Deçani fiton kryendeshjen

Gjilan – Shënues: Murseli ’70 – Papuçi ’53, Cacaj ‘ 75 . (Gjilani – Deçani 1:2 (0:0).Stadiumi i qytetin në Gjilan: Shikues 300. Gjyqtarë: S. Isufi, L.Gegaj, V.Kelmendi. Kartonë të verdhë: Shaqiri (Gjilani) – Daci, Çekaj, Duraku( Deçani). Kartoni i kuq: Cacaj, Papuçi (Deçani).
Gjilani: Gagica, Ramadani, Arifi, Hyseni, Ferati, Beqiri (Murseli), Bajraliu, Maliqi (Musliu), Shaqiri, Muja, Salihu.
Deçani: Haxhijaj, çarkagjiu, Cacaj, Jasiqi, Papuçi, Kabashi, Duraku, Gashi, Vokshi (Lataj), Çekaj, Daci (Juniku).
Futbollistët e Gjilanit pas disa fitoreve radhazi në terrenin e tyre, kanë pësuar humbje nga skuadra e Deçanit, që ka treguar se nuk është rastësisht në pozitën e tretë dhe njëri nga pretendentët kryesor për t’u inkuadruar në elitën e futbollit kosovar.
Mysafirët të përforcuar me shumë lojtarë me përvojë, kanë ditur në çdo moment se çfarë dëshironin, duke mbajtur lojën në duart e tyre deri në fund të ndeshjes. Vendasit në fund të ndeshjes edhe përkundër epërsisë prej dy lojtarëve në fushë, nuk kanë mundur të barazojnë rezultatin, pasi sulmuesit vendas nuk shfrytëzuar rastet nga të cilat më vështirë ishte të huqej se sa të shënonin.
Në pjesën e parë dy skuadrat zhvilluan lojën të koncentruar në mesin e fushës, duke i kushtuar kujdes më shumë mbrojtjes së golit të tyre, se sa të sulmonin për të shënuar dhe përveç të nga një rasti nga dy skuadrat për shënim nuk treguan asgjë.
Pjesa e dytë ishte krejtësisht tjetër në krahasim me 45 minutat e parë, pasi skuadrat fillojnë të aplikojnë lojë më të hapur dhe rasti i parë është paraqitur për vendasit, pasi Muja del i vetmuar para portës mysafire, por sulmuesi gjilanas është ngatërruar me topin dhe një mbrojtës mysafirë eviton rrezikun.
Një minutë 53, mysafirët shënojnë golin e parë përmes lojtarit më me përvojë në radhët e tyre dhe ishte ky Fisnik Papuçi që ka shënuar me kokë, pas harkimit Durakut që nga këndi si me dorë e gjen bashkëlojtarin e tij.
Pas golit të epërsisë nga mysafirët, futbollistët e Gjilanit kanë marrë lojën në dorë dhe kanë organizuar disa sulme të rrezikshme në drejtim të portës së Haxhijaj, por nuk kanë arritur golin deri në minutën e 70. Një aksion i filluar nga mesi i fushës dhe pas disa kombinimeve ndërmjet Bajraliut e Maliqit, ky i fundit bukur gjen në anën e kundër Murselin të inkuadruar në lojë disa çaste më herët, për të kaluar një nga mbrojtësit e mysafirëve, i cili futet brenda zonës dhe me një gjuajtje të fortë dhe precize mposhtë portën e Deçanit për të barazuar rezultatin në 1:1.
Nuk kalojnë shumë dhe mysafirët përsëri kanë shënuar gol. Ishte ky mbrojtësi Agron Cacaj që nga 25 metra ka shënuar gol të bukur, duke mposhtur këndin e epërm të majtë të portierit Gagica.
Vendasit në vazhdim të ndeshjes hudhen me të gjitha forcat në sulm për të barazuar rezultatin, por sulmet e vendasve ishin të pa organizuar mirë, duke tentuar që me topa të gjatë të gjejnë sulmuesit e tyre, por mysafirët me përvojë lehtë kanë zmbrapsur çdo tentim të futbollistëve të Gjilanit.
Rastin më të mirë për të barazuar rezultatin e pati Premton Muja, që në këtë ndeshje nuk e kishte ditën e tij, pasi del i vetmuar para portierit Haxhajaj dhe kur pritej të shënojë golin e barazimit, ai gjuan plogësht./rajonipress/