Deficiti kalon shifrën prej 110 milionë eurosh
Prishtinë – Qeveria nuk ka arritur të kursejë miliona euro për të mbuluar deficitin financiar të buxhetit në fund të vitit. Në bazë të llogarive të para Qeverisë do t’i mungojnë se paku 112 milionë euro në kohën kur do të përmbyllen pasqyrat financiare vjetore, shkruan sot Koha Ditore.
Në këtë vlerë të planifikuar të deficitit, e që sipas deklarimeve qeveritare është e harmonizuar edhe me FMN-në, nuk hyjnë obligimet financiare ndaj kompanive të kontraktuara, pagesat e të cilave mund të shtyhen për vitin 2013-të.
Buxheti i miratuar për këtë vit përmbante vlerën e deficitit të përgjithshëm prej 172 milionë eurove. Por, kjo vlerë planifikohet të reduktohet edhe me kredinë e realizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në vlerë prej 92 milionë eurosh, prej të cilave 53 milionë euro tashmë janë bërë pjesë e buxhetit të Kosovës.
”Vlera e deficitit të planifikuar për fund të vitit 2012 duke pasur parasysh trendët e fundit fiskal, si dhe vlera e cila njëkohësisht është dakorduar me FMN-në është 112 milionë euro”, ka thënë Muharrem Shahini, zëdhënës i Ministrisë së Financave.
Sipas tij, në përgjithësi, procesi i të hyrave buxhetore ka ecur mirë, porse janë evidentuar ngecje në disa resorë.