Dështimi i Qeverisë me zëvendësministrat

Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa ka hyrë në muajin e dytë të funksionimit të saj, por ajo vazhdon edhe më tutje të mos ketë zëvendësministra. Edhe pse partnerët e koalicionit PDK- LDK ishin zotuar se emërimi i tyre do të ndodhë shumë shpejt, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të problemeve në partinë e Isa Mustafës.
Zyrtarë të lartë nga Partia Demokratike e Kosovës e kanë fajësuar LDK-në për neglizhencë në emërimin e zëvendësministrave.
“Ne si parti jemi të gatshëm qysh sot t’i japim emrat për zëvendësministra. Mirëpo, në LDK kanë probleme dhe për shkakun e tyre nuk po ndodh një gjë e tillë”, ka thënë një zyrtar i lartë i PDK-së në kushte anonimiteti. Ky zyrtar i lartë i PDK-së e ka fajësuar LDK-në e Isa Mustafës për neglizhencë të panevojshme.
Ndërkaq, zyrtarisht nga PDK i kanë thënë Gazetës Blic se emërimi i zëvendësministrave do të ndodh shumë shpejt.
Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi para pak ditësh tha se shumë shpejt do të ndodh emërimi i zëvendëesministrave, mirëpo duke mos dhënë detaje tjera.
Në anën tjetër, nga LDK-ja nuk kanë dashur që të flasin zyrtarisht për këtë vonesë.
Ndërkaq, para pak ditësh ishte raportuar se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nuk është duke u ngutur me emrat e zëvendësministrave.
“Së pari për shkak të pakënaqësive që mund të ngjallen me emrat e zëvendësministrave, dhe arsyeja e dytë ka të bëjë me zgjedhjet e brendshme. Isa Mustafa është duke e menaxhuar situatën në atë mënyrë që në poste ekzekutive të emëroj njerëz që do ta mbështesin në garën për të parin e partisë”, i ka thënë Gazetës Blic një burim brenda LDK-së.
Isa Mustafa erdhi në krye të ekzekutivit pas arritjes së marrëveshjes me PDK-në e Hashim Thaçit, çka kishte ngjallur reagime dhe pakënaqësi të shumta në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Shtatë deputetë të kësaj partie, që bëjnë hiq më pak se 120 mijë vota, e votuan kundër Isa Mustafën për kryeministër. /Gazeta Blic/