Demaçi: Gjykata Speciale, shkelje mbi gjakun e shqiptarëve

Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi ka shprehur bindjen se themelimi i Gjykatës Speciale që do të hetonte krimet e supozuara të kryera nga UÇK-ja gjatë luftës së fundit në Kosovë, është shkelje mbi gjakun e shqiptarëve. Kjo i ka dhënë shkas atij të konkludojë se Kosova nuk është ende e lirë.
Prandaj, Demaçi, ua ka kujtuar udhëheqësve të vendit se kanë përgjegjësi për ta bërë lirinë e plotë të Kosovës.
Kështu ka thënë ai në kuadër të shënimit të 15 vjetorit të rënies së heroit Isa Kastrati, në një akademi përkujtimore që është mbajtur në Gjilan, teksa ka marrë shkas nga kërkesa ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës Speciale në Kosovë.
“Shqiptarët po detyrohen që të pranojnë diçka që shkel interesat e tyre”, ka thënë Demaçi. “Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet të insistojë te shqiptarët të shkelin mbi gjakun e tyre”, ka shtuar ai./rajonipress/