Deda: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nxjerr në shesh gënjeshtrën e Mustafës dhe Thaçit

Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, nuk ka mbetur gjë tjetër pos mbajtjes së zgjedhjeve të reja, dhe ato qysh në këtë vit. Kjo pasi që sipas tij, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe ka humbur edhe legjitimiteti i kësaj qeverie.E sipas Ilir Dedës, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi nuk janë gjë tjetër pos persona që gënjyen qytetarët e Kosovës.
Andaj Deda mendon se ata duhet të reflektojnë, madje para 9 janarit kur edhe është paralajmëruar protesta paqësore e partive opozitare.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se Kosova i ka punët keq në çdo aspekt dhe kjo gjendje e keqe ka filluar qysh në janarin e vitit 2015 kur Kosovën e lëshuan shumë njerëz.
Por Deda thekson edhe tri momente tjera që karakterizuan vitin 2015.
“E para ka të bëjë me vazhdim të rënies së zhvillimit ekonomik dhe rritjes së varfërisë së qytetarëve të Kosovës. E dyta ka të bëjë me dështimin e madh në UNESCO i cili është dështimi i parë i Kosovës në arenën ndërkombëtare pas shpalljes së pavarësisë. Dhe momenti i tretë i cili mund të jetë për shtetndërtim më i rëndësishmi ka të bëjë me rrëzimin e Bashkësisë së komunave serbe nga ana e Gjykatës Kushtetuese në fund të vitit”, ka thënë Deda në një intervistë për KosovaPress.
Ilir Deda thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nxjerr në shesh gënjeshtrën e Mustafës dhe Thaçit.
Vendimi i gjykatës sipas Dedës tregon se Bashkësia e Komunave nuk mund të quhet më ‘Shumicë serbe’.
“Nuk mund të jetë një etnike, nuk mund të ketë kompetenca qeverisëse ekzekutive, nuk mund të ketë shërbyes civil, nuk mund të ketë status të veçantë, nuk mund të ketë kompetenca nga komunat, nuk mund t’i adresohet gjykatës Kushtetuese”.
Sipas Dedës, kjo nuk mund të jetë tjetër pos një organizatë joqeveritare. Dhe kjo sipas tij nuk është vetëm e fitore e Vetëvendosjes dhe partive tjera opozitare.
“Por edhe e të gjithë atyre individëve, personave publikë dhe shoqërisë civile të cilët me vite e vite të tëra kanë debatuar ajo se si është paramenduar në Bruksel Bashkësia e Komunave Serbe është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, dhe ne realisht i kemi humbur tre vite duke debatuar me njerëz në qeveri të cilët nuk e kanë treguar të vërtetën”.
Ai thotë se zgjedhjet e reja janë opsioni i vetëm. Madje sipas tij, Qeveria duhet të jap dorëheqje – dhe atë para 9 janarit.
Deda ka folur edhe për idenë për të krijuar një front opozitar, ide të cilën thotë se e ka qysh nga muaji shtator i vitit të kaluar.
Por, mohon që do ta krijojë vetë një iniciativë të re politike e cila ishte përfol shumë në media.
Fronti opozitar do të përbëhej prej VV-së, AAK-së dhe Nismës, por sipas Dedës do të përfshinte edhe shoqërinë civile dhe individë tjerë. /Telegrafi/