RCCOLA

Deputetët e PDK-së presin “gjunjëzimin” e Thaçit

/ 5 minuta lexim

Partia e Hashim Thaçit bart përgjegjësinë kryesore për dështimin e aprovimit të amendamenteve kushtetuese që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, për shkak se deputetë të kësaj partie nuk i janë bindur “urdhrave” të liderit të partisë për të aprovuar Specialen.

Ndonëse herën e parë Kuvendi i Kosovës nuk arriti të miratojë Specialen, megjithatë Qeveria nuk do të heqë dorë nga synimi për t’i aprovuar Dhomat e Specializuara.
Zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, u shfaq optimist se deputetët e partisë së tij do të “korrigjojnë gabimin” dhe do të mundësojnë krijimin e Speciales. “Në votimin e radhës, besoj se Kuvendi do të miratojë ndryshimet kushtetuese”, ka thënë ai, derisa ka përmendur se vendi gjendet para dy mundësive, ose të votojë herën tjetër vetë Gjykatën ose kjo mund të imponohet dhe KS i OKB-së.

Nga 88 deputetët të Kuvendit të Kosovës sa kanë qëndruar në sallë, 75 prej tyre kanë votuar në favor të krijimit të Gjykatës Speciale, derisa 7 deputetë nga PDK-ja, subjekt ky që është partner i koalicionit me LDK-në, kanë votuar kundër, 2 të tjerë kanë abstenuar dhe 4 të tjerë nuk kanë marrë pjesë fare në votim.

Votat e deputetëve të PDK-së kanë bërë që të dështojë aprovimi i Gjykatës Speciale. Por, vetëm pak ditë pasi Kuvendi nuk arriti t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, deputetët “rebelues” nga PDK-ja që me votën e tyre i kanë thonë “Jo” Speciales hezitojnë të flasin nëse edhe herën e dytë do të mbajnë të njëjtin pozicion kundërshtues.

Deputeti i PDK-së, Rafet Rama, i cili të premten e kaluar votoi kundër Speciales, nuk ka dashur të zbulojë qëndrimin e tij të ardhshëm karshi kësaj Gjykate.
“Të shohim për herën tjetër, është ende herët të flitet”, ka thënë ai. Deputeti Rama nuk e ka përjashtuar mundësinë se qëndrimi i tij mund të ndryshohej herën tjetër, kur në Kuvend të Kosovës do të mundë të procedohen amendamentet kushtetuese.
“Nuk e di çka të them, s’kisha mundur të jap një mendim tash, por të shohim se çfarë do të ndodhë më vonë, deri në momentin e caktuar”, ka thënë ai.

I pyetur nga gazeta “Zëri” se pse doli kundër qëndrimit të GP të partisë së tij, kur kihet parasysh fakti se PDK-ja publikisht i ka dhënë mbështetje krijimit të Gjykatës Speciale, ai tha se deputeti ka të drejtë të votojë ashtu sikurse mendon.
“S’ma ka marrë mendja me votu dhe s’e kam votu”, ka thënë ai.

Fundamenti

Ndërkaq, ai ka bërë të ditur se pas dështimit të Kuvendit të Kosovës nuk ka pasur ndonjë takim me shefin e partisë, Hashim Thaçin, derisa thekson se para votimit, kreu i PDK-së u ka kërkuar deputetëve të tij që ta votojnë Gjykatën Speciale. “Nuk është çështje që ne nuk e kemi përfillur sugjerimin e liderit, por ishte mendim i imi që duhet të votojë kundër”, tha Rama.

Ndërkaq, bashkëpartiaku i tij, deputeti Fadil Beka, i cili po ashtu doli të jetë në mesin e deputetëve “rebelues”, duke mos përfillur qëndrimin e grupit parlamentar të partisë dhe duke votuar kundër Gjykatës Speciale, me të kuptuar pyetjen e gazetës nëse herën tjetër do të votojë pro apo kundër Gjykatës, ai nuk ka qenë i gatshëm që të deklarohet.
“Po më vjen keq, por s’mund ta jap një mendim meqenëse jam këtu në katund me kallaballëk. Shihemi ndonjë herë tjetër”, ishte përgjigja e tij.

As deputetja Xhevahire Izmaku, e cila të premten e kaluar votoi kundër Speciales, nuk e ka të qartë nëse sërish do ta kundërshtojë, apo do të ndryshojë qëndrim.

“Këtë çështje ia kisha lënë kohës, pasi është herët për ta komentuar. Së pari nuk e di se si do të procedohet, por këtë përgjigje mund ta jap vetëm pasi ta kem një takim me liderin”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse është e nevojshme që lideri i partisë t’i bindë deputetët e tij, ajo tha se nuk është çështje që deputetët duhet t’i binden liderit, por tha se “ekziston respekti dhe kemi një hierarki në parti”. Megjithatë, Izmaku nuk kishte një përgjigje konkrete për veprimin e ardhshëm të saj. “S’kam përgjigje konkrete”, tha ajo.

Ndërkohë, derisa disa deputetë të PDK-së janë në dilema nëse herën tjetër do ta kundërshtojnë sërish, deputeti Nait Hasani, Fadil Demaku e Ganimete Musliu është e sigurt se do të votojnë kundër.