Demokracia, tranzicioni, hipokrizia patriotike dhe (jo)komunikimi

Nga Nexhat Buzuku – Sa e respektojmë punën, sa e çmojmë kohën, si flasim e si shkruajmë, si dialogojmë, debatojmë e komunikojmë ka shumë rëndësi, sepse kjo është shprehje e kulturës. E të kesh kulturë domethënë të ekzistosh si komb. Demokracia ofron hapësirë për mendimin e lirë, për shprehjen e lirë, për qasje tjetërfare, por nuk i jep askujt të drejtën të cenojë, atakojë, shatazhojë e denigrojë në mënyrë primitive dhe me modele e klishe të perenduara përmes monopolit dhe stigmatizimit të gjithçkaje që nuk është në vijën dhe tabanin e mendimit a qasjes së uniformuar.

Në demokraci, si formë e organizimit shoqëror e politik, ku duhet të sundojë rregulli dhe parimësia, edhe partitë politikë, edhe shoqëria civile, edhe mediet kanë përgjegjësitë e tyre qytetare dhe para qytetarit, kanë përgjegjësi morale, shoqërore dhe ligjore.

Kjo për arsyen e thjeshtë dhe logjike sepse çfarë janë sjelljet e tilla i tillë është komunkimi breda strukturës shoqërore dhe shtresëzimeve të saj, por edhe përreth saj. Qasja konstruktive a destruktive, logjika e pohimit, optimizmit jo të improvizuar dhe destruktuviteti ndihmojnë ose e stagnojnë avancimin e demokracisë, konsolidimin e saj nëpër etapa dhe krijimin e një disponimi qytetar ndaj vizionit dhe perspektivës shoqërore.

Qasja agressive, depresive, fushata e ashpër ndaj secilit zhvillim, natyrshëm prodhon një përceptim të gabuar dhe iluziv ndaj realitetit, dhe njeriu nis të largohet nga sfidat dhe ballfaqimi me jetën, duke konstruktuar brenda vetes pafuqinë, pamundësinë dhe paaftësinë për të ndryshuar mënyrën e mendimit dhe të rezonimit ndaj realitetit.

Demokracia ofron hapësirë për shprehje të lirë, për qasje pro et contra, por etika e komunikimit si normë e rregull nuk i jep askujt të drejt supreme të bazuar mbi konstruksione dhe t’u mbajë leksione të tjerëve se si duhet të mendojnë e të pasqyrojnë. Demokracia funksionon mbi parime dhe rregulla që respektojnë qasjen në jetën publike e shoqërore të secilit pa vënë tutorë nga akëcili mbi të drejtën e lirisë së shprehjes. Sepse, nga e fiton dikush të drejtën për ta mohuar të drejtën e dikujt tjetër për ta shpërfaqur atë që mendon. Secili mund dhe ka mendimin a qasjen e vet, edhe kundërshtuese ndaj tjetrit, por jo duke fyer e shantazhuar tjetrin. Demokracia ofron hapësirë të mjaftushme, madje, të pakufishme të komunikimit, ama ka dhe rregulla shoqërore që rregullojnë e përcaktojnë sjelljen e tjetrit karshi e në raport me tjetrin.

A nuk është qytetari të ofrosh alternativa, opsione, pikëpamje. Natyrish që po. Por, nuk është mendim i mirëfilltë dhe etik shprehja me zhargonin denigrues në emër të fjalës së lirë. Prej nga një apo akëcilit person e drejta për ta mohuar tjetrin në mendimin dhe qasjen e tij. Prej nga ky monopol mbi qasje, mbi mendimin, mbi fjalën dhe shprehjen e lirë. Praktika e sotme në demokracitë më të avancuara nuk njeh ende këshilltarë të vetshpallur mbi qytetarinë dhe mendimin e lirë, aq më pak monopolist mbi fjalën e lirë dhe mendimin apo qasjen tjetër.

