Mobi Casa

Demir Krasniqi sot mbush 68 vite, mbi 50 vite ishte në shërbim të krijimtarisë muzikore

/ 16 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Demir Krasniqi sot mbush 68 vite. Ecja e Demir Krasniqit ka zikzaket e veta, por ajo që dihet dhe që është e fuqishme mbetet fakti se ai për 50 vite punojë me nder, dhe dinjitet prej krijuesi e artisti muzikor. I dhurojë Anamoravës e Kosovës qindra e mijëra këngë popullore e burimore shqiptare, i dhurojë Anamoravës e Kosovës libra me karakter pedagogjik dhe si krijues e njeri i muzikës burimore shqiptare ofroj tërë potencialin e tij prej shpirti krijues edhe për gjeneratat e reja. Demir Krasniqi ka të drejtë të mburret dhe të ndihet krenar për opusin e tij të shumtë në fushën e muzikës e publicistikës, por asnjë arsye nuk e kanë pushtetet komunale që kurrë nuk i dhanë vendin e merituar. Përkundër kësaj përbuzje Demir Krasniqi vazhdon të shkruaj e të mos ndalet për asnjë çast sepse vetëm kështu ai e sfidon përbuzjen dhe ironinë që ndodhet mes nesh. Urime Demir Krasniqi e jetofsh gjatë e me plotë dashuri.

Demir Krasniqi edhe në këtë përvjetor të tij të 68-të ka shkruar një poezi enkas për Rajonipress ku është bashkëpunëtor i rregullt që nga fillimi. Lexojeni poezinë e Demir Krasniqit dhe më poshtë keni të dhëna interesantë dhe të mjaftueshme për veprimtarinë e tij.

Me rastin e Ditëlindjes sime të 68 – të :50 vjet me ju
Teksti, muzika dhe interpretimi : Demir Krasniqi

Kujtoj vitet me lezet – e,
N’ krahët e këngës , o, kur u futa !
I: Oh, shpejt kaluan , o, pesëdhjetë vjet – e ,
Oh, sikur t’ ishin , o, pesëdhjetë minuta ! :I
Herë ndo ‘i këngë të re – e ,
Herë me këngë të vjetra ,
I: Herë vajë , herë hare , o moj nënë – e ,
Kështu e kishte jeta ! :I

Me gjakimet për Liri – e ,
Që t’ mos këndoj kurrë për fitime !
I: Oh, t’ i mallkoj shekujt e zi – e !
Oh, ishte motoja e punës sime ! :I
Për emrin e Zotit ,
Për gjakun e dëshmorëve ,
I: Për nderin e kombit , moj nënë – e ,
Për eshtrat e varreve ! :I

Nëpër rrugë të historisë – e ,
Që nga Skënder legjendari –
I: Oh, këndova trimat e lavdisë – e !
Oh, deri te Adem Jashari !…:I
Vendlindjes ia fala
Këngët , mallëngjimin !
Nxënësve ua fala , moj nënë – e ,
Dijen , edukimin !
Kosovës ia fala
Veprat dhe frymëzimet !
Evropës ia fala , moj nënë – e ,
Nipat dhe fëmijët !…

Pesëdhjetë vjet shpejt kanë kalua –
Por, në vdeksha – s’ jam pishman – e !
I: Oh, se Kosova u pavarësua –
Oh, Republikë dhe Shtet Sovran – e ! :I
Gëzuar , pra Kosovë –
Gëzuar Pavarësinë !
I: Bashkë me bijë e bija , moj nënë ,
E gëzofsh Lirinë ! :I

Gjilan, më 10.02. 2018.

Demir Krasniqi

Demir Krasniqi një jetë në shërbim të muzikës

Demir Krasniqi si këngëtar dhe rapsod popullor, përveç mijëra dasmave e gazmendeve familjare gjithandej trojeve etnike shqiptare, përveç shumë koncerteve e festivaleve vendore, ka qenë katër herë përfaqësues i këngës kosovare në festivalet ndërkombëtare si: Rivista e Folklorit Ballkanik në Zagreb, Rivista e Folklorit Ballkanik në Ohër, Tubimet e Folklorit Ballkanik në Beograd dhe në Festivalin e Folklorit të popujve evropian “Danubi i kaltër” në Novi Sad, ku ka këndua në duet me Nexhmije Pagarushën , këngën “Ku po shkon moj Rrushja e lalës”, festival ky që për herë të parë u transmetua direkt përmes rrjetit televiziv evropian “Eurovizion”.

