Hidromorava

Deputeti shqiptar fuqizon pozitën e diasporës në Maqedoni

/ 10 minuta lexim
Eco Higjiena

Ismail Beluli, afarist në Zvicër, ka kandiduar për herë të dytë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni për deputet nga diaspora. Biznesmeni nga Gostivari thotë se nëse i fiton zgjedhjet do të jetë dora e shtrirë e mërgimtarëve në institucionet e Maqedonisë.

Intervistë me Ismail Belulin, kandidatin e BDI-së, i cili garon për një ulëse nga diaspora në Parlamentin e Maqedonisë në zgjedhjet e prillit

Ismail Beluli, afarist në Zvicër, ka kandiduar për herë të dytë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni për deputet nga diaspora.

Biznesmeni nga Gostivari thotë se nëse i fiton zgjedhjet do të jetë dora e shtrirë e mërgimtarëve në institucionet e Maqedonisë.

Në një intervistë për albinfo.ch, kandidati nga radhët e BDI-së thekson se këtë herë kanë sensibilizuar më mirë mërgimtarët për zgjedhjet e prillit, duke i paraqitur ato si kombëtare si në rastin me fitoren e komunës së Kërçovës.

Beluli pohon se i njeh më mirë hallet e mërgimtarëve sesa partia e tij që e ka kandiduar. Politikani shqiptar nga Maqedonia thotë se me fitoren e zgjedhjeve do të bëhet faktorizimi i diasporës shqiptare.

Albinfo.ch: Po kandidoheni për herë të dytë në garën për deputet të diasporës, çka do të ndryshoni në strategjinë në këto zgjedhje të parakohshme të prillit?

Ismail Beluli: Të them të drejtën, edhe më 2011 nuk ka ndodhur që kemi humbur për shkak të pozicionimit apo strategjisë, por nga mossyçelësia dhe mosangazhimi i njerëzve në diasporë, por më se shumti i kompetentëve që merren me çështje juridike për zbulimin me kohë të defekteve që rezultuan me pamundësinë që qytetarët të regjistrohen në listat e votimit, që të fitojnë të drejtën të votojnë në përfaqësitë konsullore dhe diplomatike të Maqedonisë në vendet e Evropës.

Albinfo.ch: Po doni të thoni se ishte kohë e shkurtër për t’u regjistruar në listat e votimit ?

Ismail Beluli: Për të mobilizuar tërë diasporën nevojitet më shumë kohë në një territor të madh të Evropës, ku është përqendruar diaspora shqiptare. Qytetarët duhet të kontaktohen, të njoftohen për mënyrat e votimit dhe për ofertën të cilën e ofron deputeti i diasporës. Vështirë është të përfshihen të gjithë në listat e votuesve. Nga shpallja e datës së zgjedhjeve ne po kontaktojmë anekënd Evropës për t’i takuar mërgimtarët, por për t’i përfshirë të gjithë nevojitet më shumë kohë dhe kontaktet me mërgimtarët mund të jenë të mundshme vetëm gjatë vikendeve për shkak të angazhimit të tyre. Kemi zhvilluar turne duke filluar nga Gjermania, në qytetet Berlin, Hamburg, Dortmund, Leverkuzen, Munhen. Kemi kaluar nëpër disa qytete në Belgjikë e Itali.

Albinfo.ch: Po bëhet fushatë sikur për zgjedhjet lokale, por si duket, këtë herë nuk do të jetë i pranishëm lideri i partisë në diasporë, Ali Ahmeti?

Ismail Beluli: Lideri i partisë nuk do të vijë në diasporë, por është zëvendësuar nga të deleguarit e tij që janë dërguar në terren. Ngjason me zgjedhjet lokale për marrjen e qytetit të Kërçovës. Bëhet fjalë për një mobilizim total. Jemi të mirëpritur nga qytetarët kudo që shkojmë dhe i takojmë. Gjithashtu po përshëndetet angazhimi i aktivistëve të partisë për informim. Është bërë thirrje gjithkund në diasporë që të mos lëshohet ky shans, duke përsëritur 2011-ta. Pra, janë bashkuar thirrjet dhe premtimet e aktivistëve dhe mërgimtarëve gjithkund nëpër Evropë.