Dialogimi si formë e marrëveshjes ndërmjet njerëzve mbetet mjeti kryesor dhe i pazëvendësueshëm i marrëveshjes, i kompromiseve midis njerëzish, grupesh shoqërore, liderësh e shtetesh. E, kjo mënyrë e të marrurit vesh, që nënkupton të kuptuarit mes dy palëve a më shumë sosh, zakonisht bëhet përmes komunikimit. E, nëse kompromisi apo rënia në ujdi presupozon heqjen dorë nga diçka, që njeri duhet të jap e tjetri të lëshoj pe, por jo që të krijojë ndjenjën e humbësit, ky është koncepti themeltar i diskursit demokratik të komunikimit, që paraqet edhe esencën e normës së funksionimit të demokracisë, si normë e si rregull, si parim dhe hapësirë e lirisë.

Thjesht, në aspektin sociologjik e sociopsikologjik kompromisi është zhvendosje nga pozicionet dhe qëndrimet e mëhershme, e në këtë kontekst komunikimi merr një dimension peshues dhe mbizotërues, sepse është mënyra e qasjes, trajtimit dhe persiatjes mbi probleme konkrete e koherente, që diskutohen e shtrohen për t’u zgjidhur. Demokracia nuk mund të jetë funksionale pa parimet bazë të përmbajtjes së saj: Qytetari si epiqendër e sistemit dhe rendit politik, media e lirë që respekton etikën dhe kodin profesional, që nuk shpif dhe nuk njollos e denigron individin dhe familjen, që respekton privacinë dhe gjyqësorin e pavarur dhe të pandikuar.

Mënyra e komunkimit është balancues dhe baraspeshues e ekuilibrues kur nuk është i ngarkuar nga bindje hakmarrëse, të inatit, mërisë e mosdurimit, që shpeshherë te ne shkon e rrëshqet në rrahagjoks se kush është më i forti, më i dituri, duke ekspozuar artificialisht, krejt në mënyrë bajate dhe kozmetike veten si një korife, si një i pamposhtur në duel me tjetrin, dhe në mënyrë improvizuese duke e kthyer diskutimin në komunikim të varfër, banal e vulgar, fyes e denigrues, qartësisht me status kundërkomunikues, me intelektualitet të kufizuar ose të munguar.

Faza e tranzicionit ka prodhuar dukuri që bien ndesh me normat shoqërore, etike dhe qyetare, duke rrënuar normat e mirëfillta të demokracisë deri në keqpërdorimin e normave demokratike në rrafshin e komunikimit. Përvoja historike dhe praktikat e zhvillimeve dhe ngjarjeve shoqërore dëshmojnë e vërtetojnë vërtetësinë e pohimit se aty ku ka munguar ose edhe ka devijuar dialogu, që këtë radhë e në këtë trajtesë sociologjike e përkufizuam komunikim, kanë ndodhur konfliktet e luftat. Mjegullimi i realitetit është modeli ideologjik i manipulimit me të vërtetën, që kapërcen përtej përceptimit objektiv.

Kjo mënyrë e komunikimit, që mund të emërtohet edhe parakomunkimi, apo komunikim i munguar, primitiv, akuzues, fyes, satanizues, denigrues e stigmatizues, ku secili e ka të drejtën për të thënë çfarë i prodhon mendja e çakorduar dhe e zbrazët nga njohja dhe dituria, pjekuria dhe formimi i duhur intelektual në nivelin e personalitetit, si masa dhe dimensioni parësor i inteligjencës së njeriut dhe i mësimit dhe sjelljes intelegjinte dhe të kulturuar, provon që të shmang opinionin ose një pjesë të tij nga përceptimi real në përceptim iluziv dhe halucinant.

Kriza e shtypi si edhe e gjyqësorit është refleksion dhe pasqyrë e pasojë e një shoqërie dhe stratifikimi shoqëror që me vështirësi shkëputet nga klishetë e të kaluarës, nga mentaliteti fisnor, patriarkal e provincial, i mentalitetit të oborrit dhe kanunit dekadent, duke e ngulfatur demokracinë dhe duke e vonuar avancimin dhe konsolidimin e saj, ku baraspesha e levave të shtetit dhe shoqërisë është rezultanta dhe reflektimi i një shoqërie që zhvillohet si totalitet, si interes qytetar, si media e lirë dhe korrekte dhe si gjyqësi e pandikuar, plotësisht apolitike dhe tërësisht e pavaruar nga vetvetja, nga tjetri, klani, fisi, partia apo liderizmi politik e partiak.

