Demolli kërkon ndihmë nga Franca për themelimin e ushtrisë

Një delegacion nga Instituti i Studimeve të Larta të Sigurisë Kombëtare të Ministrisë së Mbrojtjes të Francës qëndroi sot për një vizitë zyrtare në Ministrinë për Forcën e Sigurisë të Kosovës.
Ministri i FSK-së, Haki Demolli, gjatë takimit me ambasadorin e ri në detyrë të Republikës së Francës në Republikën e Kosovës, Didier Chabert dhe gjeneralin Daniel Argenson udhëheqës i delegacionit u shpreh se Kosovës i nevojitet ndihma e Francës për krijimin e ushtrisë.
“Mbështetja dhe përkrahja e Francës për Kosovën në drejtim të ndërtimit dhe funksionalizimit të sektorit të sigurisë, me theks të veçantë transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, është më së i nevojshëm, nëpërmjet mekanizmave të fuqishëm që posedon aktualisht Franca, kudo në organizatat me peshë të organizmave evropiane e më gjerë”, tha Demolli
Demolli, më tutje çmoi lart kontributin e kontingjentit të Francës në kuadër të KFOR-it, por edhe interesimin dhe angazhimin që ka treguar Franca në vazhdimësi për Kosovën
Ndërkaq, ambasadori i Francës në Prishtinë dhe gjenerali Argenson u shprehen të interesuar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen ndërmjet dy vendeve.
Sipas komunikatës së MFSK-së, më pastaj delegacioni nga Instituti i Studimeve të Larta të Sigurisë Kombëtare të Ministrisë së Mbrojtjes të Francës vazhdoi takimin e përbashkët në sallën e konferencave, ku drejtori i Departamentit për Transformim, Modernizim dhe Standardizim, kolonel Agron Bajrami, përmes një prezantimi i njoftoi mysafirët për misionin, strukturën, shkollimet, trajnimet si dhe për procesin që ka të bëjë me transformimin e FSK-së.