Eko Higjiena

Departamenti i Shtetit e quan hap të mirë takimin e 27 shkurtit, kërkon progres për Asociacionin

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Departamenti Amerikan i Shtetit ka mirëpritur bisedimet Kosovë-Serbi të datës 27 shkurt, ku është dakorduar për zbatimin e planit franko-gjerman, shkruan Gazeta Express. DASH-i megjithatë ka paralajmëruar se mbetet një punë e vështirë përpara dhe ka kërkuar përparim drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në deklaratën zyrtare të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price, thuhet se progresi në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e të ardhmes së Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, thotë komunikata.

Ndryshe, Emisari i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në konferencën për media ka thënë se propozimi franko-gjerman nuk është për njohje reciproke por vetëm për normalizim të raporteve, raporton Gazeta Express.

Ai ka thënë se fakti që SHBA-ja e përkrah këtë propozim nuk do të thotë që SHBA-ja nuk beson se rajoni për të qenë i shëndetshëm duhet të kapërcejë ngjarjet e viteve të 90-ta.

Mobi Casa

Escobar tutje ka thënë se SHBA-ja beson se të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra-tjetrën.

“Propozimi i BE-së nuk është për njohje-reciproke por është për normalizim. Por vetëm pse ne e mbështesim këtë propozim në këtë kohë specifike, nuk do të thotë që ne nuk besojmë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për të qenë të shëndetshme duhet të dalin nga ngjarjet e viteve 90-ta. Ne besojmë se të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin njëra tjetrën dhe të kenë raporte të mira me njëra-tjetrën”, ka thënë Escobar, shkruan Express.

Pas takimit në Bruksel më datën 27 shkurt, Bashkimi Evropian tha se palët janë shprehur të gatshme të punojnë në zbatimin e propozimit. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Kosovë dhe Serbi i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Më pas, BE-ja planifikon që në mars të ftojë liderët e Kosovës dhe Serbisë në takim për të diskutuar për zbatimin e propozimit evropian.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.