RCCOLA

Deklarohet KFOR-i: Nuk ishim në zonë kur tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës u arrestuan nga Policia e Serbisë

/ 3 minuta lexim

Misioni i KFOR-it ka dalë me një deklaratë pas rrëmbimit të tre pjesëtarëve të policisë kufitare të Kosovës brenda territorit tone nga policia serbe.

Në komunikatë thuhet se Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO nuk ishte në zonë kur tre policë të Policisë së Kosovës u arrestuan dje nga Policia e Serbisë.

“KFOR-i ka dërguar një ekip në zonë dhe ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të autoriteteve serbe. KFOR-i është gjithashtu në kontakt të rregullt me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit, EULEX”, thuhet në komunikatë.

“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të ulin menjëherë tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm”.

Më tej thuhet se “KFOR-i po monitoron situatën dhe vazhdon të zbatojë plotësisht mandatin e tij të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

Misioni i KFOR-it thotë se gjithashtu vazhdon të ofrojë kornizën e nevojshme të sigurisë për të çuar përpara dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Mobi Casa

Të mërkurën, Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues janë kidnapuar nga autoritetet serbe.

Sot u njoftua se organet e sigurisë kanë rritur nivelin e gatishmërisë, e gjithashtu në mëngjesin e së enjten u mbajt edhe mbledhja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Përderisa në mbrëmje, kryeministri Kurti pati një takim informues edhe me ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë.

Kurti i njoftoi ata për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, për masat e sigurisë që institucionet e vendit kanë ndërmarrë, si dhe ndau me ta dëshmitë që sipas Zyrës së Kryeministrit dokumentojnë se kemi të bëjmë me agresion të Serbisë ndaj Kosovës dhe se rrëmbimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës kishte ndodhur thellë në brendi të territorit të Kosovës.

Tre pjesëtarë të policisë kufitare të Kosovës janë rrëmbyer të mërkurën brenda territorit të Kosovës nga policë të Serbisë.

Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës. /Telegrafi/