Dekada e dytë me ankthin e të zhdukurve

Dhimbja dhe ankthi janë rizgjuar, ashtu si në ditën kur forcat serbe ua morën nga duart fëmijët, burrat, baballarët, nënat, vëllezërit, e motrat… Foto të vendosura në mure, kujtime për ta që ripërsëriten në çdo ndejë familjare, por jo varre, apo shenjë nga trupat e tyre, është tabloja e të pagjeturve në Kosovë. Mbi dymijë familje në Kosovë vazhdojnë të jetojnë nën ankthin se trupat e kujt do të identifikohen në varrezën masive të gjetur në Rashkë të Serbisë.
“A thua janë tanët, apo nga ndonjë komunë tjetër”, është refreni që përsëritet në çdo familje që ka anëtarë të zhdukur gjatë luftës e të pagjetur pas mbarimit të saj në Kosovë. Pesëmbëdhjetë vjet pas luftës, familjarët shprehin mllefin e tyre ndaj institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare, të cilat sipas tyre nuk bënë aq sa duhet për të gjetur të zhdukurit, kurse bisedimet me Serbinë i quajnë “gozhdë në shpirtin e tyre”.
1721 shqiptarë të zhdukur
Është e enjte, 12 dhjetor, ora 13:30, ende nuk është marrë vesh se në Rashkë gjendet një varrezë masive me trupat e shqiptarëve. Në zyrat e shoqatës “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, kuja ka zënë vend në mesin e nënave prezentë aty dhe anëtareve të shoqatës. Zemrat e nënave sikur kanë parandier se një lajm i kobshëm po vjen te to.
Shumë shpresuan se bijtë i kanë gjallë. Ende nuk ka vdekur te disa ajo shpresë… Gjysmë ore më vonë, kryetarja e kësaj shoqate, Nysrete Kumnova, teksa niset për në shtëpi, merr një telefonatë nga kabineti qeveritar i Kosovës se një varrezë në Rashkë është identifikuar, por nuk dihet se eshtrat e cilëve të zhdukur janë. “Lajmi për gjetjen dhe për hapjen e vendit në Rashkë- Serbi, ka qenë shumë i rëndë për familjet dhe shumë i dhimbshëm”, thotë Kumnova se në anën tjetër është mirë të dihet se shqiptarët nga kriminelët serb u vranë si të pafajshëm për t’u hedhur e mbuluar me gur e asfalt trupat e tyre në Rashkë të Serbisë, që të zhduken gjurmët e krimit.
Kumnova thotë se janë 1721 shqiptarë që figurojnë të zhdukur gjatë luftës dhe të pagjetur. Në mesin e këtyre shqiptarëve ajo ka edhe birin e saj të vetëm Albionin. Për të e ka më vështirë të flasë, dhe zëri i saj fillon të dridhet, kurse dhimbja i shtohet nga heshtja e madhe e institucioneve të Kosovës….(Zëri)