Demokracia forcohet me rregulla e ligje

Gjilan- Pas aksionit të VV të titulluar “Qemajli Travel” dhe pas deklaratave të komisionit të arsimit të LDK-së rreth ekskursionit dhe regjistrimit ka reaguar menjëherë zyra për informim e Komunës.
Vetëvendosje kishte protestuar sot në mënyrën e tyre, para selisë së kryetarit të komunës me sloganin ironizues të agjensionit, më të ri në Gjilan, të quajtur “Qemajli Travel”.
“Ne dënojmë këtë mënyrë sjelljeje të një kryetari të komunës dhe kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm pas këtij skandali të madh, duke ia bërë edhe me dije se nxënësit paguajnë me paratë e tyre për ekskursione dhe ata mund të shkojnë me kë të duan. Kësaj radhe kryetari ka vepruar tamam si udhëheqës i rëndomtë i një agjensioni turistik e jo si kryetar i komunës” ka thënë Teutë Maloku, aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërkaq në përgjigjen e zyrtarëve komunal thuhet se demokracia nuk ndërtohet me improvizime e destruktivitet, por ajo ushqehet e forcohet me rregulla e ligje që vlejnë nyejt për të gjithë si për ata që janë në pushtet, për qytetarët e besa edhe për ata që janë më poshtë-në opozitë.
I bëjmë thirrje Vetëvendosjes, por edhe të tjerëve që pretendojnë marrjen e pushtetit me dhunë e improvizime, ta lënë rehat udhëheqjen e Komunës t`i kryej punët e veta me mandatin e dhënë nga populli, por t`i bëjnë gati efektivat e tyre për zgjedhjet të cilat janë nesër, ndonëse në këtë mënyrë si po e bëjnë “demokracinë”, është kohë e largët për të arritur këtë synim të tyre.
Ndërsa sa i përket çështjes së konkursit për ekskursionin e nxënësve të shkollave të mesme për në Shqipëri, çdo gjë e kemi sqaruar menjëherë dhe saktë se për shkak të ndikimeve nga brenda dhe jashtë të grupeve dhe klaneve të interesit në Gjimnazin “Zenel Hajdini”, është vlerësuar si e domosdoshme marrja e përgjegjësisë nga kryetari i Komunës, i cili si autoriteti më i lartë dhe më kompetent në komunë ka vendosur në pajtim me vlerësimin e komisionit thuhet në reagim.
Tash ky problem është tejkaluar dhe nxënësit e shkollave të mesme do ta realizojnë ekskursionin në vendet e destinuara dhe presim të kalojnë mirë atje e të kthehen mirë në familjet e tyre.
Problemet e shfaqura në kompaninë Regjionale të Mbeturinave “eko-higjiena”, pas një bojkoti të punëtorëve dhe stafit menaxhues, është tejkaluar përmes një marrëveshje të bërë nga Komuna, respektivisht bordi drejtues dhe ekzekutivit të kësaj kompanie, ashtu siç e kemi njoftuar edhe dje opinionin.
Konsiderojmë që edhe në këtë rast në kompaninë “eko-higjiena”, ka indikacione të manipulimeve dhe ndikimeve nga jashtë, gjë që për ne janë të papranueshme ngase, veç tjerash, kem të bëjmë me një investim të madh e të rëndësishëm që është kapital i tërhequr nga një investitor nga Austria me një mundi të madh të të gjithëve neve. Kush tjetër ka legjitimitetin dhe kompetencat të ndërhyj në zgjidhjen e këtyre problemeve pos udhëheqjes komunale dhe të gjitha institucioneve tjera kompetente të zgjedhura nga vota e lirë e demokratike e popullit. Prandaj çdo ndërhyrje tjetër nga jashtë pavarësisht nga meritokracia e para një dekade e dëmton demokracinë, të cilën paraprakisht të gjithë e kemi përqafuar vazhdon reagimi.
Poashtu edhe zëra të tjerë nga një tabor tjetër opozitar (LDK) të cilët me spekulime e insinuata përpiqen ta çorientojnë qytetarin e Komunës sonë. E dimë që reformat jo vetëm në arsim por kudo në shoqërinë tonë me vështirësi pranohen. Këtë problem nuk e kemi me qytetarë, por me opozitën siç është LDK, e cila në këtë rast të reformave në arsim siç është regjistrimi i nxënësve në klasë të parë, ndryshe nga e kaluara, është mjaft kontradiktore dhe nuk e di çka kërkon në të vërtetë. Përderisa në komitetin për arsim përfaqësuesit e LDK-së i mbështesin këto reforma dhe e inkurajojnë drejtorinë e arsimit për të vazhduar përpara konform ligjeve në fuqi, në anën tjetër drejtuesit politik të LDK-së për çështje të arsimit, me retorikën e tyre tashmë të harxhuar, akuzojnë dhe i ngjesin bishta edhe këtij procesi në arsim.
Të arriturat në arsimin gjilanas flasin të kundërtën e asaj që vjen nga LDK, sepse ne në mandatin tonë kemi krijuar 20 mijë metra katrorë hapësirë shkollore që nuk ka ndodhur në 50 vitet e fundit në këtë anë, kemi ndryshuar rrënjësisht disiplinën nëpër shkolla, po e mirëmbajmë siç duhet ambientin brenda dhe jashtë objekteve shkollore, po japim tekstet falas për nxënës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe nuk e kemi ndërmend të ndalemi por as të merremi me pallavrat e LDK-së dhe të VV-së.
Ndërsa lidhur me disa raste të punësimit që sipas LDK-së i ka bërë kryetari i Komunës dhe drejtori i Arsimit nuk qëndrojnë dhe është plotësisht e pavërtetë. “Dilemat” që i ka LDK për këto apo ndonjë rast tjetër mund t’i heqin nëse duan me ardhjen e tyre dhe kujtdo tjetër në drejtorinë Komunale të Arsimit ku do të binden me të vërtetën, por nuk është mirë ta dezinformojnë publikun në këtë mënyrë përfundon reagimi i zyrës për informim të Kuvendit Komunal të nënshkruar nga Shefik Surdulli./rajonipress/