RCCOLA

Delegjitimimi

/ 9 minuta lexim

Nga Petrit Selimi- Kohëve të fundit po vërehet një fukarallëk i ideve tek ata që dëshirojnë rrëzim të qeverisë me çdo kusht, qoftë edhe me mjete joparlamentare. Në mungesë të ideve, ofendimet dhe thirrjet jakobine që synojnë delegjitimin e pushtetit me argumente falso dhe joligjore nuk sjellin asgjë pos që krijojnë atmosferë nxitëse.

1. “Hajnia”

Cikli i fundit zgjedhor ka qenë ndër eksperiencat më traumatike të demokracisë së njomë kosovare. Atmosfera parazgjedhore ishte e konfuzionit të përgjithshëm, e shkaktuar nga: vendimet e njëpasnjëshme të Gjykatës Kushtetuese e cila aktivisht vizatonte për herë të parë kufinjtë dhe rregullat e së bërit politikë në Kosovë (posaqërisht me vendimin se

Presidenti i shtetit nuk guxon të mbajë dy poste, qoftë njëri edhe “i ngrirë” formalisht); vendimet e papritura politike (tërheqja immediate e LDK’së nga pushteti, mocioni i mosbesimit shkaktuar nga vetë pozita dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme me jo më shumë se dy javë fushatë parazgjedhore pa ndihmën e profesionistëve nga bota që rëndom ishin pranë në ciklet e mëhershme); por edhe ndryshimet tektonike në peizazh politik (dobësimi i disave nga opsioneve ekzistente politike dhe hyrja e ca të rejave).

Monitoruesit e pavarur por edhe vetë partitë politike ishin dëshmitarë të zgjedhjeve të organizuara keq nga KQZ’ja (një organizëm mjaft joprofesionist që sot do të duhej të pastronte listat zgjedhore pas censusit e jo të bie në gjumin dimëror të arushës), ku gara personale e kandidatëve brenda listave krijoi një vrap të paprecedan drejt pushtetit, me pak përzgjedhje mjetesh për të arritur aty. Zgjedhjet u deshën të përsëriten në zona të ndryshme, kutitë votuese u deshën të ri-hapen ndërsa edhe gjykata më e lartë u deshtë të inkuadrohet për të urdhëruar ri-votime.

Përkundër faktit të ashiqarshëm se procesi i votimeve ishte i lënduar, megjithatë u përdoren të gjitha rrugët ligjore për të reduktuar pasojat e hajnisë dhe dallavereve dhe sistemi u testua sa i përket ilaçeve ligjore (të cilat në fund edhe i kushtuan një mandat a dy partisë në pushtet). Të “fortit” partizanë, prej Vranjevcit, kah Skenderaji e deri tek Deçani u kujdesën që miqtë e tyre të fitojnë sa më shumë vota. Gara nuk ishte vetëm për një vend në Kuvend, por edhe për plasman sa më të mirë brenda listave, kështu që votat e vjedhura, e blera apo të kontrabanduara e krijuan pa dyshim një peizazh të shtrembëruar parlamentar.

E megjithatë, procesi në fund u arnua me optimumin e rrugëve ligjore dhe të gjitha partitë në Republikën e Kosovës që kaluan cenzusin e 5%, morën pjesën në seancën inauguruese të Kuvendit të ri, dhanë betimin dhe ligjërisht dhe me këtë akt formalisht i pranuan rezultatet e shpallura si 100% legjitime dhe përfundimtare. Në anën tjetër, disa qindra të akuzuar për hajni elektorale janë procesuar nga sistemi gjyqësor dhe disa qindra tjerë presin dënimet.

Hapja e bisedës së kush-kujt i vodhi votat 2 vite pasi që ky legjislaturë morri vulën përfundimtare dhe të padyshimtë të legjitimitetit, është vetëm tendencë populliste për të rikrijuar atmosferë mjegulle ligjore aty ku s’ka as më të voglin dyshim.

Posaçërisht është kjo cinike kur vjen nga Kryetari i Kuvendit i cili ka pasur ekskluzivitet të plotë të paraqitjes së fytyrës dhe numrit të tij elektoral në të gjitha autostradat kosovare dhe buxhet jozyrtar (e të padokumentuar) të fushatës personale ndoshta 100 herë (e përsëris me fjalë: “një qind herë”) më të madh, se sa kandidatët homologë me mundësi më modeste, si psh vogëlsia e tij – autori i këtij shkrimi. Prandaj më e ndershmja do të ishte që Kryetari i nderuar Krasniqi reflektimin për historinë e hidhur të zgjedhjeve 2010 të fillonte nga vetvetja, sa për të treguar se në këtë fermë tonë demokratike nuk ka kafshë më të barabarta se tjerat.

Një arsyeje tjetër për introspeksion të Kryetarit të Kuvendit është edhe roli i tij personal në krijim të administratës shtetërore, kur si ministër i parë i administratës publike në histori futi mijëra njerëz me kualifikime të mangëta dhe pa trajnime adekuate në punë shteti. Kështu Kryetari është një nga fajtorët për krijimin e administratës joprofesioniste shtetërore, reformimi i plotë i së cilës tash është bërë kusht kryesor në rrugën e integrimeve europiane.

2. Minoritetet

RCCOLA

Sfidimi i qeverisë nëpërmjet akuzave të recikluara të hajnisë së votave është trajta e parë por kohëve të fundit kanë filluar të akuzohen ashpërsisht edhe minoritetet kosovare për numrin jo-proporcional të mandateve që kanë në Kuvendin e Kosovës. Kjo është një akuzë që edhe pritet nga nacionalistët që gjithmonë kanë kundërshtuar solucionet e propozuara dhe të aprovuara të Ahtisaarit.

