Eko Higjiena

Decentralizimi jofunksional ( Rasti i Kllokotit)

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Hidajet Ahmeti- Në shumë fjalorë decentralizimi përkthehet si bartje e kompetencave nga institucionet qendrore në institucione lokale apo në institucione më të ulëta të qeverisjes.

Decentralizimi shihet si diçka shumë pozitive nga shumë autorë por te ne, në Kosovë dallojnë rrethanat e krijimit të komunave nga Plani i Ahtisarit.

Decentralizimi në parim ka për qellim të avancoj qeverisjen e mirë, transparencën, dhe efikasitetin e shërbimeve publike. Disa autorë mendojnë se në vendet e decentralizuara , pjesëmarrja qytetare, efikasiteti gjyqësor dhe administrativ, zhvillimi i burimeve njerëzore, politikat sociale dhe të ardhurat bëhen më të larta , dhe se shkalla e korrupsionit është më e ulët.

Për të qenë një qeverisje lokale efektive duhet t’i përmbush 5 kushte kryesore:

– Të ketë kufijtë administrative të përcaktuar qartë;
– Të ketë sistem zgjedhor demokratik që prodhon organe legjitime;
– Të ketë përgjegjësi dhe kompetenca të përcaktuara dhe të garantuara me ligj;
– Të ketë burime të mjaftueshme financiare dhe autonomi financiare për të përmbushur përgjegjësitë e saj;
– Të ketë kapacitete njerëzore dhe administrative për të ushtruar përgjegjësitë dhe për të ofruar shërbimet ndaj qytetarëve.

Rast studimor komuna e Kllokotit

Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës i njohur edhe si pakoja e Ahtisarit , me 2 mars 2007 iu dorëzua të dy palëve në bisedime (Kosovës dhe Serbisë) nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB- së për procesin e statusit të Kosovës, Martti Ahtisari (ish kryetar i Finlandës dhe diplomat negociator me përvojë të madhe ndërkombëtare).

Nga këto bisedime, Kosova bëri një varg lëshimesh, sidomos në fushën e decentralizimit- krijimi i 5 komunave të reja me shumicë serbe , ku brenda këtyre komunave përfshihej edhe formimi i komunës së Kllokotit.

Në hyrje ceka ato anët pozitive të decentralizimit që bie drejtpërdrejt ndeshë me rastin e komunës së Kllokotit, si një komunë që nuk plotëson asnjë nga kriteret e lartëpërmenduara.

Nga 5 kriteret që përmenda më lartë, për të funksionuar si duhet një komunë, është faktike të themi se komuna e Kllokotit nuk plotëson asnjë nga kriteret. Por, duke u mbështetur në rrethanat e krijimit të komunës, që nga bisedimet për pranimin e Planit të Ahtisaarit, pastaj rrethanat se si o formua që nga zgjedhjet e keqpërdorura e deri më sot, shohim mos efikasitetin, neglizhencën në administratë, korrupsioni nga zyrtarët e lartë komunal dhe një mori parregullsish tjera.

Dihet se zyrtarët më të lartë të kësaj komune janë të përfshirë në afera korruptive që na shtynë të vijmë në konkludim dhe në fakt ka qenë e ditur që nga fillimi se qeverisja në komunën e Kllokotin nuk ka legjitimitet, dhe nuk gëzon mbështetje nga qytetarët e kësaj komune.

Si argument shtesë kontestimit të legjitimitetit të kësaj qeverisje është edhe peticioni që është nënshkruar kundër kësaj qeverie komunale, nga qytetarët e Kllokotit por, peticioni bënë rreth dy vite që qëndron në sirtarët e KQZ-së, duke mos dhënë asnjë shpjegim kur dihet lidhja e zyrtarëve komunal me disa anëtarë të KQZ-së.

Nëse nisemi nga zyrtarët komunal prej shefit të qeverisë komunale e deri të punëtorët në administratë, sipas disa hulumtimeve të bëra del se rreth 70 % janë të pashkolluar. Një fakt shtesë lidhet edhe me ngritjen e aktakuzave të disa zyrtarëve komunal për falsifikim të diplomave. Nga kjo rrjedhë se komuna e Kllokotit nuk jep një imazh të mirë të funksionimit të mirëfilltë të një komune dhe në të njëjtën kohë mosfunksionim i Planit të Ahtisarit.

