Dekriminalizimin e bën një gjeneratë tjetër

Mosinicimi për t’u miratuar Ligji për dekriminalizimin apo edhe një reformë e mirëfilltë në drejtësi nga ana e partive politike, qoftë pozitë apo opozitë, lidhet drejtpërdrejt me mundësinë e përgjegjësisë penale që një pjesë e madhe e politikanëve e dinë se e kanë. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe derisa kanë thënë se si duket asnjë parti politike që vepron në Kosovë nuk mund ta bëjë kërkesën për një ligj të tillë, i cili duhet të merret edhe me atë që e propozon, por edhe për ata që e votojnë.
Ky brez pushtetarësh është i zhytur deri në fyt
“Një shoqëri e korruptuar deri në këtë masë të mos pret miratimin e Ligjit as për dekriminalizim dhe as për reforma. Këtë iniciativë mund ta marrë vetëm një gjeneratë tjetër, e cila nuk e ka fajin dhe as mëkatin për të tashmen e trishtuar që e kemi në Kosovë”, tha Shefqet Dibrani
Mosinicimi për t’u miratuar Ligji për dekriminalizimin apo edhe një reformë e mirëfilltë në drejtësi nga ana e partive politike, qoftë pozitë apo opozitë, lidhet drejtpërdrejt me mundësinë e përgjegjësisë penale që një pjesë e madhe e politikanëve e dinë se e kanë. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe derisa kanë thënë se si duket asnjë parti politike që vepron në Kosovë nuk mund ta bëjë kërkesën për një ligj të tillë, i cili duhet të merret edhe me atë që e propozon, por edhe për ata që e votojnë.
Ndaj është shtruar edhe çështja se përse partitë politike nuk kanë konsensus për çështjet madhore të vendit dhe pse ato nuk bien dakord që para se të shkojnë në zgjedhje të parakohshme (nëse veç prishet koalicioni) të arrijnë të merren vesh për Ligjin e dekriminalizimit dhe reformën e thellë në drejtësi. Për këtë dhe atë se pse asnjëra nga partitë parlamentare deri më sot nuk e ka iniciuar procesin e dekriminalizimit dhe po kështu edhe reformën në drejtësi, flet shkrimi në vijim.
Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se partitë politike, sidomos këto të kësaj legjislature, do të mbahen mend për pikëpamje diametralisht të kundërta edhe për çështje të rëndësishme. Po ashtu do të mbahen mend për divergjenca mendimesh, prandaj edhe veprimet e tyre janë të kundërligjshme, që nuk përkojnë me interesat e përgjithshme të vendit. “Derisa partitë politike nuk kanë gjetur pajtueshmëri gjatë këtij legjislacioni, nuk e di pse duhet të pritet se do bëhet më mirë edhe në vendi do të shkojë në zgjedhje”, theksoi ai.
Të korruptuarit pengesë e fortë
Sipas Dibranit, zgjedhjet mund të ndryshojnë vetëm raportin e forcave, por në asnjë mënyrë mënyrën e veprimit dhe qasjen mjaft të gabueshme që kanë partitë politike, të cilat nuk kanë asnjë përgjegjësi për realitetin në vend.”Prandaj, Ligji për dekriminalizim dhe verifikim nuk duhet të pritet nga struktura të kriminalizuara dhe nga individë me korrupsion të lartë”, ka vijuar më tej ai. Ndërsa, sa i përket asaj se përse asnjëra nga partitë parlamentare deri më sot nuk e ka iniciuar procesin e dekriminalizimit dhe po kështu edhe reformën në drejtësi, Dibrani në këtë drejtim mendon se mosinicimi për t’u miratuar Ligji për dekriminalizim, Ligji për verifikim, për një reformë në drejtësi dhe për reformën zgjedhore lidhet drejtpërdrejt me mundësinë e përgjegjësisë penale që një pjesë e madhe e politikanëve e dinë se e kanë.”Prandaj, një shoqëri e korruptuar deri në këtë masë të mos presë miratimin e Ligjit as për dekriminalizim dhe as për reforma. Këtë iniciativë mund ta marrë vetëm një gjeneratë tjetër, e cila nuk e ka fajin as mëkatin për të tashmen e trishtuar që e kemi në Kosovë”, shtoi ai.
