Deda: Arrestimi, luftë e pushtetit kriminal; Hoxha: Arrestimi, peshqesh i Gjarprit

Pas lirimit nga paraburgimi i Drejtori të institutit KIPRED, Ilir Deda, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Ylli Hoxha dhe 24 të arrestuarve tjerë që kanë protestuar të premten para Rektoratit në kërkim të dorëheqjes së rektorit Ibrahim Gashi, Deda thotë se për këtë arrestim, që e cilëson tipik politik, janë lajmëruar të gjitha instancat vendore e ndërkombëtare.
“Kjo është luftë e një pushteti kriminal kundër njerëzve që duan drejtësi. Jo një herë, po 100 herë le të më arrestojnë, se nuk do ta ndali rrugën time”, ka thënë ai, duke porositur të gjithë ata që shkelin ligjin të japin dorëheqje e të mos presin reagimin qytetar.
Hoxha thotë se këtë proces politik e ka, siç thotë ai, “nga Komandant Gjarpri, kryeministri Hashim Thaçi”.
“Sado pak kemi kontribuar në demaskimin e një pushteti mafioz. Kemi institucione të shumta me helmin e Gjarprit”, thotë ai.
Edhe avokati Tomë Gashi e cilëson këtë arrestim si politik, meqë Gjykata kishte CD-në në të cilën shihet se Deda nuk e ka prekur fizikisht policinë.
“Vendimi është politikë për ta ndalur vazhdimin e protestave”, tha ai.
Deda, Hoxha dhe të tjerët duhet të paraqiten në polici një herë në javë. Avokati tjetër mbrojtës, Skënder Musa, ka reaguar për masën e paraqitjes në stacion policor.
“Masa është e padrejtë. Nuk ka prova për këtë. Do të ankohemi te Gjykata e Apelit”, ka thënë ai. /Telegrafi/