Delawie nuk është vetëm një individ, ai përfaqëson SHBA-të

Disa sikur po harrojnë se ambasadori Delawie nuk është vetëm një individ, por ai përfaqëson interesat dhe politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Në Kosovë ka të pakënaqur me kritikat e ambasadorëve perëndimorë lidhur me mjetet që po përdorin deputetët e opozitës për të penguar mbarëvajtjen e seancave të Kuvendit të Kosovës, e sidomos me deklaratat më të zëshme të ambasadorit amerikan, Greg Delawie.
Megjithatë, disa sikur po harrojnë se ambasadori Delawie nuk është vetëm një individ, por ai përfaqëson interesat dhe politikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Deklaratat e z. Delawie janë qëndrime të diplomacisë amerikane nga Washingtoni, janë të Departmentit të Shtetit dhe të Shtëpisë së Bardhë. Janë qëndrimet që i ka thënë në fund të nëntorit në Prishtinë edhe vetë kryediplomati amerikan, Sekretari i Shtetit, John Kerry.
Ndërkaq ‘neveria’ e thënë nga ambasadori Delawie dje është thënë më shumë se njëherë në zyrat e Departmentit të Shtetit në Foggy Bottom. Kjo ‘neveri’ është përkthyer edhe në moslejim të hyrjes në SHBA tash një vit të gjithë atyre deputetëve të Kuvendit të Kosovës që janë identifikuar si të dhunshëm.
Ambasadorët amerikanë emërohen nga Presidenti dhe një ambasador mund të jetë një zyrtar i karrierës nga Shërbimi i Jashtëm ose një i emëruar politik. Ambasadori Delawie është një zyrtar i karrierës me mbi 30 vjet në shërbimin e jashtëm dhe deklaratat që jepë nuk i ka vetëm vlerësime individuale.
Kërkesa për ndërrimin e një ambasadori është një gjest i rëndë diplomatik, qoftë nëse vjen edhe nga opozita apo ‘analistë të pavarur’ dhe mund t’i kushtojë shumë Kosovës dhe marrëdhënieve të saj me Shtetet e Bashkuara.
Ambasadori Amerikan në Prishtinë tha se ‘protestat e dhunshme të opozitës e dëmtojnë shumë të ardhmen e Kosovës, duke ua përkujtuar kosovarëve se “17, 18 vjet më parë, mijëra qytetarë të Kosovës kanë vdekur për liri dhe pavarësi.’
Një gjë që nuk e tha ambasadori amerikan e që sigurisht e kishte ndërmend, është se 17 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara, me ndërhyrjen e tyre ushtarake duke udhëhequr sulmet e NATO-së ishin vendimtare në çlirimin e Kosovës. Pikërisht për këtë fakt Shtetet e Bashkuara dhe ambasadori amerikan i japin të drejtë vetes ‘të ndërhyjnë’ në ecuritë politike dhe shtetndërtimin në Kosovë. Sepse stabiliteti i Kosovës është interes i SHBA ndërsa jostabiliteti cenon sigurinë dhe interesat amerikane.
Dhe kjo është arsyeja që SHBA duan të ruajnë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, investimin e tyre më të madh politik, ushtarak, diplomatik dhe financiar në gjysmëshekullin e fundit në Ballkan. /RTK/