Sondazhet kanë treguar se shqiptarët janë populli më optimistë karshi popujve të tjerë, por në raport me shtetin e tyre duken krejtësisht ndryshe – shumë të pakënaqur që e formuluar logjikisht i bie të jenë refuzues të shtetit të tyre. Kjo është çështje për një trajtesë të radhës socilogjike, ku duhet fokusuar në burimin e këtij shqetësimi dhe pesimizmi qytetar te gjendja reale , ose te nxitësit rrënues të frymës dhe optimizmit jetësor, nisur nga media, politika dhe krijimi i elitave të pamerituara ekonomike mbi politikat diskriminuese karshi njërës shtresë, numerikisht më e madhe dhe favorizimi i një shtrese të vogël njerëzish pothuaj të pamerituar.

Shoqëria kosovare po kalon peshën e rëndë të epokës së parakapitalizmit, ku elitën e kufizuar numerike ekonomike e prodhon elita politike, e pa konceptuar, e pa profilizuar dhe pragmatizmit të kundërthënshëm.

Mungesa e konsolidimit të demokracisë prodhon antivlera

Është koha që njerëzit të pushojnë të merren me ligjërata abstrakte mbi normat qytetare, kombëtare, morale, duke u thirrur në e mbi konceptin hipokrit patriotik në emër të parimësisë e drejtësisë. Jo secili qytetar duhet të humbas kohë me leksionet mbi drejtësinë, ligjin, duke i përkufizuar rrugën tjetrit se kah duhet të ecën, kur e çka duhet të bëjë e të flas, sepse kjo tejkalon normën e demokracisë, edhe të qytetarisë, dhe merr dimensionin e ligjërimit hipokrit, të diktatit e diktaturës, monopolit mbi fjalën, mendimin e lirë dhe lirinë e të shprehurit.

Të tillët që mendojnë se përmes abstraksionit dhe konstruksionit hutojnë dhe arrijnë ndonjë avans mund të dalin humbës në përceptimin e opinionit qytetar. Fundja, koha e njerëzve me yll në ballë, me pelerine të zeza, të veshur me hekur dhe imunitet fjalësor, politik, ideologjik dhe mediatik ka perenduar. Kulti i personalitetit ka vdekur së bashku me totalitarizmin, dhe nostalgjia e fantazia nuk mund ta rikthejnë as imponojnë, qoftë edhe në nivel mëhalle, logjikën e personalitetit kult e të pacenueshëm.

Me rënien e totalitarizmit janë rrëzuar edhe të gjithëpushtetshmit, edhe fjalamanët, edhe tipat e personalitetit të vetshpallur të parë, të pakontestueshëm, të pakundërshtueshëm. Në këtë fazë të demokracisë së brishtë, të pakonsoliduar a në konsolidim e sipër ende ka mbetur hapësirë e servilizmit, konceptit hipokrit në qasje e përceptime, e në orvatje dominimi dhe vetafirmimi me antivlera a kundërvlera. Kjo mënyrë e të përceptuarit dhe gjykimit të ecurive shoqërore, ku edhe ai apo ata që kanë lexuar një të vetmin libër, që në dije janë gjysmak, paranoik e frustrues, ka për të ndryshuar, e ata që dalin në sipërfaqe dhe imponohen në role faktorësh do të kthehen në figura komike e defaktorizohen po aq shpejt sa edhe si kanë dalë mbi “ujë”. Realiteti e objektiviteti dhe miti e fantazia nuk mund të bashkudhëtojnë, edhe pse mund të takohen në situata të turbullta dhe atëherë kur njohja është e vonuar dhe jashtë konceptit gnoseologjik, ku njohja përkufizohet një dituri e provuar ose që duhet të provohet e bazuar në përvojë dhe arsye logjike.

Dhe, kështu kulturën e zvetnojnë, e rrudhim, e degradojmë me kundërvlera, me vlera të rreme, me pseudovlera, e të tjerëve e vetes ia prezantojmë si vlerë. Kështu bëhet cungimi dhe sakatimi i kulturës dhe i vlerave kombëtare e qytetare mbi të cilat e më të cilat është ndërtuar historia, tradita dhe trashëgimia kulturore, si baza e mbijetesës dhe ekzistencës së kombit. Në mungesë vlerash të njëmendëta e të mirëfillta, antivlera kthehet në vlerë për një kategori njerëzish, madje merr kuptim institucional dhe bëhet pjesë e jetës dhe normalitetit shoqëror.