Megjithatë, është për të ardhur keq (e nga pak edhe neveri) kur disa nga ata që pretendojnë se avokojnë për vlera qytetare, anacionale, progresive, fajësojnë minoritetet për qeverisjen që ka Kosova duke vlerësuar qeverinë jolegjitime “për shkak të votave të minoritarëve”. Kjo është popullizëm dhe xhingoizëm tipik politik. Marrëveshja për shpalljen e koordinuar të pavarësisë më 2008 ishte shumë e qartë dhe e pranuar nga i gjithë spektri politik kosovar pos Vetëvendosjes. Marrëveshja është besë e dhënë e shqiptarët pretendojnë se e respektojnë besën e dhënë. Të gjithë ata që kanë votuar për Kushtetutën e Ahtisarit, të cilët kanë dalë të festonin me 17 shkurt për Ditën e Pavarësisë, nuk kanë të drejtë ta ri-vizitojnë historinë.

Minoritetet janë të diskriminuara pozitivisht politikisht. Kanë 5% të popullatës, dhe 20% të ulëseve. Kjo formulë nuk është e përjetshme dhe do të zgjat më së shumti edhe dy cikle zgjedhore, ndoshta edhe më pak. Por klithma për jolegjitimitetin e votave të minoriteteve është e pakuptimtë dhe i pasaktë sepse sistemi kushtetues kosovar i lejon partisë apo koalicionit më të madh të ftojnë krijimin e qeverisë, gjë që i bën minoritetet pasagjerë në cilëndo qeveri që e krijon kushdo. Ato do të jenë komponentë e një qeverie të udhëhequr nga PDK. LDK, AAK apo Vetëvendosje. Gara se kush do të jetë partia apo koalicioni me numrin më të madh të votave në Kosovë nuk pengohet nga minoritetet. Gara për t’u dëshmuar se kush është më i miri nuk të krijon qeverinë nuk ndikohet as një fije nga minoritetet.

Rrugëtimi ynë drejt pavarësisë dhe BE’së ka qenë i mundësuar nga formulat që i kemi aprovuar për mbrojtje të tyre, prandaj vënia në mëdyshje të këtyre formulave jo vetëm që është politikisht jokorrekte dhe nxitëse, por është thellësisht anti-Europiane.

Sa për të ilustruar më tutje, po e jepi edhe një shembull: Senati amerikan, si dhomë e lartë parlamentare amerikane, ka saktësisht 100 ulëse. Janë ulëset më të rëndësishme parlamentare në planet.

40 milionë kalifornianë përfaqësohen nga 2 senatorë apo 10% të popullatës totale të SHBA’vë. Ndërsa 20 ulëse në Senat amerikan, (pra saktësisht 20% të ulëseve) janë të okupuara nga senatorë që përfaqësojnë jo më shumë se 3% të tërë popullatës amerikane. Këta njëzet senatorë, ca prej të cilëve kanë më pak vota në total se shumica e liderëve të Republikës së Kosovës, nuk janë më pak legjitimë sepse përfaqësojnë fshatarët e Uajomingut apo nativët e ishujve Hauai dhe kushdo që do të propozonte këtë teori në Amerikë do të shpallej heretik në politikën e mainstreamit. Ja që në Kosovë, edhe ata që do të duhej t’i mbronin vlerat qytetare dhe kushtetuese, bëhen oportunistë të pashoqë dhe për inati të Hashim Thaçit i harrojnë principet, trajnimet në shoqëri civile, rrogat e majme të donatorëve dhe shkumojnë kundër minoritarëve të ngratë të cilët në asnjë moment nuk kanë treguar se janë të rrezikshëm për sistemin parlamentar në Kosovë.

3. Numri i votavavë të përgjithshme

Tash së fundi, koalicioni himerian i mediave neoliberale dhe lëvizjeve anti-liberale, filluan të numërojnë edhe numrin total të votave të fituara të deputetëve për të konkluduar nëse një ligj apo vendim është legjitim apo jo. Derisa ky kalkulim duket zbavitës, i tëri është krejtësisht jo-logjik dhe jo-empirik.

Fillimisht sepse nëse dy anëtarë të së njëjtës parti votojnë në anë të kundërta, votat që i kanë fituar janë të një partie të vetme, rrjedhimisht një programi politik. Poashtu numri i votave të deputetëve nuk ka asnjë lloj rëndësie në demokracinë përfaqësuese. është e qartë se një deputeti rom i nevojiten më pak vota se sa një deputeti të partive të mëdha shqiptare, por kjo nuk e bën votën e deputetit rom më pak legjitime apo më pak të vlefshme. Ata që insistojnë në këso interpretime luajnë valle me djallin e jotolerancës dhe ksenofobisë.

Kohëve të fundit po vërehet një fukarallëk i ideve tek ata që dëshirojnë rrëzim të qeverisë me çdo kusht, qoftë edhe me mjete joparlamentare. Në mungesë të ideve, ofendimet dhe thirrjet jakobine që synojnë delegjitimin e pushtetit me argumente falso dhe joligjore nuk sjellin asgjë pos që krijojnë atmosferë nxitëse.

Mbjellja e farës së dyshimit në legjitimitetin e sistemit politik dhe instrumenteve mbrojtëse të minoriteteve është risia më e keqe e skenës së sotshme politike. Këso akuza edhe mund të jetë e pranueshme për partinë e cila e urren Ahtisaarin me mish dhe me shpirt, por akuzat e tilla bëhen krejtësisht cinike kur bëhen nga ata që ditën “bëjnë be” në Kushtetutë dhe demokraci e natën shkruajnë analiza që shkatërrojnë indet kushtetuese të Republikës sonë.