U lind më datën 10 Shkurt 1950, në fshatin Tugjec të Malësisë së Gollakut, komuna e Kamenicës, nga nëna Hysnije dhe babai Shefki. Rrjedh nga një familje skajshmërish e varfër, por shumë bujare, mikpritëse dhe me bazamente të forta kombëtare.

Shënime biografike për pedagogun, këngëtarin, kompozitorin, poetin, mbledhësin e folklorit, publicistin dhe gazetarin:

Shkollën e plotë fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollimin dhe kualifikimin profesional muzikor i kreu në Prishtinë.

Talenti i tij i rrallë muzikor dhe dashuria e madhe ndaj këngës, u vërejt që nga ditët e para të fëmijërisë së tij, në bankat shkollore, në programet e ndryshme shkollore, ku gjithmonë dallohej me talentin dhe interpretimin e tij të shkëlqyeshëm.

Më 25 Maj 1964, në Manifestimin ndërkomunal të Kamenicës “Mikrofoni është i juaji”, Demir Krasniqi i shoqëruar nën përcjelljen e violinës nga arsimtari i tij, Rexhep Bunjaku, përfaqësoi shkollën fillore të Tugjecit, me këngën “Hajredin pasha po na vjen Radikës”, me ç’ rast nga Juria profesioniste u nderua me Shpërblimin e Parë, në vlerë prej 5000 dinarësh, që atë kohë ishin sa dy paga e gjysmë të një mësuesi .

Gjatë jetës së tij, ka ushtruar këto profesione

Pedagog i kulturës muzikore me një përvojë rreth dyzet vjeçare në shumë shkolla fillore e të mesme të Kosovës, ku krahas punës edukativo – arsimore , në të gjitha shkollat ku ka punuar, ka themeluar edhe grupe e shoqëri të ndryshme muzikore, si: SHKA “Shpresa e Malësisë” në fshatin Tugjec, të Malësisë së Kamenicës, gjatë vitit shkollor 1970/71, Grupi muzikor i Shkollës Fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë , më 1974- 1977, SHKA “Kosova” në Prishtinë, më 1974, Grupi muzikor i Shkollës Fillore në fshatin Llabjan, në fshatin Slivovë, në fshatin Novo Bërdë dhe në fshatin Viti të Merecit, prej vitit 1977 deri më 1980.

Ka qenë anëtarë i rregullt i AVI “ÇIFTELIA” të Radio Prishtinës, nën drejtimin artistik të kompozitorit dhe etnomuzikologut Lorenc Antoni, prej vitit 1968 deri më 1977. Anëtar dhe bashkëthemelues i Grupit folklorik “Vëllezërit Krasniqi” në Prishtinë, prej vitit 1965 deri më 1980.

Në Gjilan, ka themelua SHKA “DITURIA” pranë shkollave të mesme të qytetit në fillim të viteve të 90-ta, pastaj themelues i Grupit muzikor “Xhevahiret e Gjilanit”, Grupi muzikor “Krasniqja” në Gjilan, Grupi folklorik “Shahiria” në Gjilan, Grupi muzikor i shkollës fillore “Selami Hallaçi “ në Gjilan, Grupi muzikor “Marigona” i shkollës fillore “Musa Zajmi” në Gjilan, Grupi muzikor i shkollës fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, Grupi muzikor “Tefta Tashko” i shkollës fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan etj. etj.
Këngëtar dhe rapsod popullor, i cili duke filluar që nga viti 1968, kur u pranua si këngëtar i rregullt i Radio Prishtinës, ka dhënë një bagazh shumë të madh incizimesh me qindra këngë dhe albume të ndryshme muzikore, duke filluar nga shiritat e celuloidit, disqeve të gramafonit, audio kasetave, video kasetave, kompakt disqeve, DVD- ve etj.

Si këngëtar dhe rapsod popullor, përveç mijëra dasmave e gazmendeve familjare gjithandej trojeve etnike shqiptare, përveç shumë koncerteve e festivaleve vendore, ka qenë katër herë përfaqësues i këngës kosovare në festivalet ndërkombëtare si: Rivista e Folklorit Ballkanik në Zagreb, Rivista e Folklorit Ballkanik në Ohër, Tubimet e Folklorit Ballkanik në Beograd dhe në Festivalin e Folklorit të popujve evropian “Danubi i kaltër” në Novi Sad, ku ka këndua në duet me Nexhmije Pagarushën , këngën “Ku po shkon moj Rrushja e lalës”, festival ky që për herë të parë u transmetua direkt përmes rrjetit televiziv evropian “Eurovizion”.

