Demarkacioni kthen gazin në Kuvend

Procedimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi ka bërë që gazi lotsjellës pas më shumë se pesë muajsh të kthehet në Kuvend. Derisa kjo marrëveshje po shqyrtohej në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, nënkryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Driton Çaushi, ka hedhur gaz duke e pamundësuar vazhdimin e debatit për këtë marrëveshje. Megjithatë, në momentin që është hedhur gazi kryesuesi i këtij Komisioni Elmi Reçica, e ka hedhur në votim Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion, projektligj ky i cili u miratuar me gjashtë vota “për” dhe në këtë mënyrë tani i dërgohet Kryesisë së Kuvendit për ta proceduar në seancë plenare. Çaushi më vonë është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Para se të hidhej gazi lotsjellës, në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme është zhvilluar debat i ashpër ndërmjet anëtarit të këtij Komisioni Ismet Beqirit dhe deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj-Bujupi, të cilat bashkë me deputetët tjerë të “Vetëvendosjes” Driton Çaushi e Ismajl Kurteshi kanë marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit. Ky konfrontim ndodhi pasi deputetja Haxhiu ka kritikuar anëtarët e Komisionit se nuk po thonë asgjë për marrëveshjen.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Ismet Beqiri ka thënë se do ta përkrahë vendimin që kjo marrëveshje të procedohet për në Kuvend pasi që, sipas tij, nuk është dëshmuar se Kosova humb territor.
Beqiri ka ironizuar me deputetët e “Vetëvendosjes” duke u thënë se ato janë shumë të mençura dhe se i dinë të gjitha. “Këto munden me fol duke filluar prej ligjeve këtu e deri edhe tek çështja e ngrohjes globale”, është shprehur Beqiri.
Ndërsa deputetja e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu, i ka thënë Beqirit që atë e njeh e tërë Kosova. “O Ismet ty të njeh e tërë Kosova… nuk ki çka na fol” ka deklaruar Haxhiu.
Kurse anëtarja tjetër e Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e “Vetëvendosjes”, Puhie Demaku, ka thënë se janë tri arsye për të cilat kjo marrëveshje nuk duhet të dërgohet në Kuvend. Arsyeja e parë, sipas saj, është Rezoluta e 25 qershorit 2015, e cila i kërkon Qeverisë të mos e nënshkruajë marrëveshjen pa u dërguar në Kuvend elaborati i marrëveshjes. Arsyeja e dytë, sipas deputetes Demaku, është peticioni i mbi 200 mijë qytetarëve. Ndërsa arsyeja e tretë, sipas saj, është tryeza e 3 gushtit.
Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se marrëveshja nuk duhet të dërgohet në Kuvend. Ndërsa deputeti i PDK-së, Shaip Muja, ka thënë se gjatë procedurës së nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje janë bërë disa shkelje ligjore, prandaj Muja ka thënë se pa u larguar dyshimet për gabime nuk do ta votojë këtë marrëveshje. Për këto shkelje ligjore ai e ka fajësuar ish-presidenten e vendit, Atifete Jahjaga. Por, sërish ka reaguar deputetja Haxhiu duke thënë se fajtori kryesor është presidenti aktual Hashim Thaçi, pasi në cilësinë e ministrit të Jashtëm e ka nënshkruar këtë marrëveshje.
“Hashim Thaçi e ka nënshkruar marrëveshjen që i fal tokat e Kosovës, prandaj është tradhtar i kombit. Ai duhet të shpallet tradhtar dhe të bartë përgjegjësi penale”, ka thënë Haxhiu.
Edhe më e ashpër ka qenë deputetja Donika Kadaj-Bujupi, e cila ka thënë se kjo Lëvizje nuk do të rrijë duarkryq gjatë votimit të Demarkacionit.
“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ do t’i përdorë edhe format më jokonvencionale për ta ndalur tradhtinë që po i bëhet vendit”, ka potencuar Kadaj-Bujupi./zeri/