Deficiti tregtar në qershor, 216 milionë euro
Statistika e Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit të mallrave për muajin qershor 2016. Sipas ASK-së, të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë prej 216.8 milionë eurosh ose për 4,5 për qind në muajin qershor 2016 krahasuar me deficitin prej 207.6 milionë eurosh të periudhës së njëjtë të vitit 2015.
“Eksporti mbulon importin me 12,3 për qind. Eksporti i mallrave në muajin qershor 2016 kishte vlerën 30.3 milionë euro, ndërsa importi 247.2 milionë euro, ku është një rënie prej -0,3 përqindësh për eksport dhe një rritje prej 3,8-përqindësh për import krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015”, është thënë në raportin e ASK-së. Sipas këtij raporti, sa u përket të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 33,2 për qind të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 27,4 për qind e përbëjnë produktet minerale; 8,6 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7,4 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4,6 për qind e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej saj; 3,7 për qind e përbëjnë produktet bimore; 3,7 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 2,7 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 2,7 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij etj. Kurse, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14,1 për qind të importit e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13,5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,8 për qind e përbëjnë produktet minerale; 8,5 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8,3 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7,7 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 6,7 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5,4 për qind e përbëjnë produktet bimore etj.
“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6.5 milionë euro ose rreth 21,5 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej -38,6 përqindësh. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania me 4,4 për qind, Holanda me 3,4 për qind, Bullgaria me 3,8 për qind, Italia me 2,1 për qind dhe Austria 2,1 për qind. Kurse importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 105.4 milionë euro ose 42,7 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 4,3-përqindësh. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania me 12 për qind, Italia me 7,3 për qind, Greqia me 4,8 për qind”, është thënë në raportin e ASK-së. Ndërkaq, sa u përket vendeve të origjinës, sipas ASK-së, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s në muajin qershor 2016 arritën në 15.8 milionë euro ose 52,3 për qind të eksporteve të përgjithshme, ku kishte një rritje prej 27,4-përqindësh./zeri/