Në Jubileun e 500 – vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar legjendar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, më 1968, ka incizua dhe publikua këngën “Kushtrimi i Skënderbeut”.
Në Jubileun e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , më 1978, ka krijua, kompozua, incizua dhe publikua këngën me titull : “Lidhja e Prizrenit”.

Më 1996, ka qenë i vetmi përfaqësues nga Kosova, në Koncertin festiv mbarëkombëtar me karakter fetar në Shkodër.

Me rastin e Jubileut të 100- vjetorit të Kongresit të Alfabetit, më 15 Nëntor 2008, ka qenë i vetmi përfaqësues – kantautor nga Kosova.

Me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, është prezantuar si kantautor i këngës:”Kosova – nuse me kurorë”.

Me rastin e 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, para publikut gjilanas është prezantuar si kantautor i këngës :”100 vjet të Pavarësisë”.

Mobi Casa

Kompozitor i më se 2000 këngëve dhe valleve në frymën e melosit tradicional popullor burimor. Kënga e parë që e ka kompozua , titullohej “Kënga e vashës” dhe këtë këngë e ka incizua në Radio Prishtinë në duet me këngëtaren Liliana Çavolli.

Ka qenë pjesëmarrës disa herë me radhë në Festivalin tradicional “Akordet e Kosovës” më 1969,1970, 1974, 1976, 1980, 1988, 1995 etj. Në Festivalin tradicional “Kosovarja këndon” në Ferizaj më 1976, kënga e tij kushtuar heroit të popullit Zenel Hajdini, është shpërblyer me Vendin e Parë të Jurisë profesionale dhe me Vendin e parë të Publikut.
Që nga viti 1969 ka qenë anëtarë i Lidhjes së Kompozitorëve të Jugosllavisë (SAKOJ) në Beograd, anëtar i Mbrojtjes së të Drejtave Muzikore të Autorëve (ZAMP) dhe anëtar i Lidhjes së Autorëve të Muzikës Popullore (SANAM) në Beograd .

Është autori i këngës së parë kushtuar UÇK-së, me titull:”Rroftë Ushtria Çlirimtare”, e botuar me tekst poetik dhe notal në të përditshmen “GAZETË E RE SHQIPTARE” në Prishtinë, më datën 17 Nëntor 1998, faqe 16.
Është kantautor i himnit të Televizionit të pavarur “Festa” të Kumanovës, himnit të “Liberalëve”, “Himnit për Kosovën”, “Marshi i UÇK-së” dhe Himni i “Flakës së Janarit” në Gjilan.

Krijues poetik i mijëra poezive dhe vargjeve të dedikuara për këngë dhe rapsodi popullore.

Mbledhës i pasionuar i folklorit burimor muzikor shqiptar, i cili deri më tani ka mbledhur, shënuar dhe daktilografuar mbi 4000 këngë të llojeve të ndryshme gjithandej trojeve etnike shqiptare. Pos kësaj, ka botuar me qindra këngë burimore në “Folklorin muzikor shqiptar” Bleni 4,5,6 dhe 7 të Lorenc Antonit.

Publicist i shumë studimeve etnomuzikologjike nëpër shumë gazeta, revista dhe agjenci të ndryshme të internetit.

Është radio-gazetar dhe gazetar hulumtues i diplomuar, profesion ky që e ka ushtruar në shumë mediume publike elektronike dhe të shkruara, e që edhe sot punon palodhshëm në këto lëmi . Ndër mediumet publike në të cilat ka punua si gazetar dhe moderator i shumë emisioneve, duhet përmendur : Radio “Viktoria” në Gjilan, Televizioni i pavarur “Vali” në Gjilan, gazeta “Bashkimi” në Gjilan, Gazeta javore “Fokus” në Prishtinë, gazeta javore “Perspektiva” në Preshevë dhe veb faqja elektronike “Zemra Shqiptare” në Londër .

Për punën dhe kontributin e tij, gjatë karrierës prej këngëtari e krijuesi muzikor është nderuar me qindra mirënjohje, pllaketa, e dekorata tjera.

Demir Krasniqit, për mbledhjen dhe publikimin e dy veprave muzikore të këngëtarit legjendar kosovarë Qamili i Vogël – Muhaxhiri ( pas vdekjes së tij) , Familja e këtij këngëtari të pavdekshëm, ia dhuroi dy kompletet e gardërobave kombëtare të Qamilit të Vogël, dhurata këto që Demir Krasniqi i mbanë, i veshë dhe i ruan me krenarinë dhe respektin më të madh njerëzor .

Në Qershor të vitit 2010, përmes Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, dy këngët autoriale të Demir Krasniqit:”Faleminderit Amerikë” dhe “ Këngë për Presidentin Bill Klinton”, i dorëzohen në duar Presidentit historik të SHBA-së, Bill Klinton, i cili e falënderon publikisht autorin dhe këto dy këngë janë të parat në historinë e folklorit muzikor shqiptarë, të cilat hynë në Muzeun e burrështetasve amerikanë, në Shtëpinë e Bardhë të Vashingtonit.

Në Festivalin tradicional “Zëri i Alfabetit-2011” në Manastir, Demir Krasniqi nderohet me një mirënjohje dhe me “Plaketën e Kongresit të Manastirit”.
Në çmimet e Dhjetorit të vitit 2011, nën moton:”Me më të mirët”,organizuar nga Kuvendi Komunal dhe DKRS e Gjilanit, nderohet me mirënjohje “PËR KONTRIBUTIN SHUMËVJEÇAR NË SFERËN E ARTIT DHE TË KULTURËS”.

Deri më tash, ka publikuar këto vepra autoriale:

“Mallëngjime e oshtima” – Prishtinë, 1993,
“Qamili i Vogël – zë që nuk shuhet”(monografi)-Prishtinë,1995,
“Gjakon Kosova” – Gjilan, 1998,
“Bejtë Pireva” – Gjilan, 2002,
“Zeqir Maroca” – Gjilan, 2002,
“Këngë krismash lirie I” – Gjilan, 2003,
“Këngë krismash lirie II” – Prishtinë, 2003,
“Familja Kurti nga Tugjeci “ (monografi) – Prishtinë, 2004,
“Shtojzovallet e Gollakut”, ETMMK – Prishtinë , 2005,
“Kushtrim lirie” – Gjilan, 2005,
“Liman Shahiqi – trimi i Gollakut” – Prishtinë ,2005,
“Kroi i këngës “- Gjilan, 2006,
“Qamili i Vogël – Këngë përjetësie” – Gjakovë, 2006,
“Valle popullore” – Gjilan, 2007 ,
“Këngë dhe ilahi fetare” – Gjilan, 2007,
“Krenaria e Gollakut” – Gjilan, 2008 ,
“Diell lirie” – Gjilan, 2008 ,
“Lirika popullore e Gollakut” – Gjilan, 2008,
Gëzim Marku :”Intervistë me Demir Krasniqin”, botoi “Zemra Shqiptare” – Londër , më 2009 ,
“I pa epur” – Gjilan, 2010,
“Malli për Gollakun” – Gjilan, 2010,
“Djepi i këngës” – Gjilan, 2011,
“Therje me vegsh “ – Gjilan , 2011.
“Amaneti” – Gjilan, 2011.
“Tinguj dhe ofshama” – Gjilan, 2012.
“Komentime dhe përkushtime” – Gjilan, 2012.
“ Kënga ime” – Gjilan, 2012.
“ Sofra e këngës ” – Gjilan, 2012.

Jeton i pa punë, pa kurrfarë të ardhurash dhe krijon në Gjilan.
Motoja e punës dhe krijimtarisë së tij, është:

“Për emrin e Zotit,
Për nderin e kombit,
Për gjakun e dëshmorëve,
Për eshtrat e varreve”!

Demir Krasniqi ndihet i përbuzur, anatemuar dhe anashkaluar në ngjarjet kulmore

Demir Krasniqi krijues, këngëtar me shumë merita, lavdërata e mirënjohje, njeriu që përshkroi e këndojë çdo pjesë të historisë, krijues që u këndoj të gjithëve dhe u thuri lavde e merita atyre që ishin kombëtarisht të ngritur ka një varg pakënaqësish që lidhen me manifestimet e “Flakës së Janarit”. Thotë se është i përbuzur, i nëpërkëmbur, i anashkaluar dhe i anatemuar paturpësisht nga organet komunale dhe drejtoria e kulturës. Lexojeni rrëfimin dëshpërues të Demir Krasniqit drejtuar organeve komunale dhe publikut.

