Dështimi i lidershipit kosovar e risjell UNMIK-un
Partitë e koalicionit PDK-LDK tregohen të papërgjegjshme. Misioni i riorganizuar me departament të ri
Derisa institucionet e Kosovës heshtin, zyrtarë të partive politike opozitare dhe ekspertë të fushës së sundimit të ligjit, të së drejtës kushtetuese, thonë se një rikthim i tillë i misionit të OKB-së në Kosovë dëshmon për dështimin e lidershipit kosovar në ndërtimin e shtetit
Derisa qytetarët e Kosovës, pavarësisht pakënaqësive që kanë me qeverisjen e dobët dhe gjendjen e vështirë ekonomike, po përgatiten të festojnë përvjetorin e tetë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në raportimet e ditës së djeshme në mediet vendore, ka qarkulluar lajmi sipas të cilit, vendi po rrezikon ta përjetojë një disfatë të madhe, pavarësisht përpjekjeve të mëdha për t`u legjitimuar si shtet i barabartë me shtetet e rajonit dhe të botës.
Sipas raportimeve në mediet kosovare, burime diplomatike në Nju- Jork kanë bërë të ditur se në komitetet funksionale të Asamblesë së Përgjithshme, ku bëhet rishikimi periodik i funksionimit të misionit të UNMIK-ut, po miratohet plani për riorganizimin e UNMIK-ut dhe ristrukturimin e tij, duke i rikthyer shumë nga kompetencat ekzekutive që ishin bartur te institucionet e Kosovës dhe tek EULEX-i pas shpalljes së pavarësisë dhe pas përfundimit të fazës transitore të pavarësisë së mbikëqyrur.
Sipas këtyre raportimeve, është thënë se plani i riorganizimit, që ka kaluar disa komitete dhe pritet që të kalojë edhe atë për buxhet, do të mundësojë që prej qershorit të këtij viti, UNMIK-i të krijojë Departamentin për Sundimin e Ligjit dhe Shërbime Korrektuese, shërbim i cili ka funksionuar deri në shpalljen ë pavarësisë së Kosovës. Sipas burimeve të medieve tona, një fuqizim i tillë nënkupton heqjen e kompetencave nga Misioni për Sundimin e Ligjit, EULEX-i./kosova sot/

