Demaj: Pushteti aktual vetëm të këqija i ka sjellur Vitisë
Gjilan – Demokristianet e Vitisë kanë vendosur që në zgjedhjet e tre nëntorit të garojnë me një listë të vetme dhe me kandidatin e saj për kryetar i cili ditë me parë është emëruar nga kryesia qendrore, Emanuel Demaj, që njëherësh është edhe sekretar i përgjithshëm i PSHDK-së. Demaj ka hedhur poshtë zërat se mund të ketë ndonjë koalicion me LDK, PDK apo AAK.
Ai gjatë një takimi që kishte me anëtarësinë e PSHDK-së në Stubëll të Epërme të Vitisë, tha se kjo qeverisje lokale e cila deri me tash i ka sjell vetëm të këqija kësaj komune, nuk mundë të përkrahet nga demokristianët, sepse komuna e Vitisë është bërë pronë private e Nexhmedin Arifit dhe e Skënderbe Hebibit, njëri kryetar komune e tjetri kryesues i kuvendit komunal. “Ata vendosin për gjithçka në komunën e Vitisë, si për tender, punësim, largim, ndëshkim” etj.
Demaj ka thënë se komuna e Vitisë nuk ka pasur opozitë, të gjithë kanë qenë pjesë e pushtetit lokal, çdo delegat në kuvendin komunal ka punësuar nga një familjar nëpër administratën publike, arsim apo edhe nëpër vende të tjera.
“Unë besoj se qytetarët e Vitisë kësaj radhe nuk do të gabojnë prapë duke votuar dhe përkrahur shkelësit më të mëdhenj të ligjit dhe ata të cilët e kanë lënë komunën e Vitisë një ndër qytetet me më pak investime në Kosovë”, tha Demaj./rajonipress/


