RCCOLA

Dega e LDK-së në Zvicër kremtoi 23-vjetorin e themelimit

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Në përvjetor morën pjesë ish presidenti Fatmir Sejdiu, deputetja e Parlamentit të Kosovës, Kimete Bytyçi, kryetari i qytetit Grenchen Boris Banga etj.

Siç bën të ditur në një njoftim për medie, Dega e LDK-së në Zvicër, fundjavën që shkoi, në Grenchen të Solothurnit organizoi një tubim festiv për të shënuar 23-vjetorin e formimit të saj. Në këtë manifestim morën pjesë edhe ish Presidenti i Kosovës dhe kryetar nderi i LDK-së Prof. Fatmir Sejdiu, deputetja e Parlamentit të Kosovës dhe anëtare e kryesisë së Forumit të Gruas të LDK-së, Kimete Bytyçi, kryetari i qytetit të Grenchen Boris Banga, ish kryetari i Degës së LDK-së në Gjermani, Hafiz Gagica, familjarë të dëshmorëve etj.

Prof. Fatmir Sejdiu, i përshëndeti të pranishmit, duke thënë se shtetësia e Kosovës ndërlidhet ngushtë edhe me punën dhe angazhimin e kësaj dege. Ai përkujtoi se mërgata jonë ishte element qenësor i shtet formimit të Kosovës. “Ky 23 vjetor është i një lëvizjeje të fuqishme politike që ka ditur për herë të parë të artikulojë vlera më të rëndësishme”, ka thënë Sejdiu. Ai njëherësh ka shprehur kënaqësinë që si bashkëpunëtor i Presidentit historik Ibrahim Rugova, ishte pjesë e këtij procesi.

Në emër të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, përshëndeti deputetja e LDK-së, Kimete Bytyçi. “Me kulturën tuaj, në vendet ku punoni dhe jetoni dëshmuat para vendasve se jemi popull i civilizuar dhe e meritojmë lirinë dhe jemi pjesë e botës së qytetëruar perëndimore. Ju ishit ambasadorët më të mirë të Kosovës” është shprehur veç tjerash Kimete Bytyçi, duke përgëzuar degën në përvjetorin e saj.

Fundamenti

Me një fjalë rasti të pranishmëve ju drejtua kryetari i qytetit Grenchen, Boris Banga. “Jam shumë i nderuar që sot gjendem në mesin tuaj, para së gjithash jam i nderuar se ju keni zgjedhur qytetin Grenchen për ta ndarë gëzimin bashkë me ne. Unë kam pasur rastin të vizitoj Kosovën dhe të njihem me arritjet dhe vështirësitë e pasluftës. Andaj edhe ju falënderoj për kontributin që ju e jepni si komunitet i integruar në prosperitetin e Zvicrës tonë të përbashkët” përfundoi Boris Banga.

Fjalën e rastit në këtë manifestim e mbajti Haki Latifi, kryetar i Degës së LDK-së në Zvicër. “LDK ishte dhe mbetet artikuluese e një vizioni të qartë të një njeriu të madh të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, cili diti më së miri të sublimojë këtë energji e këtë ndjenjë për liri e pavarësi dhe ta thotë atë më së miri para nesh e para botës”, ka thënë Latifi. Ai ka falënderuar Zvicrën e cila priti mijëra të strehuar dhe e cila ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe hapi ambasadën e saj në Prishtinë.

Ndërsa Hafiz Gagica në fjalën e tij përshëndetëse e ka quajtur degën e LDK-së të Zvicrës, “njërën ndër arteriet kryesore, jo vetëm të organizimit kombëtar në mërgim por edhe pjesëmarrëse në të gjitha proceset e shtetformimit të Kosovës.

Kryesia e degës së LDK-së me këtë rast ndau mirënjohje për disa personalitete më të merituara, ndërsa u lexuan edhe emrat e 35 anëtarëve të rinj që aderuan në këtë degë, thuhet veç tjerash në njoftimin për medie të degës së LDK-së për Zvicër.