Dështimi i parë i lidhjes LDK – PDK
Nga Enis Veliu – Dështimi në krijimin e komisioneve parlamentare në mungesë të votave që në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, prezanton shumë qartë ndarjen e thellë që kanë mes vete dy partnerët e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) si dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
E nëse bazohemi në atë fjalën e urtë që “Dita e mirë shihet në mëngjes”, atëherë pa dyshim mund të konkludojmë se vendin e presin ditë të këqija me probleme të mëdha.
Mungesa e konsensusit të përbashkët brenda koalicionit tregon që në fillim një “lidhje” jonatyrore mes dy partive më të mëdha politike e që në fakt kanë qëndrime dhe plan-program ekonomik të kundërt me njëra-tjetrën.
Në fakt për gjashtë muajt rresht të dyja palët nuk kursyen akuza ndër më të rëndat ndaj njëra-tjetrës, por në momentin e fundit pa dhënë shumë shpjegim për opinion lidhen marrëveshje për bashkëqeverisje, e ku vështirë se do të priten suksese.
Thaçi definitivisht nuk ka interes të zbatojë planin ekonomik të Isa Mustafës, por ai vetëm sa do të tentojë të blejë kohë deri në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen gjatë vitit 2016, e ku në bazë të marrëveshjes, ai (Thaçi) do të jetë president i vendit, dukë lënë anash kështu reformat zgjedhore që është folur shumë deri më tash.
Përfundimisht koalicioni qeveritar e kuptoi saktë se në Kuvend i ka vetëm 58 deputetë besnikë, aq vota sa mori për propozimin për formim të komisioneve, e jo aq sa ka de fakto me “letra”, pasi që disa kanë hequr dorë përfundimisht nga “petku” partiak, por ka dhe të tillë që vazhdojnë të qëndrojnë në kuadër të grupeve parlamentare LDK dhe PDK, por nuk po përkrahin propozimet e këtyre të fundit.
Po ashtu, gjatë rrugës kryeministrin Mustafa e presim punë dhe obligime shumë të mëdha e që do të ketë probleme t’i kalojë. Ai së pari do të sfidohet me krijimin e Gjykatës Speciale në vend e ku vështirë se do të ketë përkrahjen e deputetëve të partnerit të koalicionit. Po ashtu, së paku gjatë fushatave parazgjedhore ka pasur dallime të theksuara sa i përket punësimit dhe rritjes së pagave.
Thaçi ishte zotuar se rritja e pagave do të ndodhë sërish nga një janari i vitit që vjen nëse ai do të jetë kryeministër i vendit edhe për katër vjet të tjera. Por, në realitet një gjë të tillë vështirë do të mundë ta bëjë kryeministri Mustafa, duke ditur gjendjen e rëndë ekonomike, por edhe mungesën e mjeteve për ta mbuluar atë rritje.
Po ashtu sfidë për kryeministrin aktual do të jetë edhe punësimi i më shumë se 100 mijë personave, që po ashtu ka qenë një ndër premtimet kryesore që ai ka dhënë gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit nacionale në vend të cilat u mbajtën në qershor të këtij viti.
E nëse kryeministri aktual Isa Musfata përfundimisht nuk arrin t’i realizoj të gjitha ato premtime që i ka dhënë së paku gjatë fushatës parazgjedhore, atëherë spoti propagandistik elektoral “Isa Mustafa, premtoi, nuk e bëri, dështoi” i përgatitur nga Astrit Salihu, e i cili ishte kandidat për kryetar të komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e vitit 2009, pa dyshim se mund të përdoret si i plotë, pa ndërhyrë fare, edhe në zgjedhjet e tjera të rregullta që pritet të mbahen në vend gjatë vitit 2018.


