Depresioni, ja si na mbrojnë stërvitjet fizike

Aktiviteti fizik lufton depresionin duke eliminuar nga organizmi disa substanca të dëmshme të cilat mund të jenë përgjegjëse për nxitjen e shqetësimeve emocionale.
Një studim i fundit, i publikuar në revistën shkencore Cell, ka hulumtuar mekanizmat se si që stërvitjet fizike mbrojnë ndaj depresionit të nxitur nga stresi, transmeton portali mjekësor Mjeku.Net.
Studimet e vitit të kaluar, të mbledhura nga mbi 1300 pjesëmarrës të diagnostikuar me depresion, treguan se stërvitjet ishin po aq ndihmuese sa edhe terapia psikologjike dhe përdorimi i antidepresivëve.
Tash ata kanë arritur të shpjegojnë edhe mënyrën se si stërvitjet funksionojnë, duke bërë disa kërkime në kafshë eksperimentale. Ata kanë gjetur se organizmi gjatë aktivitetit fizik krijon nivele më të larta të enzimës KAT, e cila zbërthen kynureninën, një substancë që krijohet gjatë stresit.
“Hipoteza jonë fillestare ishte se muskujt e stërvitur prodhojnë ndonjë substancë me efekte të dobishme për trurin”, thotë Jorge Ruas, hulumtues në departamentin e Fiziologjisë dhe Farmakologjisë në Karolinska Institutet.
“Por në të vërtetë ne gjetëm të kundërtën: muskujt e stërvitur mirë prodhojnë një enzimë që në fakt pastron trupin nga substancat e dëmshme. Në këtë aspekt funksionimi i muskujve tregon edhe funksionin e veshkave dhe mëlçisë”, shton ai.
Veç mbrojtjes nga depresioni i nxitur prej stresit, aktiviteti fizik ka edhe një varg dobish tjera shëndetësore, mes tjerash duke na mbrojtur nga problemet kardio-vaskulare. /Mjeku.Net/