Demaçi: Isa s’ka çka i bën Jablanoviq-it

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Adem Demaçi mendon se Isa Mustafa nuk mund të vendosë për shkarkimin e Ministrit Aleksandar Jablanovic, pas komenteve që bëri në ditën e Krishtlindjeve Ortodokse – kur qytetarët e Gjakovës i quajti “egërsira”.

Ndërkohë që ministri serb ka vazhduar me deklaratat e cilësuara si provokuese, duke thënë se nuk e di që në Kosovë kanë ndodhur masakra gjatë kohës së luftës, Qeveria ka preferuar ta vazhdojë heshtjen.

Në një prononcim për Politiko.net, Adem Demaçi flet për këtë çështje dhe shpjegon pse Kryeministri i Kosovës nuk mund të bëjë asgjë në relacion me Jablanoviq-in, sepse nuk mund të shpërfillë politikat e Bashkimit Europian.

“Kjo e keqe, ka filluar shumë më herët. Sepse, ne nuk patëm qare, pasi i dëgjuam miqtë tanë, të cilët menduan se është e lehtë të merren me çetnikët. Rezoluta 1244, Marrëveshja e Kumanovës, Pakoja e Ahtisaarit, të gjitha këto ishin lëshime që i bëmë për hir të miqve tanë ndërkombëtarë. Kështu që, jemi në një situatë të vështirë”.

“Nuk mund që Isa Mustafa ta shkarkojë Ministrin Jablanovic. Ky problem është me këta të huajt, sepse ata po duan që Serbinë ta marrin me të mirë”.

“Rusia, në anën tjetër, po mundohet ta shpartallojë Bashkimin Europian. BE me zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror, është bërë tërheqëse për shtetet tjera që kanë rënkuar dhe rënkojnë në BE”.

“Këto shtete po kanë dëshirë të bashkohen me BE-në, sepse kanë interes. Tash, Rusia nuk po mund ndryshe t’i përvetësojë këto shtete”.
“Tash, jemi në një situatë nëse duam ne që t’i bashkohemi politikës europiane, e cila po mundohet ta tërheqë Serbinë nga ajo politikë e dhunës, politikë hegjemoniste. Zyrtarët europianë dhe amerikanë nuk po shohin që ka rrugë tjetër, vetëm duke na detyruar që të bëjmë lëshime, e kështu po mundohen ta mbajnë njëfarë kontakti me Serbinë”.

Eco Higjiena

Adem Demaçi thotë më tuje për Politiko.net se Kosova do ta vazhdojë sërish Dialogun me Serbinë dhe sërish do të kërkohen lëshime, deri në fazën kur nuk ka më të bëhen lëshime.

Ai rikujton se për të aderuar në BE, janë disa kushte të rëndësishme dhe të rënda.
“Serbia, nuk besoj, që do të mund t’i plotësojë të gjitha këto kushte. Serbia duhet ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur, ndryshe nuk mund të anëtarësohet në BE”.
Kështu, Demaçi mendon se Isa Mustafa nuk ka çfarë të bëjë me Ministrin e Qeverisë së tij, Jablanovic.

“Prandaj, duhet pasur njëfarë mirëkuptimi për Isa Mustafën, sepse ai nuk është një njeri që mund të vendosë dhe mos ta shpërfillë politikën e Europës”.
“Në rend të parë, ai po e poshtëron vetë Isa Mustafën. Mirëpo, Isa Mustafa po e përfill atë farë poshtërimi”.

“Ai po thotë që nuk e ka ditur për masakrat. Si nuk e ka ditur ai, kur krejt bota e ka ditur për masakrat që kanë ndodhur në Kosovë. Por, në natyrën e kriminelëve serbë dhe çetnikëve serbë është dyfytyrësia”.

“Unë e di se Gjakova sigurisht nuk mund të pajtohet që të vijnë aty çetnikët dhe të hedhin valle, kinse po merren me punë fetare. Gjakova nuk mund t’i injorojë këto poshtërime që po na i bëjnë. E kuptoj Gjakovën, e kuptoj popullin e Kosovës”.

“Kosova gjendet në një situatë të vështirë, delikate, sepse ne nuk u çliruam dot vetë. Ne nuk mundëm ta çlirojmë dot veten”.
“Krejt këto janë lëshime tonat, që po na imponohen nga miqtë tanë”.

“Kjo situatë është aq e ndërlikuar dhe aq e vështirë saqë qytetari i thjeshtë nuk e kupton”, ka deklaruar Adem Demaçi për Politiko.net.