Tutje Dibrani nënvizon se edhe partitë opozitare nuk e kanë marrë çështjen e Kosovës seriozisht, derisa siç tha ata vetëm mendojnë për t’i ndërruar vendet në favorin e tyre, për ta zhytur edhe më tej Kosovën me veprime të ngjashme, prandaj sipas tij opozita në Kosovë me tërë strategjinë e saj më shumë duket se është dekor i demokracisë, sa për të thënë se kemi pluralizëm politik, por mënyra e veprimit, përftimit dhe pasurimit si duket është e njëjtë.”Përndryshe një sistemi të mirëfilltë të drejtësisë, një reforme rrënjësore në sistemin e drejtësisë dhe sistemin zgjedhor, pastaj miratimit të një ligji për verifikim dhe të Ligjit për Vetting-un i shqetëson të gjithë, madje edhe me dhjetëra pronarë të bizneseve, të cilat edhe pse nuk janë pjesë e kabinetit qeverisës ata u frikësohen verifikimit dhe reformave, pasi si duket pasuria e tyre është krijuar përmes formave të dënueshme. Andaj të gjithë frikë- sohen nga reformat dhe ligjet për dekriminalizim të udhëheqësve politikë, shtetërorë dhe udhëheqësve të bizneseve të dyshimta”, theksoi Dibrani.
Mungon vullneti politik
Profesori universitar, Avdullah Robaj, mendon se në Kosovë mungon vullneti politik i partive politike për tema të mëdha apo për një konsensus nacional, sepse në radhë të parë secila parti dëshiron që t’i kapitalizojë veprimet, ndërmarrjet e veta politike, derisa siç tha që nga fillimi i jetës parlamentare në Kosovë nuk është zhvilluar një traditë apo standard parlamentar dhe demokratik që të ketë tema nacionale dhe për këto tema të ketë një konsensus ose një unitet.
Robaj thotë se çdoherë këtu është vepruar që secila parti t’i paraqesë temat e veta, pastaj ato tema t’i kapitalizojë si një fitore të saj, për shkak të elektoratit, dhe kjo ka vazhduar deri sot kështu. Por, sipas tij, në këtë drejtim gjithashtu nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston një vullnet politik sa i përket reformës në drejtësi, pasi këtu mungon vullneti politik, sikurse në heshtje të gjithë pajtohen të ketë reformë në drejtësi, ngase Robaj ka konsideruar se të gjithë i frikohen reformës në drejtësi, sepse ajo do të godasë dikë më shumë e dikë më pak, derisa kjo mbase edhe është frika nga reforma në drejtësi e partive politike.”Kështu deri më tani nuk kemi parë ndonjë interesim të asnjë partie parlamentare që ta paraqesë në rend dite apo si koncept të vetin partiak, e pse jo edhe shoqëror, për ta bërë reformën në drejtësi si edhe Ligjin e dekriminalizimit, të cilin kohët e fundit e ka bërë Republika e Shqipërisë dhe një lloj ligji i tillë besoj se edhe në Kosovë do të ishte i pranueshëm. Ndërsa, arsye tjetër është se në Kosovë edhe dinamika e ngjarjeve ka ndikuar që mbase edhe temat më të rëndësishme për vendin, siç është reforma në drejtësi, Ligji për dekriminalizimin, po ashtu reforma të ndryshme në ekonomi apo në administratë publike, nuk janë vënë në rend të ditës, sepse dinamika politike gjithmonë ka nxjerrë tema më të mëdha, siç kanë qenë asociacioni i komunave me shumicë serbe, pastaj Demarkacioni me Malin e Zi, Ligji për ushtrinë, ai për Gjykatën Speciale, kështu që d.m.th. kanë dominuar temat e tjera, që ndoshta edhe u janë imponuar edhe agjendave të partive politike dhe Kuvendit”, ka thënë Robaj./kosova sot/