Eko Higjiena

Dëshmitari i vrasjes së një qyteti

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Bejtush Isufi – Edhe mëngjesin e sotëm i kishte kthyer shpinën banesës së tij dhe lëvizte po asaj rruge së cilës kishte kaluar me qindra e mijëra herë… I hidhte hapat njërin pas tjetrit dhe dëshironte të bindej se rruga dhe qyteti, po edhe ai vetë ishin po të njëjtit e ditës dhe mbrëmjes së mëparshme, por vetja nuk i bindej se nuk i bindej… Andaj u pajtua se qielli i asaj dite kishte hapur tjera dyerë, tjera dritare… Dhe sikur të shkelte për herë të parë në trotuaret e këtij qyteti po fiksonte gjithçka, siç i ngjan një të huaji… Po ri-zbulonte të gjitha kubëzat e qara, dritaret e pluhërosura dhe degët e thyera të drunjëve…

Nuk mund të jetë ky qyteti im i lindjes sikur donte ti kundërshtonte dikujt- sepse nuk kishte kaq shumë shëmti dhe gjithë këto plagë atij nuk do të mund ti shkaktoheshin kaq shpejt…dhe papritmas.
Ashtu siç dallojmë gjithçka nga krahasimet, edhe kësaj radhe po i mbante në duart e tij dy skajet e kësaj ndjenjeje, adhurimi i djeshëm apo zhgënjimi i sotëm?!

Kaluan shumë kohë dhe ai filloi të shohë gjithë një e më qartë dhe të ndjej gjithnjë e më pak… Zemra po i dobësohej, ndërsa përkundrazi i ngjante me sytë, si për hakmarrje ata arrinin të zinin të gjitha të zezat e botës që kishin pllakosur këtë qytet, këpucën në trotuar, brekët e vendosura në verigë për tharje, merimangat, shpezët e ngordhura në rrugë…Dhe flamujt e zhubrosur e të nxirë nga pluhuri që ende valëviteshin në një qytet që dukej si i braktisur kaherë nga një luftë e humbur përgjithmonë.

Po ashtu si kur nuk mund të pajtohemi lehtë me pamjen tonë nga pasqyra, ai deshi të shkëputej nga pamjet e nga mendimet e zymta dhe dyshoi se ndoshta ndjenjat e tilla vinin nga mosha e shtyrë, e cila po e befasonte me gjëra të reja…

Gjithë jetën e tij kishte dashur, çmuar dhe ishte frymëzuar nga dashuritë e të tjerëve për vendet e tyre dhe kishte besuar se edhe ky i takonte këtij grupi njerëzish, se kishte dashurinë për dheun e prindërve dhe fëmijëve të tij…. E sot? Një mendim vetëtimthi i iku në një skaj të errët të trurit dhe u dridh nga përballja se ai ndoshta po ikte prej këtyre njerëzve të lumtur…

Nuk dinte të fshihte gëzimin e pikëllimin sepse fytyra e tij dëshmonte për të gjitha kthesat… frikësohej se që në hapin e parë të gjithë do ti lexonin shpirtin e thyer në dysh…

Ai nuk e kishte besuar kurrë, e madje edhe po të rrokullisej bota, se do të mund të mos shprehej me fjalët më të zgjedhura për qytetin e tij të lindjes…

ARKATANA

Edhe shpirti e edhe shqisat e tij sikur kishin ngritur shtizat e luftës në mes tyre dhe aty pastaj mbërthehej e kaluara dhe e ardhmja… ziheshin dhe përballeshin dhembja e të sotmes me mallëngjimin për të djeshmen, frika për fëmijët me përgjegjësinë për atdheun, ndërgjegjja e prindit me nderin e qytetarit…

Këto dhe mendime tjera e kishin futur në një lloj labirinthi nga i cili dyshonte se do të mund të gjente daljen…

Nuk ishin më ato të vërtetat e mëdha në mes të cilave ai ndjehej i sigurt si në dritën e diellit, e i qetë si në shtëpinë e tij… tani kish nisur një erë e fuqishme që po i thyente drunjët dhe mbyllte rrugët me gurë…

Më në fund mendoi se kishte mbledhur arsyen dhe përqendruar sytë, por e kotë, askund nuk dukeshin pamjet e bukura të së djeshmes…Ajo dritarja e qiellit ishte ende e hapur, ndërsa të ftohtit kish depërtuar thellë në zemër, sytë ishin liruar nga pesha e dashurisë dhe tani ata po shinin më qartë…Dhe ajo që tani dukej e dëgjohej ishte një botë tjetër, e panjohur dhe e ftohtë. Trualli i një botë tjetër ku këmbët e tij duhej të ndalonin dhe preknin, sytë e tij të shihnin dhe veshët e tij të dëgjonin… sikur një turist i rastit që kishte humbur fluturimin dhe pa dashje duhet të fiksoj gjithçka si me gjilpër, vetëm sa për të mbytur kohën.

Ngadalë dhe këmba- këmbës, rrëshqiste rrugës prej nga kthehej ti takonte fëmijët dhe gruan, por frikësohej se ata do të mund ta hetonin se ai kishte shtegtuar një toke të panjohur dhe të frikshme.

Duke ngjitur shkallët sërish ju shfaq para syve fusha e braktisur e betejës e cila e priste për ballafaqimin e ardhshëm dhe e kuptoi se ky ankth do ta ndiqte edhe sonte si peshkaqeni prenë./rajonipress/