Dega e PDK-se shpall zgjedhjet partiake edhe në Viti

Gjilan – Në përputhje me vendimin e organeve qendrore të PDK-së, kryetari i degës së PDK-së, Daut Xhemajli, ka mbledhur kryesinë e kësaj dege dhe ka shpallur zgjedhjet e PDK-së në këtë Komunë.
Kryesia e Degës së PDK-së ka biseduar edhe për mënyrën e organizimit të këtij procesi zgjedhor konform Programit, Statutit dhe udhëzimeve të Partisë Demokratike të Kosovës.
Pas një debati të përqendruar kryesisht në procesin zgjedhor doli mendimi dhe qëndrimi i përbashkët se këto zgjedhje janë të një rëndësie të veçantë për Partinë Demokratike në Viti dhe në Kosovë.
Procesi në këtë Degë, u tha ndër të tjera, duhet të jetë transparent, demokratik dhe i ndershëm. Këto zgjedhje janë në një shkallë të madhe përcaktuese edhe për suksesin e kësaj Dege në zgjedhjet e ardhshme komunale dhe për rikthimin e kësaj Partie në pushtetin-qeverisjen komunale në Viti thuhet në njoftimin e nënshkruar nga Xhevat Bislimi./rajonipress/