Hidromorava

Demaçi: Evropa gaboi me Gjykatën Speciale

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi shpreson se qeveria e dy partive me të mëdha në vend të filloj seriozisht të punoj në zhvillimin ekonomik, që është plaga më e madhe e shoqërisë në Kosovë.

Ndërsa, e quan gabim themelimin e Gjykatës Speciale, sepse është Serbia ajo që ka kryer krime në Kosovë, e jo populli i Kosovës që luftoj për liri.

“Një prej gabimeve është që gjithashtu nuk u mjaftuan me këto gjykimet që janë bërë në Hagë, por duhet edhe më tutje t’ua bëjnë qejfin çetnikëve të Serbisë dhe t’i marrin dhe t’i akuzojnë luftëtarët. Nuk besoj që një popull i cili ka luftuar për mbrojtjen e vet, nuk kemi qenë ne ata që e kemi sulmuar Serbinë. Serbia ka qenë ajo që na ka luftuar neve, ka dashur të na shfaros nga këto troje, njëqind vjet, jo dje, as pardje, por njëqind vjet Serbia nuk e ka ndal politikën eliminuese të shqiptarëve nga trojet e veta, duke na shpërngulur, duke na burgosur. Dhe tash të vijë situata që një Evropë që me gjithë këto burokraci, me këto dije që ka, të mashtrohet nga një Serbi çetnike, që bëri katër luftëra, duke filluar nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja, e deri të lufta në Kosovë. Kjo është një diçka që nuk mund ta mendoj mendja e njeriut. Kjo është një diçka që nuk e kemi pritur nga Evropa”, thotë Demaçi.

Sipas tij, Parlamenti Evropian po merr vendime nga zyrat dhe nën sugjerimet që i vijnë nga Serbia dhe nga burimet tjera.

Ai thotë se individët dorëzohen përball sfidave të tilla, por jo edhe popujt, derisa shprehet optimist se me ndihmën e vendeve mike Kosova do të dal nga kjo gjendje e rëndë ekonomike.

Fundamenti

Demaçi thotë se ekonomia e dobët nuk mund ta financojë as arsimin, shëndetësinë, as kulturën, çka arsimi, kultura dhe shëndetësia janë në gjendje shumë të keqe.

“Ekonomia nuk është zhvilluar në bazë të ndonjë plani të saktë dhe këmbëngulës, por ka manovruar andej- këndej. Sot shembull pjesën me të madhe të buxhetit e kemi nga doganat, çka do të thotë kjo, do të thotë ekonomia jonë nuk është askund hiq. Ne meqë jemi të hapur për mallrat e dynjasë që vijnë këtu, atëherë edhe doganat nxjerrin përfitime të caktuara për t’i lejuar ato mallra që të vijnë këtu. Këto janë ato të ardhura tona që janë për ne dhe i deponojmë dhe me këto të ardhura e bëjmë buxhetin tonë. Edhe pse është dashur që buxheti ynë të mbushet nga prodhimet, nga shitjet e prodhimeve tona që do t’i bënim edhe brenda edhe jashtë”, thotë Demaçi.

Megjithatë, simboli i rezistencës për liri e pavarësi, thotë se nuk i humb shpresat që kjo qeveri do të punoj në ngritjen e ekonomisë dhe zbutjen e papunësisë, pasi domosdoshmëria do t’i detyrojë ta bëjnë këtë.

“Unë shpresat nuk i humb kurrë, unë mendoj që patjetër do të detyrohen, do të thotë domosdoshmëria do të na detyrojë neve që të gjejmë rrugë, që të hapim shtigje të reja që të ecim përpara. As një popull nuk dorëzohet, individët dorëzohen, por populli nuk dorëzohet. Ka shumë individ, zhgënjehen, demoralizohen, e tjerë, por popujt në përgjithësi qëndrojnë, edhe ata me gjeniun e vet gjejnë rrugë dhe rrugëdalje tjera. Mendoj edhe besoj që edhe premtimet që i ka dhënë Gjermania, kohëve të fundit, Gjermania si mike e vërtetë do të jetë një shtytje e madhe për zhvillimin tonë”, thekson ai./zeri/