Fundamenti

Demolli: LDK po “amnistisë”, por me tre kushte

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Prishtinë – Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Demolli ka thënë për Telegrafin se partia e tij në parim e përkrah miratimin e Ligjit për amnistinë, por kanë kërkuar që të plotësohen tri amendamente apo tri kushte, njërin prej të cilave tanimë e ka aprovuar Qeveria. Ky kusht ishte që neni tre, i cili ka paraparë që një numër i madh veprave penale të kategorisë të krimeve ordinere, të hiqet në tërësi nga ligji.

“Kjo kërkesë është bërë për shkak se është vlerësuar që ky moment i miratimit të Ligjit për Amnisti nuk duhet të shfrytëzohet si moment ku do të falen personat të cilët në forma të ndryshme kanë bërë keqpërdorime dhe kanë cenuar liritë të drejtat e qytetarëve në përgjithësi”, tha Demolli.

Demolli shprehet se kërkesa e dytë e LDK-së ka qenë, që amnistia mos t’i përfshijë ata persona të cilët në emër të detyrës zyrtare kanë shfrytëzuar pozitën e tyre, duke e dëmtuar sipas tij, ekonominë e Kosovës.

“Dihet fare mirë se disa individë të afërt me qeveritë e mëparshme, por edhe me qeverinë aktuale, brenda një kohe të shkurtër janë bërë milionerë. Këtyre personave nuk duhet t’iu amnistohet vepra dhe as pasuria e tyre. Në vitin e kaluar e kemi pasur kërkesën e Komisionit Evropian (KE), që të nxirret ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, në rast së këta individë do të amnistohen tash, kjo do të ishte një anomali ose njëfarë kolizioni që do ta lente ligjin pa objekt”, ka deklaruar ai për Telegrafin.

Mobi Casa

Sipas deputetit të LDK – së, kërkesa e tretë e partisë së tij, ka qenë që në mënyrë decidive të theksohet se ata të cilët kanë kryer vrasje nuk do të falen, duke shtuar se është krijuar një perceptim i tillë nga analizat të cilat i kanë dhënë ekspertët dhe shoqëria civile, në lidhje me këtë gjë.

“Ne kemi insistuar që në ligj të figuron një amendament apo të ekzistojë një amendament, ku decidivisht theksohet se nuk do te falet asnjë vepër penale kundër jetës dhe trupit, që nënkupton se ne kemi dashur t’i sigurojmë qytetarët e Kosovës, që ne si parti nuk do ta përkrahim amnisitimin e veprave penale të vrasjeve”, ka sqaruar ai.

Demolli ka theksuar se në LDK janë të vetëdijshëm se veprat e karakterit politik, të cilat janë kundër rendit kushtetues dhe kundër shtetit, sipas tij, duhet të jenë pjesë e amnistisë. Ai ka shtuar se mungesa e sovranitetit të Kosovës, rendit dhe ligjit në veri të vendit, përgjatë kësaj periudhe 14 vjeçare, e ka krijuar mundësinë që persona të caktuar të bëjnë shkelje të ligjit.