Dështimi i Berishës në Romë
Valmir Berisha ishte transferuar në Romë si një yll dhe e ardhme e sigurt e këtij klubi.
Madje, klubi “Giallorossi” mburrej me transferimin e futbollistit kosovar me pasaportë suedeze, të cilin e kërkonin rreth 50 klube.
Bile, sulmuesi kosovar konsiderohej si Zlatan Ibrahimovici i ri. Mirëpo, jo gjithçka shkoi sipas parashikimeve për 18 vjeçarin.
Së pari, pritja e gjatë për transfero, më pas vështirësitë e lidhura me gjuhën dhe ambientimin.
Pak paraqitje me Primavera (ekipi i të rinjve), vetëm një gol kundër Trapani dhe dy herë në bankinë me ekipin e parë: miksim i zgjedhjeve teknike, lëndime dhe ftesa në Kombëtare (së fundmi shënoi ndaj Italisë me ekipin U-21 të Suedisë).
Berisha me të vërtetë nuk e ka treguar as për së afërmi atë që është pritur nga ai.
Tri ditë më parë, ai e ka postuar një fotografi në Instagram, ku shihet në fushat e ish klubit të tij, Mjallby, duke i përqafuar pesë djelmosha.
Dhe, duket se futbollisti pejan nuk do të kthehet më në Itali prej aty. Ngase, ai mund të huazohet në ndonjërin nga klubet suedeze.
“Duam që Berisha të luajë më shumë dhe në vazhdimësi, në nivelet më të larta të mundshme. Kemi biseduar me Romën dhe ata kanë pranuar që të bashkëpunojmë për ta gjetur zgjidhjen më të mirë për zhvillimin e tij”, thotë menaxheri i futbollistit, Fabio Alho.
Berisha ka kontratë pesëvjeçare me Romën, ndërsa rroga e tij është 500 mijë euro në vit.
Valmir Berisha ishte shpall golashënuesi më i mirë në Botërorin U-17, ku i kishte shënuar shtatë gola për Suedinë./zeri/


