RCCOLA

Demokracia në komë, drejtësia e asgjësuar

/ 4 minuta lexim

Mungesa e vullnetit të duhur të klasës politike, që e ka qeverisur vendin në këtë periudhë 17-vjeçare për t’i dhënë mbështetje të pakompromis sistemit të drejtësisë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, po e krijon perceptimin në opinion se pikërisht kjo klasë politike, me sjelljet e saja, është fajtore dhe po ndikon në asgjësimin dhe jo në instalimin e shtetit ligjor, si dhe në funksionimin e pavarur të të gjithë sistemit të drejtësisë.

Për këtë pasojë tani vlerë- sohet se pikërisht nga korrupsioni i politikës është paralizuar demokracia në këtë vend dhe ky shtet është futur, thënë simbolikisht, në një komë të thellë për shkak të papërgjegjësisë së politikës, sepse politika e inkriminuar dhe drejtësia e kontrolluar nga politika po e ushqejnë njëra-tjetrën në udhën e paligjshmërisë së thellë në Kosovë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Për t’u liruar nga kjo situatë, përfaqësues të partive politike që janë të vetëdijshëm për dëmin që po i shkaktohet vendit nga mungesa e sundimit të ligjit, konsiderojnë se Kosovës i duhet një revolucion demokratik për ta nxjerrë vendin nga koma në të cilin e ka katandisur kjo klasë politike e papërgjegjshme dhe fatkeqësisht e inkriminuar.

Sidoqoftë, revolucioni duhet të zhvillohet përmes vetëdijesimit qytetar për të ndëshkuar me votë dhe jo me formën klasike të imponimit të dhunës, si mjet për zgjidhjen e problemeve. “Qytetarët e Kosovës duhet të vetëdijesohen për gjendjen e keqe, në të cilën kanë rënë, si dhe për hapat që duhet të ndërmarrin për ta ndryshuar këtë gjendje. Vetë qytetarët e kanë në dorë që ta ndryshojnë këtë. Revolucioni ose përmbysja me trazira është si metodë që ka ndodhur në shumë vende, por gjithsesi me pasoja shkatërruese. Në anën tjetër, askush nuk garanton se nga trazirat sociale nuk do të krijohet ndoshta një lëvizje radikale, me tendenca diktature, e cila do të krijonte sërish një gjendje të rëndë dhe një klasë të re mafioze, e cila do ta kapë sërish shtetin, thotë deputeti i LDK-së, Adem Salihaj.

Haziri: Njerëzit me biografi të dyshimtë të pastrohen nga sistemi

Uji Dea

Sipas Salihajt, funksionarët e lartë të shtetit ose me jaka të bardha janë vetë bosët e krimit. Ai shton se është e kotë që të kërkohet dhe të pritet prej tyre që ta luftojnë krimin. Edhe politologu Arsim Haziri shpresën e vetme të zgjimit të vendit nga kjo lloj kome e funksionimit të institucioneve të sundimit të ligjit e sheh vetëm në ndryshimet rrënjësore në politikë dhe në ndikimin e tyre pozitiv, në pastrimin e institucioneve të sundimit të ligjit nga viruset e ndikimit të klientelave kriminale të politikës ditore. “Papërgjegjshmëria politike është bërë ‘kulturë’ në mjedisin tonë shoqëror dhe ajo po funksionon duke pamundësuar që proceset e mëtutjeshme të avancimit demokratit të shtet ndërtimit të jenë pozitive.

Pra, politika është e kriminalizuar, e degjeneruar dhe veçanërisht e privatizuar, frytet e secilës dalin më shumë të jenë pjesë e grupeve, elitave klienteliste e kriminale, sesa në interes të çështjes publike, të popullit, të qytetarit, i cili drejtpërdrejt po ballafaqohet më së rëndi me të gjitha elementet negative të jetës, me mungesë të sundimit të ligjit, krim të organizuar dhe korrupsion, e deri në varfëri e skajshme”, thotë Haziri.

Se kjo klasë politike nuk ka vullnet të duhur në vetë reformim dhe ndikim pozitiv në sistemin e drejtësisë, Haziri i ilustron me zhvillimet e fundit në Ministrinë e Drejtësisë, që sipas tij në vend të një figure profesionale vjen një figurë e bekuar politike. “Unë më shumë shoh pesimizëm në drejtësi sesa pres ndryshime pozitive.

Ministrja Hoxha me siguri se do të shërbejë si marionetë e subjektit politik, të cilit i takon. Haziri mendon se duhet një reformim i thellë brendapërbrenda sistemit të drejtësisë, për ta konsoliduar shtetin ligjor dhe për ta bërë dekriminalizimin e institucioneve nga ata që kanë biografi të dyshimtë. “Duhet të përfshihen profesionistë dhe vlera në sistemin e drejtësisë për të mundur që në Kosovë të funksionojë si duhet demokracia”, shprehet Haziri./kosova sot/