Eko Higjiena

Deputetët kërkojnë paga më të mira për mjekët, 150 çdo vjet kërkojnë largim nga Kosova

/ 5 minuta lexim

Pagat e ulëta në Kosovës kanë shtyrë numër të madh të profesionistëve shëndetësorë që të largohen nga vendi, duke shkaktuar kështu edhe mungesë të stafit në shumë klinika e spitale, raporton Ekonomia Online.

Në këtë drejtim ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në një intervistë për Ekonomia Online, tha se Qeveria është treguar e paaftë sa i përket miratimit dhe kompletimit të strategjisë legjislative.

Zemaj shtoi se nëse nuk ka kompletim të infrastrukturës ligjore, mos përkrahje me paga dhe nëse nuk ka shkollim adekuat, atëherë edhe ikja është e pashmangshme.“Qeveria është treguar e paaftë sa i përket miratimit dhe kompletimit të strategjisë legjislative. Vitin e kaluar më shumë ka qenë ndërhyrje kozmetike sesa në përmbajtje. Në këtë rrafsh jemi munduar të kontribuojmë edhe ne si opozitë. Nëse nuk ka kompletim të infrastrukturës ligjore, nëse nuk ka përkrahje me paga dhe nëse nuk ka shkollim adekuat dhe nëse nuk krijohet një klimë e përkrahjes së profesionistëve shëndetësor atëherë edhe ikja është e detyrueshme dhe mjekët kërkojnë kushte, punë dhe pagë më të dinjitetshme dhe respektim të dinjitetit të tyre në vende të tjera perëndimore”, tha ai.

Ai thotë se në vazhdimësi kanë kërkuar përgjegjësi sa i përket listës së pritjes dhe mungesës së barnave në gjithë sistemin shëndetësor, por që ka shkuar në vesh të shurdhër.

Prandaj sipas tij, është koha që Ministria e Shëndetësisë të rikthejë vëmendjen në menaxhimin adekuat dhe përkrahjen e profesionistëve shëndetësor me paga dhe benefite.“Kjo është arsye që e kemi ngritur në vazhdimësi listat e pritjes, mungesën e barnave në mënyrë enorme, keqmenaxhimi që ndodh edhe në kuptimin menaxherial se po mungon mbikëqyrja nga Ministria e Shëndetësisë duket që është krijuar një lloj distance dhe për këtë arsye po pësojnë pacientët tanë. Duhet të ketë një rikthim të vëmendjes edhe në menaxhim adekuat pavarësisht arsyetimit të pandemisë tash është situata më e lehtë dhe nuk arsye që gjendja të jetë kaq e keqe në klinikat tona dhe spitalet tona për shkak të keqmenaxhimit dhe mos përkrahjes ndaj tyre edhe në paga dhe benefite tjera”, tha Zemaj.

Fundamenti

Kurse Deputeti i VV-së, Burim Meta tha se kanë marrë ankesa pritjet të gjata për marrjen e shërbimeve nga qytetarët në QKUK.Meta foli edhe për rritjen e çmimit të barnave, duke shtuar se nuk ka ngritje ekstreme në krahasim me artikujt tjerë.“Sa i përket rritjes së fryrjes së listave të pritjes për marrjen e shërbimeve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ndajmë të njëjtin shqetësim edhe ne deputet. Kemi thënë që nuk do të kishte asnjë arsyeshmëri për këtë rritje të listës së pritjes duke pasur parasysh se me kohë janë shtuar edhe kapacitet. Kështu që po presim që ShSKUK bashkërisht me drejtorin dhe bordin e saj të marrin këtë punë me seriozitet dhe natyrisht me aktivitete edhe jashtë orarit të shtunave dhe të dielave në mënyrë që qytetarët tanë të mos presin”.

“Sa i përket rritjes së çmimit të barnave nuk është që ka rritje ekstreme të çmimit të barnave në krahasim me artikuj tjerë. Po presim që ministria e shëndetësisë e cila është duke punuar intensivisht në përpilim në paketimin e ligjit i cili përcakton standardizimin e çmimeve dhe do të aprovohet me shpejtësi në mënyrë që të bëhet standardizim edhe në mes të barnatoreve”, tha Meta.

Ndërsa sa i përket Ligjit për shëndetësi, sigurime shëndetësore dhe transplantimin e organeve, Meta theksoi se do të vijnë shumë shpejt për miratim në Kuvend. “Këtë vit po se po se po. Sistemi informativ shëndetësor që i paraprinë sistemit të sigurimeve dhe ai ligj të vie shumë shpejt duke pasur parasysh që edhe për standardizimin e çmimeve të barnave do të vie shumë shpejt. Ministri ka qenë në takime jashtë vendit dhe ka marrë mbështetjen të përkrahen departamente të veçanta të shëndetësisë. Po shpresojmë që këto të jetësohen shumë shpejt dhe kemi vërejtur që me një angazhim dinamik të ministrit. Shpresojmë që ministri të shtoj aktivitet e tij”, tha ai.Karameta shtoi se nga informacionet që kanë marrë nga Oda e Mjekëve 150 mjekë në vit diplomohen dhe po aq është numri i atyre që dëshiroj të largohen nga Kosova.

Sipas tij, shkak për këtë është çështja e pagave të ulëta, raporton EO.“Kjo është një informatë jo e mirë. Konkretisht mund të them që nga Oda e Mjekëve thuhet që 150 mjekë në vit diplomohen dhe po aq është numri i atyre që dëshiroj të largohen. Është hapur dera për mjekë kosovar duke pasur parasysh cilësinë e tyre të cilët tregojnë në ushtrimin e detyrës. Po ikin për shumë arsye çështja e pagave, mirëqenia që Gjermania e ofron shumë më shumë sesa që e ofrojmë ne”, tha Meta.