KKVITI

Degradimi, “trend” i qeverisë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Adrian Çollaku- Lajmi për njohjen e shpejtë të shtetit të Kosovës nga ana e Egjiptit, që u dha nga liderët e vendit, gjegjësisht nga zyrat për informim të tyre, pas takimeve që ata patën me disa deputetë egjiptianë, para dy – tri ditësh ishte shumë qesharak dhe nëse mund ta quaja edhe banal.

Ose thënë më thjesht nuk ishte as lajm. Pa dashur këtu të minimizoj rëndësinë e vizitës së deputetëve egjiptianë, të cilët më për së afërmi janë njoftuar me realitetin e shtetit më të ri të Evropës dhe ndikimin që ata mund të kenë për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve në të ardhmen.

Ishte ndoshta e dhjeta herë, që zyrtarët e lartë të shtetit deklaruan se Kosova është shumë pranë njohjes nga ana e Egjiptit. Kjo njohje, nëse nuk gaboj, ishte nisur të “vijë” gati që një vit, që prej se është ndërruar regjimi në këtë shtet. Megjithatë, deri më sot ajo nuk ka ndodhur.

Nuk do mend se njohja e Kosovës nga shteti i Egjiptit do të ishte shumë e rëndësishme për Kosovën në shumë aspekte, sidomos në shtimin e numrit të njohjeve edhe nga vendet e kontinentin afrikan. Po ashtu nuk dyshoj në dëshirën e “flaktë” të zyrtarëve qeveritarë për shtimin e numrit të njohjeve. Mirëpo, mënyra se si ata pretendojnë që t’i marrin meritat për njohje të ndryshme, ku kemi pasur edhe përplasje të mëdha ndërmjet politikanëve të ndryshëm kosovarë, e ka degraduar edhe vetë procesin e njohjeve për shtetin e Kosovës dhe e ka bërë shumë të parëndësishme edhe fushatën lobuese.

Sikur të ndodhnin tërë ato njohje që i paralajmëruan zyrtarët qeveritarë të Kosovës, si ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë, me gjasë shteti i Kosovës sot do t’i kishte më shumë se 190 njohje, ndoshta përjashtuar këtu vetëm Serbinë e Rusinë.

Kjo qeverisje nuk e ka degraduar vetëm politikën e jashtme të Kosovës.

Fundamenti

Hiç më mirë punët nuk i kemi as në fushat tjera.

Bile, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, e cila udhëhiqet nga Bajram Rexhepi, dhe e cila ka detyrën kryesore për sigurimin e rendit dhe ligjit, si dhe krijimin e një shteti ligjor, ka dështuar. Për më keq, janë pikërisht zyrtarë të këtij dikasteri qeveritar që janë të përfshirë direkt në afera korruptive dhe në skandale të njëpasnjëshme, duke filluar nga vjedhjet nëpër “dhoma të sigurta” të policisë, falsifikimin e datës së lindjes, qoftë të qytetarëve, qoftë të zyrtarëve shtetërorë, për të vazhduar me skandalet me tenderë të ndryshëm, si ai i targave të automjeteve, ai i pasaportave… Madje u përmend në medie dhe nga drejtuesit e “Vetëvendosjes”, se ministrit të rendit, Bajram Rexhepi, i është konfiskuar automjeti personal, i cili i ishte dhuruar nga njerëz që dyshohen për bashkëpunim me strukturat paralele serbe në veri të Kosovës, e që doli të ishte edhe i vjedhur…

Nëse vazhdojmë t’i numërojmë një nga një skandalet e të gjithë ministrave e ministrive, dhe të të gjithë zyrtarëve shtetërorë, po flas vetëm për ato që kanë arritur t’i “zbulojnë” mediet, me gjasë tërë hapësira e gazetës së sotme nuk do t’i zinte.

Në anën tjetër, të gjitha këto të këqija kalojnë sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Përpos përgjegjësisë morale, që deri më sot asnjë zyrtar i Kosovës nuk e ka ndjerë obligim të mbajë, që të paktën të japë dorëheqje, as institucionet e drejtësisë nuk kanë bërë asgjë. Ose edhe në ato raste kur ka vepruar drejtësia, ajo ka qenë selektive, duke vepruar tek ata që janë më të dobët dhe e ndikuar nga politika. Kjo keqqeverisje, tërë këto skandale, tërë këto hajni… janë duke çuar vendin drejt një degradimi të përgjithshëm shoqëror, nga i cili po shihet se njëherë për njëherë nuk do të ketë dalje.

Madje, madje, degradimi është duke ndodhur në çdo hap, në çdo sektor, në çdo institucion dhe atë çdo ditë e më shumë. Duke filluar nga shkollat fillore për të vazhduar tek universitetet, nga komunat e deri te Qeveria e Kuvendi, nga noterët e deri te gjykatat… Është duke ndodhur degradimi i vlerave, dhe ardhja në shprehje e antivlerave, që shtetit dhe shoqërisë së Kosovës do t’i kushtojnë shumë. Pasojat do të jenë të pariparueshme. Sa edhe një qeverisje më e mira në botë, do t’i duhej vite, madje edhe dekada, për të dalë nga kjo gjendje, në të cilën është katandisur vendi nga kjo qeverisje.