Albinfo.ch: Po pse duhet kaq shumë mobilizim, a nuk janë të vetëdijshëm qytetarët në diasporë që mund të humbin sërish një ulëse nga diaspora në Parlamentin e Maqedonisë. A nuk ishte mësim viti 2011? Apo janë të zhgënjyer nga premtimet e politikanëve në Maqedoni?

Ismail Beluli: Natyrisht në diasporë mungon edhe informimi i gjithanshëm i mërgimtarëve për procesin zgjedhor. Qytetarët kanë pritur të jenë zgjedhje të rregullta, e këto janë të parakohshme. Mund të jetë edhe nga mosinteresimi i mërgimtarëve apo edhe nga neglizhenca. Arsyet janë të ndryshme pse informacioni nuk depërton te mërgimtarët.

Albinfo.ch: A mund themi se është bërë koalicion në heshtje ndërmjet BDI-së dhe PDSH-së, meqë kjo e fundit nuk ka kandiduar asnjë kandidat në diasporë?

UBT

Ismail Beluli: Meqë unë i takoj diasporës dhe veproj këtu, nuk marr mbi supe të flas për koalicionet e partisë që më ka kandiduar dhe të partive të tjera në Maqedoni. Sido që të jetë, është bërë një unifikim i votës së shqiptarëve në diasporë. Është bërë një thirrje që të fuqizohet zëri i shqiptarëve në Parlamentin e Maqedonisë që të kemi ndikim në zhbllokimin e heshtjeve, si: p.sh. integrimin e vendit në organizmat ndërkombëtarë, në NATO dhe BE, e që është parakusht për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit.

Albinfo.ch: Çka ka ndryshuar në planprogramin tuaj të para 3 vjetëve, çka do t‘i ofroni diasporës nëse zgjidheni deputet në Parlamentin e Maqedonisë?

Ismail Beluli: Këtë institucion të deputetit e shoh në dy rafshe: në atë vendor, duke fuqizuar votën e shqiptarëve në legjislativin e vendit dhe në aspektin e dytë, në përmbushjen e kërkesave të shqiptarëve në diasporë. Në aspektin e parë kemi më shumë fuqi për të vendosur me më shumë mandate deputetësh dhe në koalicione, ndërsa në rrafshin e dytë ne duhet të kemi parasysh nevojat dhe kërkesat e popullatës në diasporë që më nuk mund të llogariten si punëtorë krahu, por tashmë që kanë kaluar shumë gjenerata në mërgim dhe kanë nevoja nga më të ndryshmet karshi vendit të origjinës.

Albinfo.ch: A jeni në dijeni me problemet dhe hallet që kanë mërgimtarët?

Ismail Behluli: Meqë unë jetoj dhe i përjetoj këtu nevojat e tyre, e shoh vetën si një dorë e shtrirë mes qytetarëve të diasporës në institucionet e vendit. Do të kemi parasysh ndryshimin e gjendjes në vend, duke garantuar investimet e jashtme, në këtë rast të mërgimtarëve. Asnjë investitor i jashtëm nuk do të vijë në Maqedoni nëse një vendës ka kapacitet për investime dhe nuk investon në vendin e vet. Por, asnjë investitor i jashtëm nuk do të vijë edhe përkundër angazhimeve për thithjen e tyre nëse nuk garantohet kapitali i tyre në atë vend. Mund të jetë një numër i vogël i qytetarëve që janë në gjendje për të investuar në vend, por përqindja e madhe e qytetarëve jashtë vendit kanë nevoja nga më elementare: siç janë ruajtja e identitetit kombëtar, fetar, gjuhës, kulturës dhe traditës, në pamundësi për të intervenuar direkt në legjislativin e vendit. Nuk mund të vazhdojmë me të njëjtën logjikë si deri tani, p.sh në Zvicër janë 5 arsimtarë në gjuhën maqedonase dhe një shqiptar, që duhet të jetë e kundërta. Sipas statistikave zvicerane, janë mbi 60 mijë qytetarë të Maqedonisë, 90 për qind prej tyre shqiptarë.

Albinfo.ch: Po, pse nuk ka funksionuar deri tani, partia që ju ka kandiduar ka edhe zëvendësministrin e Arsimit? Ministria e Arsimit nuk ka dërguar mësues shqiptarë në diasporë. Pse të ndodhë kjo kur nuk është proporcion me numrin mërgimtarëve shqiptarë me atë maqedonas?

Ismail Beluli: Pikërisht këtë kërkesë nuk do ta dërgoj përpara vetëm në parlament, por edhe në partinë të cilës i takoj. Si deputet nga diaspora nuk mund të bëj asgjë pa mbështetjen e deputetëve shumicë në Parlamentin e Maqedonisë që të ndikohet në vendimmarrje për këto çështje mjaft me rëndësi për qytetarët që jetojnë jashtë vendit.

Albinfo.ch: Do të thotë, ju do të jeni më i zëshëm edhe brenda partisë?

Ismail Beluli: Shumë e saktë. Duhet sqaruar edhe partisë kërkesat dhe nevojat e diasporës që vijnë nga njerëz që jetojnë jashtë vendit.

Albinfo.ch: Si ka rrjedhur fushata për informimin e mërgimtarëve për t’u regjistruar në listat zgjedhore?

Ismail Beluli: Zgjedhjet në diasporë i kemi paraqitur si një garë kombëtare, ngase po zhvillohet mes dy etniteteve. Ne kemi lutur qytetarët që deri më 30 mars të regjistrohen në listat e votimit që të fitojnë të drejtën për të votuar më 26 prill për deputetin e tyre në diasporë. Ne në asnjë mënyrë nuk kemi prezantuar ngjyrat partiake në tubimet me mërgimtarë, duke ndikuar që ata të vendosin kujt do t’ia japin votën në diasporë. Por, vetëm janë informuar sesi të regjistrohen, duke bërë thirrje për unifikimin e votës dhe faktorizimin e shqiptarëve në diasporë.

Albinfo.ch: Edhe këtë herë jeni dy kandidatë shqiptarë në diasporë, a do të thotë se rrezikoni një vend në parlament nga diaspora si më 2011?

Ismail Beluli: Është absurde të kërkohet që vetë të jem kandidat. Nëse dikush argumenton kandidaturën me bindjen se do të fitojë shumë vota, atëherë është e arsyeshme të shkohet me më shumë kandidatë. Përndryshe, do të bie përgjegjësia mbi subjektet politike dhe kandidatët, të cilët edhe përkundër bindjeve se do të fitojnë nuk ia arrijnë, por sjellin vetëm përçarjen e elektoratit shqiptar në diasporë duke ia mundësuar fitoren kandidatit maqedonas. Për këtë do të jenë bindëse argumentet se kush e ka dëmtuar faktorizimin e diasporës shqiptare të Maqedonisë, do të flasin votat në fund.

Albinfo.ch: Pas zgjedhjeve të 2011-ës është kritikuar diaspora për mosinteresim për të votuar. Prej asaj kohe a keni analizuar pse i humbët zgjedhjet e 2011-ës në diasporë?

Ismail Beluli: BDI asnjëherë nuk e ka akuzuar diasporën për mosmobilizim, edhe tash njerëzit dhe aktivistët kanë pranuar se faji ishte i partisë dhe pikërisht nga ajo që kanë mësuar nga 2011 po veprojnë tani. Atëherë ishte jo shumë e njohur edhe për partinë. Ne kemi humbur shumë kohë duke pritur një kandidat nga diaspora për të evituar politizimin dhe në momentin kur e kemi parë se nuk mund të organizohen me një kandidat të tyre, atëherë kemi propozuar kandidatin e BDI-së. Kësaj here është vepruar kështu në Amerikë, por jo edhe në Evropë. Këtë herë jemi shumë të mobilizuar. Janë formuar shtabet zgjedhore dhe njerëz që do të përkujdesen për dërgimin e formularëve në Maqedoni. Pala maqedonase është shqetësuar për mobilizimin e shqiptarëve në diasporë./Sevdail Tahiri/