Deputetët pa mundësinë për ta votuar Projektligjin për Specialen
Qeveria dhe Kuvendi kanë gjetur një zgjidhje kompromisi për mënyrën se si të zhbllokohet procesi i vendimmarrjes për amendamentet kushtetuese, të cilat krijojnë bazë për themelimin e Gjykatës Speciale, shkruan sot Koha Ditore.
Kuvendi është informuar me Projektligjin për këtë gjykatë, por pa të drejtën për ta vënë në votim përnjëherë me amendamente.
Rreth një muaj më parë, me propozim të subjekteve në pushtet, është shtyrë seanca për amendamentet, me arsyetimin se deputetët nuk e posedonin para vetes edhe Projektligjin për Specialen.
Ishte arsyetim formal, ngaqë shtyrja qe bërë në mungesë votash. Megjithëkëtë, Kuvendi i qëndroi pas arsyetimit dhe ishte përcaktuar që, kurdo që t’i verë amendamentet në rend dite, ta qesë para deputetëve për votim edhe Projektligjin. Qeveria nuk e ka përfillur këtë kërkesë, pasi ka vlerësuar se pa u bërë ndryshimet kushtetuese ligjërisht nuk mund ta procedojë për votim Projektligjin.
Kësisoj, të premten Projektligji nuk është proceduar për t’u votuar, por vetëm që deputetët të informohen me përmbajtjen e tij.
http://koha.net/?id=27&l=62833


