Mobi Casa

Debatohet për rregulloren që krijon rend dhe disiplinë në arsim

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Dëgjimi publik për Projekt-Rregullorja për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale në arsimin e komunës së Gjilanit, ka zgjuar interesim të madh tek të punësuarit në këtë sektor, të cilët i kanë paraqitur sugjerimet dhe opinionet e tyre.

Hevzi Matoshi, shef i Zyrës Ligjore, ka thënë se rregullorja nuk po bëhet për të ndëshkuar askënd nga të punësuarit në arsim, por për të krijuar rend dhe disiplinë në këtë sektor.

Ai ka thënë se një rregullore e tillë, që sanksionon papërgjegjshmëritë, ka munguar deri tani në arsim, që është sektor i veçantë nga shërbimi civil.

Rregullorja sanksionon shkeljet e lehta dhe shkeljet e rënda në punë, parimet mbi të cilat bazohet procedura disiplinore, shqiptimin e masave disiplinore, ka thënë Matoshi.

Bardhyl Syla, shef i personelit në Drejtorinë e Arsimit, tha se në bazë të ligjit të punës, janë të obliguar që të kenë një akt të brendshëm.

Florim Bajrami, drejtor në shkollën Teknike kërkoi që të sanksionohet edhe kodi i veshjes, kurse Naim Shaqiri, mësimdhënës, kërkoi që në rregullore, pos masave ndëshkimore, të parashihen edhe këshillimi dhe shpërblimet, për të krijuar frymë pozitiviste në arsim.

Mejdi Nuhiu, drejtor i shkollës në Vërbicë të Zhegocit, tha se rregullorja duhet të parasheh masa edhe për ata që nuk i binden ftesës së komisionit disiplinor.

Fundamenti

Sedat Hoxha nga shkolla e Cërnicës ka propozuar që përgjegjësia materiale të jetë më e theksuar në rregullore. Sipas drejtorit të kësaj shkolle, Elhami Hasani, gjobat kanë efekt më tepër.

Por, Bardhyl Syla nga DKA, thotë se mundësia e gjobës duhet të jetë sa më e vogël, sepse nuk arrin efektin e dëshiruar gjithmonë dhe tek të gjithë mësimdhënësit që bien ndesh me rregulloren.

Kurse qytetari Kadri Nuhiu kërkoi që rregullorja të parasheh sanksione edhe për mësimdhënësit, të cilët mbajnë kurse me nxënësit.

Sipas kësaj Rregullore, punëtorit mund t’i shqiptohet njëra prej masave ndëshkuese – disiplinore, sikurse janë: vërejtja me gojë, vërejtja me shkrim, ulja në pozitë apo transferimi në shkollë tjetër brenda nivelit, suspendimi i përkohshëm si dhe ndërprerja e marrëdhënies së punës.

Masat ndëshkuese, vërejtje me gojë, vërejtje me shkrim dhe ulje të pozitës, do të shqiptohen për shkelje të lehta të detyrave të punës.

Masat ndëshkuese, suspendimi i përkohshëm dhe ndërprerja e marrëdhënies së punës, do të shqiptohen për shkelje të rënda të detyrave të punës, në pajtim me këtë Rregullore, Kontratën Kolektive dhe me Kontratën e Punës./rajonipress/