E, kur bartësit e vlerave të vërteta e të mirëfillta shprehin revoltën dhe protestën e kundërshtimin ndaj këtij trendi antivlerash, atëherë sakaq shfryhen e bërtasin, ulërijnë e hapin fushatë bastarde për të shkallmuar atë apo ata që nuk bëhen pjesë e kësaj sjelljeje, norme dhe praktike, që as është normë, as është sjellje, por bie ndesh me frymën dhe shpirtin jetësor të etnisë.

Prandaj, aty ku institucionet janë të brishta, të pakonsoliduara, natyrshëm që servilizmi dhe hipokrizia patriotike marrin vendin qendror dhe primatin në teatrin absurd të një realiteti të improvizuar dhe imagjinar, ku realiteti dhe miti, magjia e fantazia njëjtësohen e shndërrohen në marrëzi, e cila nga njerëzit rrahagjoks me një libërth të lexuar përkufizohet si lavd, si kulturë si vlerë.

E, krejt në fund, sa më gjatë të ketë hapësirë kjo kastë pseudoinetelektuale që prodhon antivlera, aq më shumë kohë do të nevojitet për t’i shkallmuar pseudovlerat dhe për ta vënë kulturën dhe vlerën në vendin e duhur. Mungesa e demokracisë së konsoliduar, gjithsesi, krijon hapësirë për dallkaukë e halabakë, dhe rrjedhimisht edhe terren për kundërvlera që ngulfasin frymën jertësore dhe kulturën që buron nga shpirti krijues e ndërtues.

Respektimi i dallimit dhe koncepti i njeriut të ri

Nuk duhet të baltoset çdo gjë e gjithçka, që secili të vëhet në kryq nën akuzën e të padisiplinuarit, e përgojimit dhe shpalljes të papërshtatshëm. Demokracia dhe diskursi i saj mbi qytetarinë nuk i konsideron vlerore as të pranueshmne damkosjet e të tjerëve.

Njeriu i lirë në të gjitha dimensionet e tij njerëzore, duke e respektuar tjetrin, lirinë e tjetrit, dinjitetin dhe personalitetin e tjetrit është vlerë njerëzore, është vlerë që e garantojnë edhe deklarata universal e të drejtave dhe lirive njerëzore e OKB-së, e konventave tjera ndërkombëtare dhe është vlerë evropiane. Njeriu nuk është pronë e askujt, as liria dhe dinjiteti i tij njerëzor, edhe pse shpeshherë ai vëhet në tehun e shpatës të kritikuesve dhe akuzuesve bastard e pa kapacitet elitar intelektual. Ai duke qenë një homo sapiens është sovran i vetvetes, që në raport me tjetrin duhet të respektojë relacionin e ndërsjellë.

Askush nuk bën të mbetet peng i denigrimit e satanizimit. Askush nuk duhet të mbetet peng i kohës absurde, as i propagandës për sistemin e kundër çdo gjëje që vjen nga sistemi.

Fundja, njeriu i kësaj epoke, i këtij shekulli me dimensionin e ri të lirisë, por jo të ngatërruar me kaosin dhe rrëmujën anarkiste, mëton t’i jap jetës dhe qytetërimit frymë dhe jetës kuptim.

Prandaj, komunikimi i mirëfilltë dhe i kulturuar,që respekton diversitetin mendor në qasje, trajtesa e persiatje filozofike a letrare, etike a eseistike e estetike, sociologjike a sociopsikologjijke për realitetin politik, institucional, etj, dhe jetën praktike që të jetë i qëndrueshëm duhet ta tejkalojë kohën e vet, pa mohuar veteven, por edhe pa pohuar atë në mohimin e tjetrit.

Bartësi i komunikimit që ngërthen e gërsheton në vetvete tiparet pozitive dhe sfidon të keqen, dekadenten dhe pseudovlerat, natyrshëm i shpërfill paragjykimet biografike, morale dhe ideologjike, dhe merr dimensionin e qenësisë universale diturore dhe intelektuale, me reflektim pozitiv, vision dhe perspektivë për njeriun e ri, jo për nga mosha, por në konceptin konkret dhe larg ritualit hipokrit të përditshmërisë.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS