Debatet më orë të tëra në Kuvend pa rezultatet, bëhet thirrje të monitorohen Qeveria e ligjet

Debatet në Kuvendin e Kosovës me orë të tëra për çështje të caktuara, akuzat ndërmjet pozitës dhe opozitës, nuk po kanë efekte në jetën e qytetarëve e nuk po zgjidhin probleme që janë në interes publik, thonë analistët politik.

Ish-këshilltari i ministres për Dialog, Edita Tahiri, Gazmir Raci për Ekonomia Online tha se Kuvendi i Kosovës do të duhej të ishte adresa kryesore për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.Ai thekson se deputetët duhet ta monitorojnë Qeverinë e Kosovës sa i përket zbatimit të ligjeve e marrëveshjeve përfshirë edhe MSA-në.

“Debati në Kuvendin e Kosovës është më shumë debat politik i temave ditore dhe nuk po prodhon efekte konkrete për jetën e qytetarëve të Kosovës. Kuvendi i Kosovës do të duhej të ishte adresa kryesore për zgjidhjen e problemeve për banorët e këtij vendi. E sidomos Kuvendi do të duhej t’i jep zgjidhje çështjes së integrimeve në Bashkimin Evropian, duke e monitoruar punën e Qeverisë së Kosovës sa i përket plotësimit të MSA e në të njëjtën kohë Kuvendi i Kosovës duhet të luaj rol edhe në çështjet e sigurisë kombëtare, sigurisë të brendshme duke monitoruar strukturat tona të sigurisë, por duke mbikëqyr edhe avancimin e përmbushjes së kapaciteteve të Ushtrisë së Kosovës”.

Raci tha se përpos miratimit të ligjeve, Kuvendi duhet edhe të mbikëqyr zbatimin e ligjeve që vet i miraton.Sipas tij, koncentrimi do të duhej të ishte përmbushja e kritereve ligjore për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian dhe NATO.

“Nuk po vërehet që ka zgjidhje të përgjithshme të elementeve kryesore të funksionimit të shtetit, natyrisht se unë do të doja që Kuvendi të kishte një rol më pro aktiv në këtë drejtim. Jo vetëm në miratimin e ligjeve por edhe në monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre”.“Do të duhej që Kuvendi i Kosovës të luaj rolin legjislativ sidomos në përmbushjen e kritereve ligjore për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian dhe NATO. Unë do të doja të shihja rolin e Kuvendit më të madh në politikën e jashtme, do të doja që komisioni për politikë të jashtme të jetë më prezent sidomos te 5 shtetet mos njohëse anëtare të BE-së, dhe 4 shtete që janë anëtare të NATO-s”.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Përparim Gruda në një intervistë për Ekonomia Online tha se debatet parlamentare në Kuvendin e Kosovës janë të ashpra e se lihen anash çështjet që janë për interesin publik.“Debatet në parlamentin e Kosovës kryesisht karakterizohen prej polemikave të ashpra politike dhe pak koncentrohen në debatin e vërtetë parlamentar që duhet të zhvillohet mbi çështjet që kanë interes publik. Parlamenti është organi kryesor i debatit dhe i vendimmarrjes publike për interesin e përgjithshëm”.“Kjo në fakt nuk është karakteristikë e kësaj legjislature por e e të gjitha legjislaturave në Kosovë, por duket sikur vit pas viti ky ashpërsimi i gjuhës politike ka shkuar duke u rritur dhe ndasitë politike kanë shkuar duke u ashpërsuar. Në këtë mënyrë është lënë anash debati mbi çështjet e rëndësishme të interesit publik”.

Sipas Grudës, ka deputetë që diskutojnë në mënyrë profesionale, por sipas tij, në përgjithësi shumica prej tyre flasin për të zhvilluar polemika politike të cilat për votuesit e tyre janë interesante, raporton EO.

“Ka deputet që diskutojnë në mënyrë profesionale që japin zgjidhje profesionale, por në masën më të madhe deputetët votojnë ashtu siç preferon lideri. Në fund të fundit edhe kur nuk zgjidhin probleme ato mbahen për një qëllim politik në një rast mund të jetë qëllimi opozitës, në rastin tjetër qëllimi politik i Qeverisë”.“Në debatin kualitativ mendoj që ka pak aktivitet, ka disa deputet që ofrojnë propozime kualitative, por përgjithësisht deputetët marrin fjalën për të zhvilluar polemika politike të cilat mendojnë që për votuesin e tyre janë interesant. Komisionet parlamentare pak a shumë e përshkruajnë punën që është në seancë dhe pak a shumë janë reflektim i fuqisë politike të partive politike”.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS