Uji Dea

Demarkacioni mbetet i pazgjidhur

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Markoviq: Për Malin e Zi, Demarkacioni i kufirit me Kosovën është rrumbullakuar me ratifikimin e saj në Kuvend

“Kjo klasë politike e inkriminuar u humbi qytetarëve të Kosovës vite të tëra, duke i lënë në ” statusquo”, dhe pa liberalizim vizash dhe pa një perspektivë, duke luajtur me kartën e Demarkacionit për interesa politike”, potencoi analisti Ragip Guraziu për gazetën “Kosova Sot”

Demarkacioni mbetet temë e hapur për Kosovën. Por, për Malin e Zi, Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Kosovën është rrumbullakuar me ratifikimin e saj në Kuvend. Kështu ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një takimi që zhvilluan në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës. “Kur është fjala për Malin e Zi, çështja e Marrëveshjes së demarkacionit është e rrumbullakuar, kurse në Kosovë, Kuvendi nuk e ka ratifikuar atë”, tha Markoviq. “Ne si shtet mik i Kosovës duam që të zgjidhet kjo çështje. Nuk duam që të krijohen probleme”, theksoi kryeministri i Malit të Zi.”Mendoj se do të gjejmë zgjidhjet më të mira që ta kemi marrëveshjen e ratifikuar”, theksoi ai, duke shtuar se me këtë hap, Kosova do të përfitonte edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Rreth çështjes së Demarkacionit ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në Prishtinë njihet edhe si kundërshtari më i ashpër i Marrëveshjes së nënshkruar në gusht të vitit 2015 nga ana e ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, përkatë- sisht presidentit aktual Hashim Thaçi, me mbështetjen e ish-kryeministrit Isa Mustafa. “Ka një vullnet të mirë që të gjendet dalja nga gjendja në të cilën jemi dhe kam shpresë se do të gjendet një zgjidhje”, tha Haradinaj, duke mos dhënë detaje të tjera. Ndërkaq, Markoviq tha se “Mali i Zi nuk ka probleme me Kosovën”. “Kemi disa çështje të hapura, por të cilat do të gjejmë përgjigje cilësore në të ardhmen”, theksoi Markoviq.

Marrëveshja jotransparente dhe e dëmshme

“Tema e Demarkacionit megjithatë do të ngatërrojë edhe më shumë situatën politike. Kjo ” status-quo” politike dhe e rrjedhave ekonomike, apo edhe kthim mbrapa i proceseve po bën që të rinjtë tanë t’i humbin shpresat, duke kërkuar shpëtim diku në vendet e zhvilluara perëndimore”, tha Skënder Mulliqi për “Kosova Sot”

Analisti i politikës, Skënder Mulliqi tha për “Kosova Sot” se ” tema e Demarkacionit është e interesit shtetëror dhe nacional. “Demarkacioni dhe temat e tjera si kjo duhet të kenë konsensus nacional. Dihet se për territore edhe bëhen luftërat në botë. Kjo temë me kohë u elaborua keq dhe jo seriozisht dhe tash duket se kemi ardhur para një aktit të kryer. Ata që e prunë këtë gjendje me Demarkacionin ishte dashur të japin llogari. Kjo klasë politike u tregua klasë joserioze, u tregua më shumë lakmitare për pushtet absolut, se sa të merret me zgjedhjen e problemeve të qytetarëve për çka edhe është e thirrur”, u shpreh ai. “Qeveritë e deritashme nuk punuan mirë dhe të cilat firmosën edhe shumë marrëveshje të dëmshme për Kosovën gjatë bisedimeve më palën serbe, në këtë kontekst edhe demarkimi i vijës kufitare me Mal të Zi. Shumëçka nuk ishte transparente sa duhet për opinion e gjerë dhe kjo mostransparencë është duke i kushtuar Kosovës. Në Kuvend ka mundësi të shkojnë varianti zyrtar i Murat Mehës dhe Raporti i Ekspertëve. Se a do të hidhet poshtë varianti zyrtar për t’i lëshuar rrugë variantit të eksperteve si variant i drejtë mbetet të shihet .Së fundi, është hedhur ideja që të votohet varianti i Mehës në Kuvend e pastaj që t’u lihet vend korrigjimeve, që për mua është absurditet i llojit të vet, ose është kjo ndonjë lojë politike që zor se kalon pa pasoja”, potencoi Mulliqi. “Edhe faktori ndërkombëtar duket se nuk janë të interesuar që proceset të kthehen mbrapa për gabimet tona. Ky joseriozitet rreth qasjes së problemeve thelbësore për Kosovën, siç është edhe tema e Demarkacionit, është duke na kushtuar me izolim, kemi mbetur i vetmi vend në Evropë pa liberalizim të vizave”, ka thënë ai.

FIDANISHTJA

Qeveria të bjerë, nëse dështon ratifikimi

Ndërsa, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Blerim Burjani, për ” Kosova Sot”, tha se gjendja e tillë e krijuar artificialisht që tre vjet me mosratifikim të Demarkacionit është përgjegjësi e natyrës politike . ” Këto subjekte politike kanë vepruar plotë- sisht në kundërshtim me interesin e qytetarëve dhe në një shtet normal, natyrisht që do të kishte përgjegjësi së paku për ato parti që veprojnë kundrejt qytetarit të mos votohen më. Pra, nuk votohet për partitë që u bëjnë dëm qytetarëve dhe kjo nuk ka kuptim fare”, theksoi ai. “Edhe më keq për një vend është që një parti e vogël e merr postin e kryeministrit për politikë të dëmshme bërë qytetarëve, andaj ky koalicion, nëse nuk e kalon këtë temë, duhet të bjerë nga pushteti sa më parë dhe mos të humbin kohë me njerëz që duan veç pushtet, pa marrë parasysh se nuk kanë asnjë kapacitet për të udhëhequr shtetin”, shtoi më tej Burjani.

Kurse analisti Arsim Haziri tha për “Kosova Sot” se gjithë skenarët për çështjen e demarkimit mund të jenë të mundshëm. “Çdo ngadalësim i mëtejmë i kësaj problematike edhe më shumë ndikon në shtyrjen e liberalizimit të vizave për vite të tjera, sidomos kur e dimë që viti 2019 është vit i zgjedhjeve në BE dhe kjo çështje më nuk mund të trajtohet”, u shpreh ai.

Nuk falet territori për viza

Ymret Reshiti, analist, tha për ” Kosova Sot” se Kosova nuk duhet të ngutet që të falë tokë për të arritur një proces teknik, siç është ky i liberalizimit të vizave. “Asnjë shtet i anëtarësuar në BE deri më sot nuk ka humbur asnjë centimetër tokë që të fitojë liberalizimin e vizave apo anëtarësimin e plotë. Rast të mospajtimeve të demarkacionit ka pasur në mes Sllovenisë dhe Kroacisë, ku çështja u zgjidh në arbitrazh. Tani, BE-ja me strategjinë e saj të zgjerimit në Ballkan ka minimizuar rëndësinë e çështjes së demarkacionit, sidomos në situatën që kemi në mes Kosovës dhe Malit të Zi”, u shpreh ai. Sipas tij, stagnimi i miratimit të Demarkacionit sipas variantit Meha është treguar i drejtë dhe i arsyeshëm nga ana e gjithë atyre forcave politike dhe qytetare që e kanë kundërshtuar. ” Mali i Zi dhe Kosova duhet edhe një herë në mirëbesim të fillojnë të rivlerësojnë çështjen e Demarkacionit, por tani në rrethana të reja politike dhe konform frymës së strategjisë së BE-s për zgjerim në Ballkan, ku Mali i Zi nuk e ka më privilegjin që njëanshëm të kontestojë Demarkacionin me Kosovën. Një rifillim i procesit të Demarkacionit në bazë të mirëkuptimit reciprok në mes Kosovës dhe Malit të Zi do të mënjanojë çfarëdo ngarkesash politike në marrëdhëniet e tyre diplomatike dhe njëherësh do të vërtetojë marrëdhëniet e mira fqinjësore”, theksoi Reshiti. “Demarkacioni nuk ka qenë asnjëherë kusht i BE-së, por kusht është bërë pas lobimit të Hashim Thaçit tek zyrtarët e BE-së dhe të Departamentit të Shtetit Amerikan. Pushtetarët e Kosovës, të cilët punuan që Demarkacioni të bëhet kusht për liberalizimin e vizave, kanë pasur si qëllim që të shmangin plotësimin e kushtit të vërtetë për liberalizim të vizave, i cili është luftimi i korrupsionit”, shpjegoi ai.

Ndërsa, analisti Ragip Guraziu, për “Kosova Sot”, tha se është e pritshme që më në fund të zhbllokohet çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të votohet pikërisht marrëveshja e njëjtë në Kuvend, rreth se cilës po bëhen drama për poenë politikë për vite me radhë. Ai është i bindur se këtë çështje do ta kalojë ky Parlament dhe me siguri do të ndodhë Demarkacioni i kufirit të Malit të Zi sipas variantit të Murat Mehës. “Kjo klasë politike e inkriminuar u humbi qytetarëve të Kosovës vite të tëra, duke i lënë në ” statusquo”, dhe pa liberalizim vizash dhe pa një perspektivë duke luajtur me kartën e Demarkacionit për interesa politike”, potencoi ai. Sipas Guraziut, nuk ka qenë dashur që të humben rreth tre vjet për Demarkacionin, dhe të humbet shansi për liberalizim të vizave.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.