Dedaj: Bllokada e Kurtit po dëmton Kosovën, ndërkombëtarët kërkojnë institucione funksionale

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, në një prononcim për Front Online deklaroi se bllokada e konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, e shkaktuar nga Albin Kurti dhe LVV, është tejet e dëmshme dhe e rrezikshme për Republikën e Kosovës në të gjitha aspektet.
Ai e quan Kurtin “populist”, rrënues i shtetit, uzurpator dhe keqpërdorues të detyrave shtetërore”, i cili vazhdon të ushtrojë funksionin e kryeministrit dhe deputetit kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Bllokada e konstituimit të Kuvendit dhe e Qeverisë së Kosovës, e shkaktuar nga deputeti ekstremist Albin Kurti dhe LVV, padyshim se është tejet e dëmshme dhe e rrezikshme për Republikën e Kosovës, në të gjitha aspektet. Populisti Albin Kurti, i njohur tashmë si rrënues i shtetit, uzurpator dhe keqpërdorues i aseteve shtetërore dhe qeveritare, vazhdon kundërligjshëm dhe madje kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të ushtroj funksionin e kryeministrit dhe atë të deputetit”, tha Dedaj.
Sipas Dedajt, LVV-ja nuk ka numrat e mjaftueshëm për të formuar institucione dhe po e mban Kosovën në bllokadë për të kënaqur “egon e sëmurë për pushtet” të Kurtit, i cili sipas tij e ka dëmtuar rëndë Republikën e Kosovës, veçanërisht në raportet me partnerët Euro-Atlantikë.”Siç po shihet LVV nuk i ka numrat e mjaftuar dhe e mbanë Kosovën në bllokadë duke i shkaktuar dëme të pariparueshme, për të ia plotësuar egon e sëmurë për pushtet Albin Kurtit, i cili edhe ashtu gjatë mandatit qeverisës e ka dëmtuar, denigruar dhe shkatërruar Republikën e Kosovës”, deklaroi Dedaj për Front Online.
Ai thotë se partnerët dhe miqtë e Kosovës, SHBA dhe Bashkimi Evropian, janë të shqetësuar dhe kanë apeluar për konstituimin të institucioneve të Kosovës.
“Prandaj, partnerët dhe miqtë e Kosovës, SHBA dhe Bashkimi Evropian duken seriozisht të irrituar dhe të shqetësuar me politikat neokomuniste të Albin Kurtit dhe me të drejtë kanë apeluar për konstituimin sa më parë të institucioneve të Republikës së Kosovës”, thotë ai.
Dedaj përfundon se largimi i Kurtit nga pushteti do të ishte një fitore historike për Kosovën dhe për riparimin e partneritetit me SHBA, BE dhe NATO-n.
“Largimi i Kurtit nga pushteti do jetë një fitore historike për Kosovën, për riparimin e partneritetit me SHBA, BE dhe NATO-n, si dhe do krijohet një klime tjetër bashkëpunimi me vendet fqinje, rajonin dhe boten demokratike”, përfundoi ai.