo që duhet t’i bindë serbët në veri në lidhje me planin dhe marrëveshjen, ngase mendoj po ashtu se edhe njerëzit në Prishtinë duhet të vazhdojnë t’i inkurajojnë dhe mundohen t’i bindin ata se marrëveshja e arritur është në interesin e tyre”, ka thënë Zhbogar, pas një takimi që të mërkurën zhvilloi me kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa.

Në ndërkohë, rreth marrëveshjes dhe kërkesave të Serbisë për nisjen e temave tjera politike, është deklaruar edhe kryeministri Hashim Thaçi.Ai ka thënë se në shërbim të shtyrjes përpara të zbatimit të marrëveshjeve të arritura, mund të ketë edhe takime të tjera në nivel të lartë politik.“Do të mund të ketë edhe takime të tjera në nivel të lartë politik, në mënyrë që të fillojë sa më shpejt zbatimi, të ndryshojnë gjërat në terren dhe të krijohen kushtet e rrethanat për rend dhe ligj, të krijohen kushtet e rrethanat për demokraci, pluralizëm politik, zgjedhje të lira dhe për funksionimin e të gjitha institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e vendit”, ka thënë Thaçi.

Një porosi në drejtim të serbëve të veriut, e ka dhënë edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga. Ajo përmes një interviste dhënë për “Novi Magazin”, ka thënë të mërkurën se me këtë marrëveshje nuk humb askush, ndërsa ka shtuar se gjatë fazës së zbatimit, Kosova do të bëjë çdo gjë që është e mundur përfshirë edhe ndryshimet e nevojshme ligjeve dhe të rregulloreve.(zeri)