Uji Dea

Deputetë e ministra të pasur me pension

/ 4 minuta lexim

Zyrtarët shtetërorë përveçqë mbajnë poste të larta në institucionet e Kosovës, përfitojnë edhe pensione nga shteti. Por ndryshe nga ta qytetarët nuk po arrijnë t’i gëzojnë përftimet e ngjashme, meqenëse shteti ua ndalon pensionet e dyfishta. Në bazë të të dhënave zyrtare, vetëm gjatë muajit tetor Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (MPMS) ua ka ndaluar përfitimet e dyfishta të pensioneve 192 personave, shkruan “Zëri”.

Deputetët Bekim Haxhiu, Anton Quni, Enver Hoti e Shkumbin Demaliaj kanë deklaruar pasuri qindra mija eurosh në formularët e pasurisë së Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Por në regjistrat e deklarimit të tyre figurojnë edhe pensionet invalidore e të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), nga të cilat duket se nuk heqin dorë pavarësisht të ardhurave tejet të qëndrueshme.

Mbi 300 mijë euro kap vlerën vetëm pasuria që ka në pronësi deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu. Ndërsa nuk qëndron keq as me të ardhurat e tij. Haxhiu merr tri paga dhe një përfitim invalidor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës prej 3 mijë e 825 eurosh. Paga e tij vjetore nga Kuvendi shkon në 16 mijë e 612 euro.

LEXO EDHE: Paralajmërohet zgovëlimi i Ministrive në Kosovë

Por këto nuk janë përfitimet e vetme, siç ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, deputeti merr pagë sekondare në Universitetin e Prishtinës 3 mijë e 224 euro, si dhe 1 mijë e 624 euro si ligjërues në kolegjin “Rezonanca”, shkruan më tutje “Zëri.info”.

Sikur Haxhiu përfitime thuajse të ngjashme gëzon edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni. Mbi 400 mijë euro është vlera e pasurisë së tij, ku përfshihen banesa, shtëpia, lokali afarist e oborri. Quni ka deklaruar edhe dy vetura, një të tipit “BMW X5” 8 mijë euro, si dhe një “Mercedes” 3 mijë euro në pronësi të fëmijëve. Ai paguhet 21 mijë euro në vit nga Kuvendi. Por, pavarësisht kësaj page ka deklaruar të jetë edhe përfitues i një pensioni të TMK-së prej 3 mijë e 468 eurove.

Radha e përfitimeve të pensioneve nga deputetët nuk përfundon me kaq. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Shkumbin Demaliaj ka bërë publike pasurinë e tij 500 mijë eurosh.

UBT

Demaliaj merr pagë mujore 8 mijë e 139 euro. Bashkë me pagën e tij përfiton edhe një pension invalidor prej 3 mijë e 828 eurosh. Demaliaj nuk është i vetmi përfitues pensioni në familjen e tij, bashkëshortja e tij gëzon pension veterani 2 mijë e 40 euro, si dhe prindi i tij pension të familjeve të dëshmorëve 5 mijë e 400 euro.

Pension nga shteti merr edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate Enver Hoti, i cili ka të deklaruar pasuri prej 225 mijë eurosh. Për punën në Kuvend në vit Hoti paguhet 22 mijë e 523 euro, ndërsa pensioni i tij i TMK-së kap vlerën e 2 mijë e 634 eurove.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë të vetmit që përfitojnë pensione në kurrizin e shtetit.

Sikur ta të njëjtat përfitime i gëzojnë edhe ministra e ish-ministra. Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) Rrustem Berisha ka deklaruar pagë vjetore 14 mijë e 652 euro, pagë vjetore nga Qeveria 22 mijë e 817 euro, si dhe një pension vjetor nga FSK-ja 5 mijë e 736 euro, shkruan më tutje “Zëri.info”.

Vlera e pasurisë së Berishës arrin në 747 mijë euro, ku përfshihen tokat bujqësore, punuese, livadhet, arat e stani i drurit. Ministri e ka deklaruar edhe një pajisje bujqësore të 20 mijë eurove, si dhe një veturë të tipit “Toruan” 7 mijë e 500 euro.

Përfitime nga shteti gëzon edhe ish-paraardhësi i Berishës, Agim Çeku. Paga vjetore e tij nga Kuvendi, të cilën e ka deklaruar, vlente 24 mijë e 701 euro, ndërsa vlera totale e pasurisë plot 158 mijë euro. Çeku i ka në pronësi dy vetura, një të tipit “VW Touareg” të 10 mijë eurove, si dhe një “Ford” dhuratë prej një miku e që vlen 1 mijë e 500 euro.

Me gjithë këto të ardhura Çeku përfiton edhe pensionin e TMK-së 6 mijë e 720 euro. Të paktën kështu bëhet e ditur në regjistrin e deklarimit të pasurisë së tij. /ZERI