Fundamenti

Deputetët dyshojnë në shkollën e spiunëve

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dyshojnë në shkollat e agjentëve të AKI-së.Kryetari i Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Florin Krasniqi, pas mbledhjes së këtij komisioni, i cili ishte i mbyllur për gazetarët, ka thënë se do të kërkojnë dosjet e njerëzve të punësuar në inteligjencë, për faktin se siç tha ai, aty dyshohet se janë punësuar njerëz pa fakultet dhe njerëz me diploma të falsifikuara.

Ndonëse takimi i këtij komisioni mbajtur të mërkurën ishte i mbyllur për media, anëtarët e saj thanë disa fjalë pas takimit, për gazetarët.Ai ka bërë të ditur se të mërkurën e ardhshme anëtarët e këtij komisioni do të vizitojnë AKI-në për çështjen e diplomave.“Janë disa dosje që ne dyshojmë që njerëzit janë marrë në punë pa diploma, kanë falsifikuar dokumente, këtu ka vetëm dyshime. Ne si komision do të shkojmë t’i shohim dosjet e disa zyrtarëve të Agjencisë për të cilët ka dyshime që janë pranuar në punë jo sipas procedurave…, atëherë ata shkarkohen, se çka ndodh mandej është çështje e Agjencisë”, tha Krasniqi.

Në këtë mbledhje ka raportuar edhe kryeinspektori i AKI-së, Agron Selimaj. Megjithatë, ai nuk pranoi që të flasë për gazetarët.Gjatë kësaj mbledhjeje, është diskutuar edhe lidhur me zëvendësministrin e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK), Sllavisha Filipoviq, për të cilin thuhet të ketë dhënë informacione në Serbi për FSK-në.Sipas komisionit, kjo ka ndodhur në vitin 2011 dhe se të gjitha institucionet kanë qenë të informuara me kohë.

Hidromorava

Nënkryetari i komisionit, Fadil Demaku, tha se AKI-ja kishte informata për këtë zëvendësministër edhe para se të flitej në media.“Në bazë të informacioneve që kam unë, AKI e ka ditë për këtë. Kjo çështja ka ndodhur në vitin 2011 dhe të gjitha organet janë njoftuar me kohë”, tha ai.Por kryetari i komisionit, Krasniqi nuk deshi të japë detaje rreth asaj që është biseduar në takim. Sipas tij, kjo çështje i mbetet prokurorisë dhe nuk është për publikun.

“Tash për tash dërgimi i emaileve dhe komunikimi është mënyra më e mirë për të spiunuar, dhe unë mendoj që nëse ka bazë ligjore, atëherë prokuroria duhet vepruar jo ne. Kodi Penal e qartëson saktë se çka ndodh me atë që spiunon”, tha ai.Një tjetër pikë e diskutimit ka qenë edhe rekrutimi i anëtarëve të AKI- së, ku sipas anëtarëve të komisionit është kërkuar që AKI të mos rekrutojë staf me konkurs të vitit 2009, për shkak se ia mohon të drejtën dikujt të konkurrojë tani.

Dhe çështja tjetër që është biseduar brenda takimit janë rastet e fundit, siç janë ai i plaçkitjes dhe shkarkimi i një drejtori të kësaj agjencie në Gjilan, por detajet nuk u shpalosën për media.(zeri)