Nëse mbështetmi në hulumtimin e bërë për vitin 2010-2011-2012, shohim se Komuna e Kllokotit nuk kalon as pragun minimal me të hyrat vetanake. Komuna e Kllokotit gjatë vitit 2011 ka pasur buxhet me vlerë 85 mijë euro, pjesa kryesore është nga grandi qeveritar, kurse 8 mijë e 390 euro janë të hyra vetanake.

Nëse krahasojmë me vitin paraprak, del si komuna e vetme në vend e cila ka buxhet dukshëm më të vogël, përkatësisht gjatë vitit 2010 shuma totale e buxhetit ka qenë 1.123.833 euro.

Mobi Casa

Absurdi më i madh është se shkalla totale e të hyrave vjetore nuk i përmbush as përafërsisht shpenzimet që kjo komunë bënë për objektin ku qëndron me qira, kur dihet se për objektin me qira paguan 3100 euro në muaj.

Keqpërdorime nga zyrtarët komunale dhe shkarkime të pajustifikueshme

Është një nënçmim dhe nënvlerësim për qytetarët e komunës së Kllokotit, kur dihet se me çfarë niveli njerëzish udhëheqë kjo komunë.

Nga momenti i formimit e deri më tani, komuna e Kllokotit shquhet për keqpërdorime të mjeteve komunale dhe një sërë vendimesh të pajustifikushme. Kur jemi te vendimet mund t’i përmendim dy raste të shkarkimit të dy zyrtarëve komunal që qartazi shihej se kishte motive politike.

Rasti i shkarkimit të Zoran Bogdanoviçit, ish nënkryetar i parë i kësaj komune, z.Bogdanoviç, ka thënë për media se kryetari e ka pushuar nga puna atë vetëm se djali i tij në zgjedhjet e fundit nacionale Serbe ka qenë në listë për deputet në një parti tjetër serbe.

Rasti tjetër i pa arsyetueshëm i shkarkimit të drejtorit të bujqësisë z Hasan Rashitit, që ishte e vetmja drejtori e udhëhequr nga komuniteti shqiptarë. Nga vetë zoti Hasani është thënë se largimi i tij lidhet me kundërshtimin që ai ka bërë Kryetarit për politikat e punësimit (duke marr si kriter punësimin, nepotizmin), keqëmenaxhimin dhe keqpërdorimin e fondeve komunale. Si pasojë e të gjitha këtyre shkeljeve dhe parregullsive kanë shtyrë Prokurorinë e Gjilanit të nis hetimet ndaj Kryetari të komunës së Kllokotit.

Kur dihen rrethanat e formimit të komunës, që nga zgjedhjet e keqpërdorura e deri më sot në mosfunksionim të kësaj komune, ku edhe pjesa më e madhe e zyrtarëve komunal erdhën krejt rastësisht, me një pyetje më të lehtë mund t’i zësh ngushtë, kur vihet në pyetje misioni i tyre karshi qytetarëve.

Ky është realiteti në komunën e Kllokotit, një realitet shumë i hidhur dhe prekshëm për çdo person me racionalitet të shëndoshë.

Bile disa herë kur ndonjë TV ka ardhur nga qendra për vëzhgimin kësaj komune, askush nga zyrtarët komunal nuk e kan marruar guximin të flasin para atij televizioni për të arriturat e kësaj komune.

Këtu mundën me qenë dy arsyeje, njëra se ata dyshojnë në aftësitë e tyre kurse e dyta lidhet se nuk kanë guxim të flasin kur janë në dijeni se nuk kanë bërë asgjë në dobi të qytetarëve dhe nga kjo del se nuk kanë argumente pro funksionimit të komunës .

Ky është një indikator i mirë i nivelit të atyre që e quajnë vetën “intelektual” siç e përmenda më lartë me të gjitha këto keqpërdorime, me gjitha këto pisllëqe lirisht mundë t’i quajmë pseudointelektual.

Për fund mundë të thuhet se janë dy arsyeje për të kaluar nga kjo situatë ekstreme. Njëra është reformë radikale në komunë apo mundësia tjetër që zëvendëson të parën është shkuarja në shtëpi e kësaj qeverie komunale.

Një ditë vonesë nga kjo qeverisje është në dëm të qytetarit të Kllokotit.

(Autori është filozof i diplomuar dhe absolvent në Shkenca politike)