Mobi Casa

Dëshmon mjeku i Nazim Bllacës

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Mjeku që kishte trajtuar Nazim Bllacën pritet të dëshmojë të hënën. Ai do të merret në pyetje nga prokurorja e rastit dhe avokatët mbrojtës. Këta të fundit kanë propozuar Fatmir Xhelilin dhe Azem Sylën për të sqaruar rreth anëtarësisë së të akuzuarve në SHIK. Por ish-komandanti i UÇK-së nuk ka marrë ftesë për të dëshmuar.

Njëri nga ish-drejtuesit e Shërbimit informativ të Kosovës do të ulet në bankën e dëshmitarëve. Fatmir Xhelili pritet të heqë dilemat nëse të akuzuarit në rastin Bllaca II kanë qenë pjesë e SHIK-ut. Ky dëshmitar po ashtu do të sqarojë gjendjen shëndetësore të Nazim Bllacës. Ky i fundit është dëshmitar bashkëpunues në rastin për të cilin po akuzohen gjashtë persona për vrasjen e Ibush Kllokoqit në vitin 1999 dhe tentim vrasjen e Adem Salihajt në Ferizaj dhe Ismet Arifit në Prishtinë.

Xhelili është propozuar nga ana e mbrojtjes, propozim ky që u pranua nga kryetari i trupit gjykues. Se do të japë dëshminë në Bllaca II, e konfirmon vetë Xhelili. Ai tha për Express se të hënën prej orës 14 është ftuar që të jetë në gjykatore. “Po i jam përgjigjur pozitivisht ftesës që të dëshmoj në këtë rast”, tha Xhelili të dielën për Express.

Përveç Fatmir Xhelilit, avokati Ilaz Kadolli ka propozuar si dëshmitar edhe ish-komandantin e UÇK-së, tash deputet i Kuvendit, Azem Syla. Mirëpo në adresë të Sylës, nuk ka shkuar ndonjë ftesë për të dëshmuar në këtë rast. Syla tha për Express se nuk ka marrë ndonjë ftesë nga gjykata. “Jo, ende nuk kam marrë ftesë”, tha Syla të dielën.

Por ai nuk ishte në gjendje të thotë nëse do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së gjykatës për të dëshmuar në rastin ku emri i tij është përmendur me qindra herë. Në shqyrtimin kryesor kundër pesë të akuzuarve, Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla, Shaban Syla dhe Shpresim Uka, avokati Ilaz Kadolli ka thënë se dëshmitarët të cilët ai i ka propozuar, Azem Syla dhe Fatmir Xhelili, kanë të bëjnë me alibitë ndaj klientit të tij, Sadik Abazi.

Mobi Casa

Sipas Kadollit, emri i Azem Sylës është përmendur më së shumti gjatë këtij procesi gjyqësor. Ai pohoi se Nazim Bllaca ka thënë se arma me të cilën është vrarë Ibush Kllokoqi, ka qenë e Azem Sylës, andaj për këtë është e rëndësishme edhe dëshmia e tij. Ndërsa, sa i përket Fatmir Xhelilit, sipas avokatit, ai ka qenë ish-zyrtar i SHIK-ut dhe në disa raste është përmendur nga dëshmitari bashkëpunues me nofkën “Doktori”.

Sipas avokatit Kadolli, ish-zyrtari i SHIK-ut, Fatmir Xhelili, përveçqë mund të ndihmojë rreth asaj se kanë qenë apo jo të akuzuarit pjesë e SHIK-ut, ai po ashtu e ka pasur pacient Nazim Bllacën për një kohë prej dy muajsh dhe mund të japë detaje rreth kësaj. Nazim Bllaca, si dëshmitar bashkëpunues e ka përmendur shpeshherë emrin e Azem Sylës, si njeri që ka dhënë urdhra për të vrarë njerëz në emër të SHIK-ut. Në procesin e dytë që po mbahet në bazë të dëshmisë së Nazim Bllacës, janë të akuzuar Sadik Abazi, Driton Hajdari, Bekim Syla, Shaban Syla dhe Shpresim Uka. Së bashku me këta i akuzuar, është edhe Fahredin Gashi, por që procedura ndaj tij është veçuar për shkak të gjendjes shëndetësore.

Nazim Bllaca ka pranuar se me një armë “Skorpion’, në gusht të vitit 1999, ka vrarë Ibush Kllokoqin, para derës së shtëpisë së tij në Prishtinë. Për këtë rast, Bllaca ka implikuar edhe shokët e “grupit”, Fahredin Gashin, Shpresim Ukën dhe Sadik Abazin, ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë dhe po vazhdon procesi gjyqësor. Përveç këtyre të treve, Bllaca ka implikuar Shaban dhe Bekim Sylën dhe Driton Hajdarin edhe në tentim vrasjen e Adem Salihajt dhe Ismet Arifit. Në një proces tjetër gjyqësor, Fahredin Gashi është dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e Sali Gashit, ku dëshmitar kryesor ishte Nazim Bllaca.

Bllaca është shpallur dëshmitar bashkëpunues nga gjykata pasi që në nëntor të vitit 2009, në një deklaratë publike, ka pranuar se ka kryer krime pas luftës si ish-pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës.