UBT

Debatet për masakrën e Reçakut, reagon Ambasada e SHBA: E papranueshme retorika nxitëse dhe rishikimi i historisë

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Ambasada e SHBA në Prishtinë ka reaguar pas deklarimeve të kreut të shtetit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka përkrahur ish-ministrin serb Ivan Todosijeviq, rreth pretendimeve të tij masakra e Reçakut ka qenë një ‘trillim’, deklarata këto që nxitën debate e reagime të ashpra në Kosovë.

Në reagimin e Ambasadës amerikane thuhet se ‘retorika nxitëse dhe rishikimi i historisë të së cilës jemi dëshmitarë kohëve të fundit lidhur me ngjarjet e vitit 1999 janë të papranueshme’.

‘Gjithashtu, jeni të kujdesshëm në ndjekjen penale selektive të fjalës duke u bazuar në orientimin politik apo komunitetit’, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane, raporton Telegrafi.

“Liria e shprehjes ka qenë prej kohësh parimi themelor i demokracisë. Ngjarjet e kësaj jave paraqesin edhe një rikujtim se sa i rëndësishëm është kthimi i Kosovës dhe Serbisë në tryezën e bisedimeve dhe të ripërqëndrojnë energjitë e tyre drejt së ardhmes duke normalizuar marrëdhëniet”, thuhet në reagim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur të tmerrshëm faktin që ish-ministri i Qeverisë së Kosovës, Ivan Todosijeviq u dënua me dy vjet burg për shkak se tha se masakra në Reçak ishte e trilluar.

Vuçiq ka thënë se edhe vet e përsërit se “ishte një krim i fabrikuar” dhe pyeti “a do të na dënojnë të gjithëve për këtë?”.

Ndaj kësaj deklarate kanë raguar udhëheqës shtetërorë dhe zyrtarë institucionesh e organizatësh të ndryshme në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se paqja, pajtimi dhe drejtësia nuk mund të ndërtohen duke mohuar krimet.

RCCOLA

Thaçi në një postim tjetër në Twitter ka përmendur vizitën e kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila për herë të parë vizitoi kampin më famëkeq Auschëitz, si veprim pozitiv dhe kritikoi deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mohimin e masakrës së Reçakut.

Ai tha se nëse Merkel flet me trup për krimet e së kaluarës të udhëheqësve gjermanë, udhëheqësit serbë këtë po e bëjnë me krenari për krimet e Sllobodan Millosheviqit.

Pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se masakra e Reçakut ishte një krim i fabrikuar, ka reaguar edhe Presidenca shqiptare.

Tedi Blushi, zëdhënës i presidentit Ilir, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se gjaku i Reçakut nuk bëhet ujë dhe se faktori ndërkombëtar duhet t’i japë përgjigjen e merituar çdo provokimi ndaj paqes e stabilitetit në rajon.

BE ka thënë se nuk ka vend për të mohuar ngjarjet që kanë ndodhur në Reçak në vitin 1999 dhe se pikëpamje të tilla janë në kundërshtim me projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Në vitin 1999, në Reçak u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat serbe. William Walker, atëherë si shef i Misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, këto vrasje i pati cilësuar si “krim kundër njerëzimit”.

Ngjarja në Reçak kishte nxitur reagime të bashkësisë ndërkombëtare, që organizoi në Rmbuje të Francës një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Por, Serbia refuzoi të nënshkruante një marrëveshje për ndaljen e spastrimit etnik në Kosovë nga forcat serbe, gjë që çoi në ndërhyrjen e NATO-s mbi caqet serbe. /Telegrafi/