RCCOLA

Dëgjohen dëshmitarët në rastin e këngëtarëve “Double G’ dhe “E7”

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në seancën e së enjtes janë dëgjuar nga ana e trupit gjykues dëshmitarët Lavdim Aliu, Gëzim Elmazi, Gëzim Sërmaxhaj, Orhan Azizovci, Valdrin Sylejmani, Albert Shabani.

Ka vazhduar procesi gjyqësor kundër dy grupeve rivale muzikore në Gjilan të njohura si “Double G” dhe “E7”. Në seancën e së enjtes që po e kryeson gjykatësi Rasim Rasimi janë dëgjuar nga ana e trupit gjykues dëshmitarët Lavdim Aliu, Gëzim Elmazi, Gëzim Sërmaxhaj, Orhan Azizovci, Valdrin Sylejmani, Albert Shabani.

Këta dëshmitarë kanë thënë se i kanë njohur grupet që janë të acaruara dhe kanë pasur probleme për pesë vite dhe kanë pranuar se ka pasur të shtëna, kurse sipas tyre tani janë pajtuar.

Njëri nga avokatët mbrojtës Shemsedin Piraj tha për rajonipress se dëshmitari Gëzim Sërmaxhaj ka thënë se asnjëri grup nuk ka shtënë në drejtim të njëri tjetrit edhe pse kanë qenë të acaruara raportet mes tyre .

Nesër ndërkaq vazhdon shqyrtimi gjyqësor me shtjellimin e provave materiale dhe me marrjen në pyetje të të akuzuarve.

Ndryshe sipas aktakuzës Ardijan Xhaferi e Besnik Fejzullahu dyshohen se më 15 qershor 2012 në lagjen Dardania me paramendim dhe me dashje kanë tentuar që të privojnë nga jeta Burim Osmanin.

Uji Dea

Sipas aktakuzës Ardijani ka qenë i pajisur me revole të panjohur i cili është vërsulur në drejtim të Burim Osmanit, duke shtënë disa herë në drejtim të tij, duke vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë prezent.

Ardijan Xhaferi me profesion këngëtar i grupit muzikor “E7” dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve”. Kurse Besnik Fejzullahu dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”

I pandehuri Burim Osmani me nofkën “Duda”, me profesion këngëtar i grupit muzikor “Double G”, pas konfliktit fizik që ka pasur me të pandehurin Ardijan Xhaferi e Besnik Fejzullahu ka tentuar që t`i privojë nga jeta të njëjtit.

Osmani me revolen e tij “M-57” ka shtënë disa herë në drejtim të Xhaferit e Fejzullahut, duke rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë. Një nga predhat e Osmanit e ka goditur në gjoks shkarazi Besnik Fejzullahun.

Duda (Osmani) dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”,”mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve” dhe për veprën penale tjetër ”blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”./rajonipress/