UBT

Denoncimi i rëndë: Gjyqtarë e prokurorë të zhytur në krim, pasuria e tyre kap milionat

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

“Pasuria e gjyqtarëve dhe e prokurorëve është dëshmia kryesore se si punojnë ata. Të krijoni shumë për një kohë të shkurtër me rroga jo të mëdha është vetë dëshmia se ata pasurohen jashtë ligjshëm”, tha Preteni.

Njohësi i fushës së sundimit të ligjit, ish kreu i AKK-së, Hasan Preteni, është alarmuar me publikimin e raportit të fundit në muajin shtator nga Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP- Zyra në Kosovë dhe me mbështetje të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i cili flet me detaje për sistemin drejtësisë dhe atë të avokatisë në Kosovë.

Preteni thotë se është një fatkeqësi e madhe për Kosovën që akoma raportet ndërkombëtare, sikurse ato të organizatave vendore, vazhdojnë ta konstatojnë dështimin e madh që po e përcjellë gjithë hallkën e sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë.

Në mes të tjerash, raporti ka evidentuar mjaft të dhëna që tregojnë se sistemi gjyqësor është në mes institucioneve publike më të korruptuara në Kosovë, në vend se ky sistem të jetë në nivel të detyrës dhe të siguron ecjen e shtetit përpara në këtë fushë, duke përplotësuar edhe kriteret bazë për hapjen e rrugës së integrimeve evropiane.

“Shumë keq i kemi punët në përgjithësi, por me sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë, katastrofë. Titullarët e inteligjencës largohen kinse kanë punuar në fabrikë të tjegullave. Nuk mund të largohesh lehtë nëse ushtroni detyra të ndjeshme, nëse keni informacione të ndjeshme dhe të rëndësishme për shtetin. Titullarët tjerë të “drejtësisë” ftohen nëpër gjykata sepse nuk kanë respektuar procedurat dhe kanë manipuluar me informata sensitive. Gjyqtarët dhe avokatët tërë ditën rrinë bashkë. Prandaj këtu me të vërtetë shtrohet pyetja serioze: Cila është etika, morali, profesionalizmi dhe integriteti individual dhe institucional…”, tha Preteni për Kosova Sot Online”.

Sipas Pretenit, krimet serioze edhe mundë të përfundojnë me lirim me kusht ose deri në pafajësi, kurse dënime të rënda mundë të marrin edhe shkelësit më të vegjël të ligjit, vetëm pse nuk e kanë mbrapa vetes një mbrojte të fuqishme të politikës që bashkëpunon me krimin e organizuar.

UBT

“Krejt është bërë një mish mash. Gjatë javës u dënua “hajni” i një akumulatori kurse u liruan dy vrasës! Njëra nga familjaret u zotua publikisht se nuk do të presin gjyqin por gjyqin do ta bëjnë vetë”, shtoi Preteni për Kosova Sot Online”.

E për nivelin e korrupsionit në drejtësi, dhe pasurimin përmes këtyre veprimeve kriminale, sipas Pretenit më së miri e zbulohet dhe dëshmohet e vërteta nëse analizohet pasuria që kanë krijuar të punësuarit në sistemin e drejtësisë dhe atë të sigurisë.

“Pasuria e gjyqtarëve dhe e prokurorëve është dëshmia kryesore se si punojnë ata. Të krijoni shumë për një kohë të shkurtër me rroga jo të mëdha është vetë dëshmia se ata pasurohen jashtë ligjshëm”, deklaroi ish kreu i Agjencionit Anti-Korrupcion të Kosovës, Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas Pretenit, edhe pse vijnë në vazhdimësi vërejtje serioze nga organizata dhe mekanizma të ndryshëm ndërkombëtar që denoncojnë korrupsionin në sistemin e sundimit të ligjit, ato deri më tani nuk janë marr asnjëherë seriozisht, për tu trajtuar dhe për të ndërmarr pasa të ndryshimit pozitiv.

“Po ku mbeten ndikimet nga jashtë… E kënd mund ta ndjekin këta “hajna”… askënd. Vetëm ndonjë “fakir” po ju shërben për ti publikuar shifrat. Ato po i publikojnë në baza ditore kinse sa aktakuza i kanë ngritur por kur i sheh se kundër sa personave i kanë ngritur, atëherë kupton se nuk ndiqet krimi por keqbërësit e vegjël. Prandaj situata është keq, e nuk ka se ku shkon më keq. Këtyre deri me tani edhe ju ka konvenuar kjo situate,tani e tutje mbetet të shohim e të presim”, përfundoi Preteni për “Kosova Sot Online”.