Me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar legjendar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, më 1968, kur më se 90% të popullsisë shqiptare nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, nuk e dinin se kush kishte qenë Skënderbeu, kurse ata që dinin pak a shumë për këtë figurë të madhe historike shqiptare, as që guxonin t’ ia përmendin emrin, as veprat e tij – këngëtari kosovarë Demir Krasniqi për herë të parë e incizoi në disk të gramafonit, mu në mes të Radio Televizionit të Jugosllavisë në Beograd, këngën me titull: ”KUSHTRIMI I SKËNDERBEUT”. Atë kohë, nuk kishte shtëpi, as banesë mbi trojet shqiptare që nuk jehonte fuqishëm nga gramafonat, kënga “Frynë murrlani me stuhi” , në interpretim të Demir Krasniqit.

Që prej atëherë e deri në përfundim të karrierës së tij muzikore, Demir Krasniqin nuk e lanë të qetë këlyshët e UDB-së serbo – jugosllave duke e përcjellë në çdo hap se ku po këndon dhe çka po këndon ?!

Pos qindra përndjekjesh, përgjimesh e dënimesh të kësaj natyre, në vitin 1989, kur Demir Krasniqi ishte duke kënduar zyrtarisht në Hotelin “Kristal” të Gjilanit, në ora 23.45 minuta, në sallën e këtij Hoteli erdhën 6 milicë serb të Stacionit të Milicisë së Gjilanit, nën udhëheqjen e kryemilicit të quajtur Svetisllav Karaxhiq nga Parteshi, i qiten mysafirët përjashta Hotelit, kurse Demir Krasniqin e mbështetën për dërrasash të murit të sallës së vogël dhe deshën që ta pushkatojnë , vetëm e vetëm pse po këndonte shqip ?!

Në jubileun e 550 – vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, askush nga DKRS e Gjilanit, nuk e fton për së gjalli për program kulturo – artistik Demir Krasniqin ?!

Demir Krasniqin e njeh ish Presidenti i SHBA- së, z. Bill Klinton dhe ai i mbanë për kujtim 2 këngë të Demir Krasniqit në Muzeun e Shtëpisë së Bardhë, që është i vetmi këngëtar shqiptar, por Demir Krasniqin nuk e njohin, as nuk e dëgjojnë organet zyrtare të DKRS të Gjilanit ?!

Demir Krasniqi është autor i tekstit dhe i melodisë së Himnit të “Flakës së Janarit” , por drejtuesit institucional të kulturës së Komunës së Gjilanit, në as një mënyrë nuk e njohin Demir Krasniqin, nuk e nderojnë dhe nuk i janë mirënjohës në asnjë mënyrë ?!
Demir Krasniqi është krijues dhe autor i gjithsejtë 124 librave nga fusha e artit muzikor, por organet e DKRS të Gjilanit, nuk duan ta dinë, as ta njohin këtë kontribut të tij, për jetë të jetës ?!

Demir Krasniqi është krijues i teksteve dhe melodive të shumë e shumë heronjve e dëshmorëve të kombit nga të gjitha krahinat dhe trevat etnike shqiptare, por për këtë krijimtari DKRS e Gjilanit, as që do ta dijë, apo ta lodhi trurin për ta nderuar në çfarëdo mënyre krijuesin, interpretuesin dhe bashkëvendësin e tyre – Demir Krasniqin e shkretë me gjithsejtë 75 Euro pension ?!

Demir Krasniqi është mbledhës i Folklorit burimor muzikor nga malësia e Gollakut, ku ka punuar hiq më pak se 40 vjet dhe ka mbledhur 1216 këngë burimore të krijuara dhe të kënduara nga femrat analfabete të kësaj Malësie, të përgatitura për shtyp në gjithsejtë 560 faqe shtypi, por që DKRS e Gjilanit, as Drejtoria e Muzeut të Gjilanit, nuk deshi kurrë që t’ ia botoi këtë libër, vetëm e vetëm pse ky pedagog, muzikolog, krijues dhe interpretues është i lindur në Malësinë e Gollakut të Kamenicës ?!

Për kontributet tjera kulturore të këtij artisti të nëpërkëmbur popullor, ka se çka të flitet me ditë të tëra, por kësaj radhe ishte vetëm një pjesë e zemërimit të tij./rajonipress/