Demaçi: Amerika e ka autorizuar Turqinë të kujdeset për shtetin e Kosovës

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Adem Demaçi e ka gjetur “fajtorin” pse Turqia dhe Kryeministri i saj, Recep Tayyip Erdogan po vijnë në Prishtinë dhe me lehtësi po deklarohen se “Kosova është Turqi”.Demaçi ka thënë se krejt këto lëvizje të turqve në Kosovë po bëhen pasi Amerika e ka autorizuar Ankaranë që të merret me shtetet e shqiptarëve në Ballkan.

Sipas tij, SHBA’ja e ka autorizuar Turqinë të merret me Kosovën.

“Këto metafora që përdorë z. Erdogan “Kosova është Turqi” i bën për të treguar afërsinë. Ne jemi shteti i vogël, i ri dhe që kemi nevojë për një mbrojtje. Nuk ka mundësi që Amerika të merret gjithmonë me ne. Amerika i ka autorizuar turqit që të kujdesen për Shtetin e Kosovës”, ka thënë Demaçi, për Gazetën Express.

“Ne e kemi miken kryesore Amerikën”, ka shtuar ai.

Autori i libri “Gjarpërinjtë e gjakut” thotë se askush s’duhet të ketë frikë nga turqit se mund të riokupojnë tokën e shqiptarëve.

“Merreni pak ma me sabër këtë dashuri të madhe që po e shpreh Turqia ndaj nesh, merreni pak me kallajllëk dhe me javash. Ne nuk kemi frikë se Turqia mund të na okupoj ose riokupoj”, ka thënë ai.

Sipas tij, miqësia me Turqinë ndikon drejtpërdrejtë te Serbia dhe Greqia të kenë kujdes me dy shtetet e shqiptarëve.

“Ju e dini, ushtrinë e Shqipërisë e furnizojnë me armë dhe e ushtrojnë turqit. Qiellin e Kosovës e mbron aviacioni turk. Ne jemi të rrethuar nga shtete të cilat gjithmonë kanë lakmuar që të na shkëpusin ndonjë copë. Sot Turqia po vihet në mbrojtje tonë. Këtë e din edhe Turqia, edhe Greqia, edhe Serbia, e dinë edhe të tjetër. Kështu që ne kemi nevojë për një miqësi shumë të ngushtë me Turqinë”, ka shtuar ai.

RCCOLA

Kryeministri i Turqisë Erdogan ka qëndruar të mërkurën në Aeroportin e Prishtinës ku ka bërë përurimin e Terminalit të ri, i ndërtuar nga një kompani turke.

Përveç në Sllatinë, Erdogan ka qëndruar edhe në qytetin shumëetnik të Prizrenit, ku ka thënë se “Kosova është Turqi e Turqia është Kosovë”.

Demaçi shpjegon se këto krahasime të Kryeministrit të Turqisë nuk po iu pëlqejnë disa njerëzve në Kosovë për shkak se turqit dikur ishin okupator të egër të shqiptarëve.

“Shiko, kjo është një metaforë që e ka përdor z. Erdogan. Se Erdogani nuk është budalla mos me e ditë që Kosova është Kosovë e Turqia është Turqi. Mirëpo, ngapak po ju pengon njerëzve kjo afri – jo vëlla, jo si në shtëpinë time – ne jemi mësuar me Turqinë me pas njëfarë distance, se kanë mbetur ende ato kujtimet tona të hidhura. Ata thonë se kemi bashkëjetuar pesëqind vjet, por duhet ditur se ata kanë qenë okupator dhe ne kemi qenë të okupuar. Kjo ka qenë bashkëjetesë, por ata mundohen sikur ta përkthejnë atë robërinë e tyre sikur kanë ardhur të na shpëtojnë”.

Demaçi kërkon nga Qeveria dhe institucionet tjera të punojnë më shumë që Kosova të mos jetë kaq shumë e varur nga shtetet e tjera.

Ai thotë se vendet e BE’së kanë hezituar, i ka kapur kriza financiare dhe në këtë formë i kanë lënë hapësirë Turqisë të investojë jo vetëm në Kosovë.

“Ekonomia e Turqisë është e gjashta në Europë, dhe është ekonomia e gjashtëmbëdhjetë në botë. Turqia ka përjetuar një zhvillim të jashtëzakonshëm në këto dhjetë vjetët e fundit. Meqë, Turqia ka afinitet vjen këtu investon dhe këto shtete tjera europiane po kujtohen dhe janë vonuar si dhe kanë rënë në krizë të rëndë financiare ekonomike. Kapitalizmi e ka këtë punë, ti investon ku të mundesh”, ka deklaruar ai.